“Armë, municion, para...” - Policia nxjerr të dhënat për krejt çka u konfiskua pas sulmit terrorist në Banjskë

Aktuale

“Armë, municion, para...” - Policia nxjerr të dhënat për krejt çka u konfiskua pas sulmit terrorist në Banjskë

Më: 28 dhjetor 2023 Në ora: 12:17
Sulmi në Banjskë

Policia e Kosovës në konferencën vjetore ka dhënë detaje rreth punës së këtij institucioni përgjatë vitit 2023.

Drejtori i Policisë, Gazmend Hoxha ka përmendur kidnapimin e policëve kosovarë nga Serbia dhe sulmin terrorist të 24 shtatorit si një nga sfidat më të mëdha të sigurisë me të cilat është përballur Policia e Kosovës gjatë këtij viti.

Hoxha tregoi në detaje për sasinë e armatimit të konfiskuar pas zmbrapsjes së sulmit terrorist në Banjskë të Zveçani, mes tyre 107 armë zjarri të llojeve të ndryshme, municion, 35 kilogram eksploziv, mina, granata dore, veshje e uniforma ushtarake, si dhe vetura.

“Ishte një vit sfidues sepse u përballëm me sulme të njëpasnjëshme të strukturave ilegale të Serbisë. Për ne lufta ndaj korrupsionit, ilegalitetit dhe çdo gjë që cenon sigurinë e vendit tonë dhe qytetarëve do të vazhdojë të jetë prioritet.

Një prej sulmeve më të rënda që kemi pasë ka qenë kidnapimi i zyrtarëve tonë policorë nga strukturat e policisë së Serbisë të cilët janë futur thellë në territorin e Kosovës, pastaj sulmi terrorist me 24 shtator në Banjskë”, u shpreh Hoxha.

Drejtori i Policisë po ashtu tha se krahasuar me vitin e kaluar ka pasur rritje të raportimit të rasteve në polici dhe rritje të numrit të vrasjeve.

Por, ai tha se ka pasur rënie të numrit të rasteve të dhunës në familje.

“Gjatë vitit 2023 kemi pasur të raportuar në polici 46,05 raste, prej tyre 26, 384 raste penale. Duke i krahasuar me vitin e kaluar shihet se kemi një rritje të raportimit të rasteve në Polici teksa tek veprat penale ka një rënie të lehtë.

Te vrasjet kemi pasur rritje prej 20 sa kanë qenë në vitin e kalum në 28, pra një ngritje për 20 përqind. Gjatë këtij viti kemi rënie të rasteve të dhunës në familje”, u shpreh ndër të tjera ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat