Dyfishohen faturat e rrymës, qytetarët ankohen, kurse KESCO arsyetohet

Aktuale

Dyfishohen faturat e rrymës, qytetarët ankohen, kurse KESCO arsyetohet

Më: 26 dhjetor 2023 Në ora: 20:00
Ilustrim

Mbi 200 euro është totali i faturës së rrymës që një nga banorët e Prishtinës do të duhet të paguaj për muajin e fundit.

Kjo faturë është për dhjetor, derisa për sasinë e njëjtë të rrymës së shpenzuar, ai thotë se në muajin nëntor kishte paguar 140 euro.

Shifra që për të është lartë e revoltoi të njëjtin që nuk deshi të flas para kamerës, por që shkoi në KEDS për t’u ankuar.

Me të njëjtin problem sot në këto zyra u paraqit edhe një qytetare tjetër.

“Fatura ka ardh 269 euro, fatura ka ardhë shumë e fryme tash e  tre muaj, edhe një herë kom ardh me ba ankesë po nuk e kanë marr parasysh. Tash kjo faturë është më e larta dhe nuk është në rregull me ardh fatura ma e lartë se rrogat, erdha me bo ankesë sërish”, ka thënë Edona Deli, banore e Prishtinës.

Ankesa dërguan edhe konsumatorë të tjerë në Kompaninë për Distribuim dhe Furnizim me Energji Elektrike.

“Kesh me pagu, s’kem qa ankohna kujt me ju anku, kanë të drejtë varfëria në skaj të ardhurat janë në minimum”, thënë një tjetër banor i Prishtinës, Adem Nika.

“Neve na i hek sociali por na ka ardh në faturë 40 euro, tash dhe më ba mos me pagu na e këpusin, unë vetem jetoj, kjo so në rregull”, ka thënë Nebahate Koliqi, banore e Prishtinës.

Për këto fatura që shqetësuan konsumatorët, KESCO ka dhënë një shpjegim.

“Rritja e vlerës se faturave në ketë muaj dimri është rezultat i rritjes së konsumit të energjisë elektrike, veçanërisht te konsumatorët që e përdorin energjinë elektrikë për ngrohje. Konsumimi i energjisë elektrike në vlerë më shumë se 800 kËh në muaj faturohet me tarifë më të lartë, ashtu siç paraqiten në çdo faturë te konsumatorëve. Efekti tjetër i rritjes së vlerës së faturës është që vitin e kaluar në të njëjtën periudhë, Qeveria e Kosovës ka subvencionuar konsumatorët që kanë kursyer energji elektrike”, kanë thënë nga KESCO.

Ndërsa hetime nga Prokuroria e Shtetit për këto fatura, ka kërkuar Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut.

“KMDLNj ka kërkuar nga qytetarët e Kosovës t’i bëjnë publike faturat e këtij muaji duke i krahasuar me ato të muajit paraprak sikur edhe të paraqesin kundërshtim në KEDS për këto fatura që janë thjeshtë vjedhje e parasë nga buxheti, edhe ashtu shumë i rënduar i shumicës së familjeve në Kosovë. Në çdo vend normal kjo vjedhje klasike përmes faturave të rrymës do të ishte mundësi e artë për opozitën që fuqishëm të kundërshtojë ndërsa te ne vetëm kishte reagime sporadike të deputetëve. Për këtë plaçkitje legale deputetët e Kuvendit të Kosovës është dashur të thërrasin seancë të jashtëzakonshme ndërsa qytetarët e Kosovës është dashur të reagojnë fuqishëm përmes një aktivizimi qytetarë kundër KEDS, KESCO dhe ZrrE-së”.

KESCO ka thënë se herën e fundit, tarifat janë shtrenjtuar afërsisht 15 për qind më 1 prill të këtij viti dhe se prej atëherë nuk ka pasur rritje tjetër së fundmi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat