​Miratohet Projektligji për Këshillin e Sigurisë, Kurti: Synojmë fuqizimin e sektorit të sigurisë

Aktuale

​Miratohet Projektligji për Këshillin e Sigurisë, Kurti: Synojmë fuqizimin e sektorit të sigurisë

Më: 27 dhjetor 2023 Në ora: 13:58
Qeveria e Kosovës

Qeveria e Kosovës ka miratuar të mërkurën Projektligji për Këshillin e Sigurisë në vend, i cili ka për synim konsolidimin dhe fuqizimin e sektorit të sigurisë.

Kryeministri Albin Kurti theksoi se përmes këtij projektligji do të rregullohet mënyra e bashkëpunimit dhe bashkërendimit të strukturave të sigurisë, duke ngritur nivelin e përgatitjes dhe gatishmërisë për t’iu përgjigjur kërcënimeve, rreziqeve dhe sfidave ndaj sigurisë së vendit.

“Ky projektligj ka për synim konsolidimin dhe fuqizimin e sektorit të sigurisë, duke vendosur themelet e një sistemit të integruar të sigurisë, I cili do të jetë në shërbim të sigurisë kombëtare dhe të realizimit të synimeve dhe qëllimeve shtetërore. Përmes këtij projektligji do të rregullohet mënyra e bashkëpunimit dhe bashkërendimit të strukturave të sigurisë, duke ngritur nivelin e përgatitjes dhe gatishmërisë për t’iu përgjigjur kërcënimeve, rreziqeve dhe sfidave ndaj sigurisë së vendit”, theksoi Kurti.

Në mbledhjen e sotme, ekzekutivi ka miratuar Projektligjin për ratifikimin e amendamentimit të tretë të marrëveshjes financiare mes Kosovës dhe BE-së që ka të bëjë me programin e IPA 2015 për dekomisionimin e termocentralit “Kosova A”.

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi gjatë prezantimit të këtij projektligji ka kërkuar që të ratifikohet kjo marrëveshje ndërkombëtare sa më parë në Kuvendin e Kosovës.

“Qëllimi i këtij amendamentimi është që të mundësohet shtyrja e afatit të parashikuar për zbatimin e projekteve të kësaj marrëveshje, në mënyrë që të mundësohet lansimi sërish I tenderit për përkrahjen e procesit të dekomisionimit të pjesëve jo operative në termocentralin “Kosova A”. pas marrjes së autorizimit nga presidentja, marrëveshjen e kemi nënshkruar më 19 dhjetor të këtij viti dhe duhet të sigurohemi që ratifikimi të ndodhë menjëherë pas kësaj, në mënyrë që të hyjë në fuqi”, theksoi Bisilimi.

Në mbledhjen sotme, Qeveria e Kosovës ka miratuar edhe Projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes ndërkombëtare për pjesëmarrjen e Kosovës në Programin e Bashkimit Evropian “Evropa digjitale 2021-2027” ndërmjet Kosovës dhe BE-së.

Kjo marrëveshje ka për qëllim që përmes granteve strategjike të BE-së, Kosova të avancojë në katër objektiva specifik të programit. Në kuadër të këtij programi janë të ndara 9.2 miliardë euro për shtetet e Bashkimit Evropian dhe të Ballkanit Perëndimor.

Veç kësaj, Qeveria ka miratuar Projektligjin për statusin, qëndrimin e përkohshëm dhe kalimin transit të forcave të huaja, të armatosura në territorin e Kosovës, si dhe Projektligjin për mbrojtjen e konsumatorit. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat