Çmimi i energjisë elektrike në tregjet ndërkombëtare më lirë se kurrë, a do të zbritet edhe në Kosovë? Flasin nga ZRRE-ja

Aktuale

Çmimi i energjisë elektrike në tregjet ndërkombëtare më lirë se kurrë, a do të zbritet edhe në Kosovë? Flasin nga ZRRE-ja

Më: 4 janar 2024 Në ora: 18:16
Ilustrim

Çmimi i energjisë elektrike në tregjet ndërkombëtare ka pësuar ndryshime të mëdha.

Më 1 janar të 2024 megavati ka qenë 18 euro, ndërsa sot është 53 euro.

Ndërkohë, për faturat e fundit të rrymës ka pasur ankesa të mëdha nga qytetarët e Kosovës lidhur me çmimin shumë të lartë.

Qytetarët e Kosovës faturat për energji elektrike i kanë paguar më shtrenjtë për shkak se për më shumë se 20 vjet kanë paguar rrymë edhe për qytetarët serb në veri të vendit.

Në total për vitet 2021-2022, shuma e paguar për veriun për energji elektrike ka qenë 113 milionë euro.

Me 1 janar 2024, furnizuesi Elektrosever Sh.P.K, kompani e licencuar dhe e regjistruar sipas ligjeve të Republikës së Kosovës, ka filluar të nominojë energjinë për katër komunat e veriut. Pra ka filluar të marrë përgjegjësinë për konsumin e energjisë në veri.

Mirëpo, se a do të ndikojnë edhe në Kosovë këto ndryshime të çmimeve të energjisë elektrike, ka pyetur Zyrën e Rregullatorit të Energjisë.

Për një gjë të tillë, nga ZRRE kanë thënë se KESCO ka kohë që propozimet e reja me tarifa t’i dorëzojë maksimumi deri më 8 mars të këtij viti?

“Përcaktimi i të Hyrave të Furnizuesit me Obligim të Shërbimit Universal bëhet në baza vjetore. Procesi i Aplikimit për të hyrat e lejuara maksimale dhe përshtatjeve për FSHU(KESCO) bëhet sipas shtojcës 3 të Rregullës për të Hyrat e Furnizuesit me Shërbim Universal (KESCO).  FSHU deri në fund të janarit 2024 do të paraqes të Rregullatori aplikimin për të hyra të lejuara maksimale”, thuhet në përgjigjen e tyre.

“Pas vlerësimit përfundimtar nga ZRRE-ka lidhur me përshtatjet e vitit 2023 dhe vlerësimit të të hyrave të lejuara maksimale për vitin 2024, FSHU duhet që deri më datën 8 Mars 2024 të dorëzojnë propozimet për tarifa me pakicë për konsumatorët me të drejtë të Furnizimit me Shërbim Universal. Procesi i aplikimit është i ngjashëm edhe për KEDS dhe KOSTT”, thuhet në përgjigjen e ZRRE-së.

Me çmimet e larta të energjisë elektrike, nuk po pajtohet deputeti, njëherësh kryetar i komisionit për Ekonomi, Ferat Shala.

Ai ka thënë që politikat qeveritare lidhur me energjinë janë të gabuara.

“Në vitin e kaluar kemi ngrit shqetësime dhe kemi dhënë paralajmërimet publike dhe parlamentare si parti por edhe si deputet që politikat qeveritare në raport me energjinë elektrike në vend janë të gabuara, për mos me thënë deri në shkallë të korrupsionit të lartë”, u shpreh ai.

Shala thotë se duke e pas parasysh situatën aktuale ekonomike, Qeveria duhet t’i rishikojë çmimet e energjisë elektrike.

“Tani është situatë krejtësisht e re dhe parimisht qeveria do të duhej t’i hartonte ose t’i rishikonte politikat e që t’i rekomandonte zyrës së rregullatorit rishikim të këtyre politikave, rishikim të ngritjes së çmimit, rishikim të gjithë tregut energjetikë në vend gjë që nuk ka ndodh, dhe nuk pres që me këtë qeveri të ndodh”, deklaroi ai.

Deputeti u pyet nëse do të kërkojnë si parti që çmimi i energjisë në vend të zbres, ai tha që me fillim të sesionit pranveror do të dalin me qëndrime.

“Ne nuk mund të themi saktë tani për tani jemi në pushim, dhe sapo të kthehemi dhe fillon sesioni pranverorë parlamentar ne do të bisedojmë dhe do të kemi një qëndrim unik, të qartë si grup parlamentar dhe si parti. Tani për tani nuk mund të them diçka të tillë, sepse është në dorën e Qeverisë, në dorën rregullatorit dhe në dorën e atyre që po i bëjnë politikat energjetike në vend”, u shpreh ai.

Deputeti i AAK-së, Pal Lekaj ka thënë se është e padrejtë që qytetarët e Kosovës të kenë reduktime të rrymës dhe të paguajnë fatura të shtrenjta.

Sipas tij, Qeveria Kurti nuk ka ditur të menaxhojë me sektorin e energjisë.

“Duke ditur që Kosova është e pasur me pasuri nëntokësore, është jo e drejtë që qytetarët të kenë reduktime dhe të paguajnë fatura enorme të shtrenjta siç ndodhi muajin e kaluar. Në përgjithësi, kjo Qeveri nuk ka ditur të menaxhojë me sektorin e energjisë, këtë e thonë dhe e dinë të gjithë ata që jetojnë dhe veprojnë në Kosovë”, është shprehur Lekaj.

Lekaj ka folur edhe për pagesën e rrymës që komunat veriore do të bëjnë tash e tutje.

“Është lajm i mirë nëse vërtet do të fillojnë faturimet e rrymës në komunat veriore, sepse do të marrin fund padrejtësitë mbi 20 vjeçare që u janë bërë qytetarëve  kosovar të cilët kanë paguar për faturat e serbëve”, ka thënë Lekaj.

Derisa ka shtuar se mund të ndodhë që serbët të refuzojnë përsëri pagesën.

“Qeveria është zotuar që faturimi ka filluar, por unë urojë që procesi të shkojë mirë në komunat veriore, sepse mund të ndodhë që ata të refuzojnë dhe të mos paguajnë faturat e tyre, dhe ky problem mund të bëhet pengesë e shumë proceseve të shtetit të Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë ai.

Ani pse në BERZ çmimet e energjisë elektrike janë të ulëta, Fadil Ismajli thotë që nuk mund të ndikojnëë menjëherë në Kosovë.

Ish-ministri i Ekonomisë në një prononcim për Front Online ka thënë që çmimi mund të ndryshojë atëherë kur edhe hyjnë tarifat e reja.

 “Çmimet të cilat aktualisht në BERZ janë nuk do të thotë që e afektojnë menjëherë çmimin në pakicë. Nuk reflektohet menjëherë, në BERZ mundet me lu gjatë ditës, ndërsa tek ne duhet me u qartësu tarifat në vitin tarifor dhe ajo mundet me reflektu prej 1 prillit, atëherë edhe kur hyjnë tarifat e reja. Ende tek ne nuk janë as kushtet teknike me zbatu që çmimi i energjisë me u ndërru orë për orë, sipas BERZ-es”, u shpreh ai.

Ismajli foli për ankesat e shumta nga opozita e qytetarët që kanë qenë për faturat e fundit të energjisë.

Ai tha që duhet të merren parasysh reagimet e tyre.

“Sigurisht rregullatori do të duhej t’i ketë parasysh këto reagime, në anën tjetër edhe kur sillen tarifat, sonte e vërteton që furnizuesi KESCO ka blerë energji shumë më të lirë se që është projektua kur janë caktu tarifat në vitin e kaluar, atëherë në veprimtaritë e rregulluara duhet me iu ulë përqindja në periudhën e ardhshme”, u shpreh ai.

Për faturat e fundit të energjisë elektrike, me reagim ka dalë edhe Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut.

Nga KMDLNJ i kanë quajtur si “jonormale” faturat e këtij muaji, derisa i kanë kërkuar Prokurorisë së Shtetit që të nis hetime urgjentisht.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat