Tahiri i reagon Avokatit të Popullit: Merru me faturat e energjisë

Aktuale

Tahiri i reagon Avokatit të Popullit: Merru me faturat e energjisë

Më: 26 dhjetor 2023 Në ora: 18:41
Abelard Tahiri

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, i ka reaguar Avokatit të Popullit, Naim Qelaj, i cili të martën ka bërë të ditur se Ligjin për Zgjedhjet do ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese.

Tahiri përmes një statusi në Facebook, ka shkruar se reforma zgjedhore e arritur përmes Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, përbën rastin e vetëm për të cilin Kosova është vlerësuar dhe lavdëruar në vitin 2023.

“Ky proces, me plotë meritë është vlerësuar në Raportin e Progresit dhe në Konkluzionet e Bashkimit Evropian, ku edhe është kërkuar miratimi i shpejtë i akteve nënligjore në mënyrë që ti hapet rruga mbajtjes së zgjedhjeve të reja parlamentare mbi bazën e kësaj reforme”, ka shkruar Tahiri.

Madje sipas tij, Qelaj fillimisht do duhej të merrej me faturat e energjisë elektrike, për ngritjen e të cilave ka pasur ankesa ditëve të fundit.

“Avokati i Popullit, Naim Qelaj, para se të merret me këtë ligj, ka një mijë e një raste të tjera ku mund të kryejë detyrën dhe përgjegjësinë e tij për të mbrojtur qytetarët nga shkeljet e të drejtave dhe lirive themelore. Ai, pikërisht sot do të duhej që të merrte veprime emergjente për fillimin e hetimeve ndaj abuzimit me faturat e energjisë elektrike dhe madje të zbardhte edhe fakte mbi trajtimin diskriminues të qytetarëve në pagesat e kësaj energjie. Pikërisht sot më shumë se kurrë do të duhej të ishte zëri kumbues kundër vjedhjes dhe diskriminimit të qytetarëve në faturat e energjisë nga qeveria e dhe mafia energjetike”, ka shkruar Tahiri tutje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat