Faturat e “fryra” të energjisë elektrike, ZRrE-ja pranon 22 ankesa nga konsumatorët

Aktuale

Faturat e “fryra” të energjisë elektrike, ZRrE-ja pranon 22 ankesa nga konsumatorët

Më: 29 dhjetor 2023 Në ora: 13:37
Ilustrim

22 ankesa të konsumatorëve ka pranuar Zyra e Rregullatorit të Energjisë(ZRrE).

Kjo, pasi që shumë qytetarë janë ankuar për faturat e shtrenjta të muajit dhjetor.

Nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë kanë thënë se të gjitha ankesat duhet të bëhen tek furnizuesi, para se të njëjtat të shqyrtohen nga Rregullatori.

“Në përputhje me Procedurën për zgjidhjen e ankesave në sektorin e Energjisë, të gjithë konsumatorët të cilët kanë ankesa në lidhje me shërbimet e ofruara nga furnizuesi apo operatorët e sistemit fillimisht duhet t’i paraqesin këto ankesa te furnizuesi përpara se të kërkojnë shqyrtim nga Rregullatori. Për sa i përket ankesave për faturat e fundit, ju informojmë se deri me sot janë pranuar 22 ankesa te konsumatorëve, të cilat janë referuar tek Furnizuesi”, thuhet në përgjigjen e ZRrE-së.

Sipas ZRrE-së, çdo furnizues apo operator i sistemit është i detyruar t’u përgjigjet të gjitha ankesave të konsumatorëve, në mënyrë efikase dhe të drejtë.

Nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë kanë bërë të ditur se do ta shqyrtojnë çdo ankesë të pranuar nga furnizuesi.

“Pas pranimit të përgjigjes nga Furnizuesi, Konsumatorët mund të parashtrojnë ankesë në Departamentin për Mbrojtjen e Konsumatorëve të Rregullatorit. ZRRE-ja do të shqyrtoj çdo ankesë të pranuar në përputhje me dispozitat që parashihen në Procedurën për zgjidhjen e ankesave në sektorin e energjisë”, thuhet më tutje në përgjigjen e ZRrE-së.

Për faturat e dhjetorit për Front Online ka folur edhe avokati i Popullit, Naim Qelaj.

Ai ka thënë se do të kërkojnë sqarim nga ZRrE-ja.

“Pa dyshim që është shkelje, faturat në raport me konsumatorin për shërbimet e kësaj natyre gjithmonë kanë qenë transparent, duhet edhe me përshkruar natyrën e rritjes, nëse ka pas rritje. Për me e vërtetu këtë neve na duhet me hetu. Po besoj që ditëve në vijim kemi me iu drejtu ZRRE-së, edhe kemi me marr një përgjigje”, tha ai.

Kurse të enjten kryetari i Komisionit për Ekonomi, Ferat Shala ka thënë për Front Online se Qeveria subvencionoi familjet për energji elektrike që mos ta vërenin rritjen e çmimit.

Madje ai ka deklaruar se duhet të  bëhet një auditim gjeneral urgjent, por edhe hetim.

Me reagim për këtë çështje ka dalë edhe Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut.

Nga KMDLNJ i kanë quajtur si “jonormale” faturat e këtij muaji, derisa i kanë kërkuar Prokurorisë së Shtetit që të nis hetime urgjentisht.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat