I arrestuar nga Serbia, merret vendimi për ish-ushtarin e UÇK-së

Aktuale

I arrestuar nga Serbia, merret vendimi për ish-ushtarin e UÇK-së

Më: 8 janar 2024 Në ora: 15:59
Hasan Dakaj

Ish-ushtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hasan Dakajt i cili u arrestua nga autoritetet serbe të premten në Merdarë, i është caktuar masa e paraburgimit prej 1 muaj në Serbi.

Këtë e ka konfirmuar avokati i familjes, Xhevdet Smakiqi teksa shtoi se do të ushtrohet e drejta për ankesë.

“Ai ndodhet në Beograd në qendrën e paraburgimit nga Kushumli e kanë dërgu. Mbrëmë vonë unë kam marrë informacion nga avokati i caktuar nga shteti serb që i është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh dhe tash ka me ushtru ankesë”, ka deklaruar avokati derisa shtoi se ai po dyshohet për krime lufte.

Hasan Dakaj nga Prizreni është arrestuar të premten e 5 janarit, nga autoritetet serbe në pikën kufitare në Merdare.

Nga Prokuroria serbe pretendohet se Dakaj ka kryer krime lufte si 19 vjeçar në vitin 1999.

Reagimi i MPJD-së

Ministria e Punëve të jashtme dhe Diasporës ka dal me deklaratë, duke thënë se kanë njoftuar zyrën e BE-së në Serbi, Ambasadën e ShBA-së dhe atë të Britanisë së Madhe.

Pas njoftimit mbi arrestimin e dy qytetarëve të Republikës së Kosovës, Hasan dhe Xhavit Daka (ky i fundit tashmë i liruar), Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka aktivizuar të gjithë mekanizmat e saj institucional. Janë njoftuar edhe mekanizmat ndërkombëtarë për veprimet e Serbisë ndaj qytetarëve të Kosovës. Për këtë rast është njoftuar Zyra e BE-së në Serbi, Ambasada e SHBA-ve dhe ajo e Britanisё sё Madhe nё Serbi”, thuhet në njoftim.

MPJD thotë se dënojnë ndalimin, arrestimin dhe keqtrajtimin e qytetarëve të Kosovës në Serbi.

“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës dënon ashpër ndalimin, arrestimin dhe keqtrajtimin e qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe njëkohësisht i bën thirrje Bashkësisë Ndërkombëtare që të ndermarrë hapa konkret për lirimin e menjëhershëm të qytetarit Hasan Daka dhe njëkohësisht të kërkojë përgjegjësi nga shteti serb për këto veprime arbitrare dhe destruktive dhe që bien ndesh me konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut”, thuhet tutje në njoftim.

MPDJ ka njoftuar se do të paraqesë kërkesë zyrtarë autoriteteve serbe për ta lejuar ambasadorin Jashari që ta vizitojë të arrestuarin Hasani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat