Lumir Abdixhiku, deputeti me më së shumti mungesa në vitin 2023

Aktuale

Lumir Abdixhiku, deputeti me më së shumti mungesa në vitin 2023

Më: 28 dhjetor 2023 Në ora: 21:17
Lumir Abdixhiku

Afër 15 postime në rrjetin social Facebook i bëri vetëm brenda një jave.

Veç kërkesave për qeverinë e vizitave në teren, kryetari i  Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ishte aktiv edhe me Podcast-in që e nisi që prej dy muajsh.

Mirëpo, aktiviteti i tij nuk u pa edhe në Kuvendin e Kosovës.

Kjo pasi sipas, të dhënave nga Instituti Demokratik i Kosovës, nga plotë 56 seanca, ai kishte munguar në 44 prej tyre.

E rrugën e tij e pasoi edhe kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi.

“Deputetët të cilët kanë munguar më së tepërmi janë Lumir Abdixhiku me 44 mungesa nga 56 seanca. Bexhet Pacolli me 39, Memli Krasniqi me 35, Ardian Kastrati me 34 dhe Saranda Bogujevci me 24 mirëpo duhet theksuar se këta dy të fundit kanë pasur arsye shëndetësore të mungesës”, Arbër Thaçi nga KDI.

Sipas Institutit Demokratik të Kosovës, deputetët e Kuvendit të Kosovës bën gjithsej 1mijë e 585 mungesa.

E puna e tyre vlerësohet se ka pasur rënie.

“Edhe në kuptimin sasior, edhe në kuptimin cilësor na flasin për një rënie të punës së kuvendit. Këtë vit kemi 78 seanca parlamentare në tërësi, 36 kanë qenë plenare, 37 vazhdime dhe 13 të jashtëzakonshme me dy të fundit që kanë qenë solemne”.

KDI ka vërejtje edhe për punën e kryetarit të kuvendit, Glauk Konjufca.

“Në disa raste kryetari nuk i ka zbatuar dispozitat të cilat i parasheh rregullorja në fuqi. Në rastin e bojkotimit të pyetjeve parlamentare të ardhura nga opozita, kryesuesi nuk ka marrë ndonjë rol për të qortuar anëtarët e ekzekutivit të cilët kanë refuzuar t’u përgjigjen pyetjeve të opozitës”, tha Violeta Haxholli nga KDI.

Sipas Haxhollit, ky vit në kuvend u përcoll me probleme teknike, ndërsa nga ana e komisioneve munguan procesverbalet.

“Fatkeqësisht po hymë në vitin e tretë prej se Kuvendi nuk ka arritur të kthejë votimin elektronik, tenderi është shpallur këtë vit por nuk ka ende një rezultat. Në disa raste ka pasur edhe mungesë të publikimit të dokumenteve, sidomos nga ana e komisioneve parlamentare, shumë nga komisionet parlamentare nuk i kanë publikuar me kohë procesverbalet dhe transkriptet e mbledhjeve”.

Megjithatë, në Komisionet Parlamentare janë mbajtur 358 mbledhje, që sipas IKD-së është një numër më i madh se vitin e kaluar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat