Dëshmitari Safet Gashi do të vazhdojë edhe nesër dëshminë e tij në gjykimin ndaj Pjetër Shalës

Aktuale

Dëshmitari Safet Gashi do të vazhdojë edhe nesër dëshminë e tij në gjykimin ndaj Pjetër Shalës

Më: 9 janar 2024 Në ora: 06:45 Përditësuar në ora: 20:25 më 09.01.2024
Safet Gashi

Dëshmitari Safet Gashi do të vazhdojë edhe nesër dëshminë e tij në gjykimin ndaj Pjetër Shalës

Dëshmitari Safet Gashi do të vazhdojë dëshminë e tij edhe gjatë ditës së nesërme në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, përkatësisht në çështjen gjyqësore ndaj Pjetër Shalës.

Gjatë pjesës së dytë të seancës së sotme, dëshmitari Gashi është marrë në pyetje nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, e përfaqësuar nga prokurorja Gaia Pergolo.

I pyetur se a ka njohur ndonjë person me emrin Salih Saramati, dëshmitari tha se ishte kushëriri i komandantit të tij.

“Kushëri i komandantit tim është Salih Saramati. Kurse komandanti im është Ruzhdi Saramati. Është vra nga forcat serbe në Gorozhup”, tha dëshmitari.

Ndërsa, për Mark Shalën, dëshmitari tha se nuk e ka parë kurrë në jetë.

Ndërsa, prokurorja Pegolo i tregoi dëshmitarit deklarata që Mark Shala i kishte dhënë kohë më parë në këtë çështje gjyqësore lidhur me Salih Saramatin

“Mark Shala ishte anëtar i UÇK-së, merrej me logjistikë gjatë luftës, dhe në këtë gjykim ka dëshmuar si dëshmitar i mbrojtjes. Ai ka deklaruar se ai vërtetë ishte një kushëri i Ruzhdi Saramatit siç e thatë edhe ju, komandant i brigadës 128 dhe është vra në gjatë betejës së Gorozhupit…Mark Shala ka dëshmuar se pas vdekjes së Salih Saramatit, kufomën e tij e dërguan në Kukës dhe u zhvillua një ceremoni mortore për atë dhe për ushtarët e tjerë në varrezat e Kukësit…Mark Shala konfirmoi se ishte një ngjarje e madhe. Ju po thoni që nuk keni dëgjuar kurrë për këto”, tha prokurorja Pergolo.

Ndërsa, dëshmitari tha se e dinë që Salih Saramati është vrarë dhe se i kanë transferuar diku, gjë kjo për të cilën sipas tij nuk ka njohuri.

“Thash që me u vra është vra, datën e saktë nuk e mbajë mend. Thash se i kanë transferu dika dhe nuk e di se ka. Nëse u vra një ushtar apo një komandant ne nuk kemi mundur me shku se dikush është dashur me qendru… unë për vete nuk kam shku”, tha dëshmitari Gashi.

I pyetur për një person me emrin Hydajet Gashi, dëshmitari tha se ka qenë ushtar nga qyteti i Prizrenit.

“Po, është ushtar i Prizrenit ose qytetit tim. Me mua nuk u kanë (në njësi)”, tha dëshmitari.

Ai pohoi se gjatë kohës së luftës është takuar me këtë person.

“Gjatë luftimeve jo, por nuk ka pas atë ditë luftime e jam taku në Gorozhup. Afër Goruzhupit, afër Shqipërisë me një fshat”, tha dëshmitari Gashi.

I pyetur për kohën e kaluar në Kukës, dëshmitari tha se aty e ka marrë vetëm uniformën pastaj e kanë dërguar në një vend në afërsi të Kukësit.

“Nuk jam kyç, veç kam marrë aty uniformen dhe me kanë qu në Kolsh apo Kalimash nuk me kujtohet ky vend. Atje kam nejtë përafërsisht 5 apo 6 ditë”, tha dëshmitari Gashi.

Safet Gashi tha se gjatë kësaj kohe i ka dhënë edhe të dhënat e tij personale. Sipas tij, të dhënat e tij personale i ka marrë Ruzhdi Saramati.

“Shtabit të përgjithshëm, Ruzhdi Saramatit”, tha dëshmitari Gashi duke theksuar se këto të dhëna i dha në një shtëpi të vogël njëkatëshe e cila iu kujtohet se ka qenë me ngjyrë të verdhë.  Ai tha se kjo shtëpi ka qenë afërsisht 3 kilometra larg qytetit të Kukësit.

I pyetur se kush ishte në atë vend përveç Ruzhdi Saramatit, dëshmitari tha se për komandant nuk e ka njohur dikë tjetër.

“Për tjetër komandant nuk kam njoftë kërkan”, tha Gashi.

Ndërsa, në kohën kur ka luftuar në Goruzhup, dëshmitari tha se togu ku ai ishte pjesë udhëhiqej nga Valbon Çollaku për të cilin ai tha se nuk e di se nga i merrte urdhrat.

Kujtojmë se me fillimin e pjesës së dytë të seancës gjyqësore, kryetarja e trupit gjykues, Mappie Veldt-Foglia mori dy urdhra me anë të së cilëve lejoi ZPS-në që të përdorë disa materiale gjatë marrjes në pyetje të dëshmitarit Safet Gashi.

Ndërsa, para pushimit të drekës, ka përfunduar pyetjet për dëshmitarin mbrojtja e Pjetër Shalës  cili pjesën më ta madhe të pyetjeve i parashtroi në sesion privat për publikun

Gashi thotë se UÇK-ja s’ka pasur të bëjë asnjëherë me civilë

Dëshmitari Safet Gashi, i cili po dëshmon në gjykimin ndaj Pjetër Shalës në Hagë, tha se nuk e di që UÇK-ja ka arrestuar apo ndaluar dikë. Ai tha se sa iu kujtohet, UÇK-ja nuk ka pasur të bëjë asnjëherë me civilë.

“Sa më kujtohet mua, kurrë nuk ka të bëjë me civilë Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Sa e di, kurrë me civilë nuk ka pas të bëjë”, tha Gashi.

Ish-pjesëtari i UÇK-së tha se ata janë merrë vetëm me ushtarë serbë me uniformë, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“S’kemi pas të bëjmë me civilë kurrgjë, pos me ushtarë serbë në uniformë. Civilë as serbë nuk kemi arrrestu, le më civilë shqiptarë”, shtoi ai.

Pas kësaj, me kërkesën e mbrojtjes së Pjetër Shalës, seanca kaloi në sesion privat për publikun.

Ish-pjesëtari i UÇK-së thotë se nuk e ka njohur dhe as s’e ka parë Pjetër Shalën gjatë luftës

Ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Safet Gashi, i cili po dëshmon të martën në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, tha se nuk e ka njohur Pjetër Shalën gjatë kohës së luftës.

Dëshmitari Gashi tha se Shalën nuk e ka parë ndonjëherë gjatë asaj kohe, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Kurrë në jetë nuk e kam njoftë atë njeri. As që e kam pa ndonjëherë. Kurrë pa atë njeri s’e kam. Ju betohem”, tha Gashi.

I pyetur se a kishte parë ndonjë uzinë të Fabrikës në Kukës, dëshmitari mohoi një gjë të tillë dhe tha se nuk kishte informacion nëse kishte ndonjë Shtab tjetër të UÇK-së në këtë qytet.

Dëshmitari tha se nuk i kujtohet se kur i është bashkuar UÇK-së, mirëpo një gjë të tillë e ka bërë për të luftuar kundër forcave serbe.

Safet Gashi tha se ka qenë pjesë e Brigadës 128, e cila e ka pas bazën në Guruzhup, ndërsa shtoi se komandant i përgjithshëm i kësaj Brigade ka qenë Ruzhdi Sermati, të cilin e ka parë vetëm 2-3 herë.

Dëshmitari Gashi tha se ka qenë në togun e njësisë speciale në kohën sa ishte pjesëtar i Brigadës 128.

“Unë po flas për Brigadën teme. Brigada është 128. Unë për vete jam kanë e i kam kry ushtrimet në Goruzhup. (Pjesëtarët e Brigadës) kanë nejtë edhe në vende tjera, por nuk jam në dijeni se ku kanë nejtë. Unë për vete nuk kam lujtë kërkah, aty kam nejtë se ka pas luftime. Unë kam qënë në njësinë speciale. Ne jemi kanë në vijën e parë të frontit. Ky tog merr prej 11 deri në 15 ushtarë”, tha dëshmitari Gashi.

I pyetur se a ka qenë më herët në Kukës gjatë luftës, dëshmitari tha se ka shkuar për armatim.

“Nuk më kujtohet, por mars u kanë ‘99-të viti. Kam shku me 4-5 shokë për me marrë armatim. Kjo është edhe pyetja më herët që thash jam kanë në Shqipëri. Veç jemi ndalë pak kemi pushu. Nuk thash që kemi nejtë në Kukës, po kemi shku në Kolsh apo Kalimash, nuk më kujtohen këto dy katune”, tha dëshmitari, duke theksuar që nuk iu kujtohet saktë se në cilin vend në Kukës ka qenë.

Ndryshe, gjatë marrjes në pyetje të këtij dëshmitari nga ana e mbrojtjes së Shalës, përfaqësuesit e ZPS-së thanë se ai po bën pyetje sugjestive. Vërejtjen ia tërhoqi edhe kryetarja e trupit gjykues, MappieVeldt-Foglia.

“Nuk na ndihmon të marrim në pyetje dëshmitarin duke bërë pyetje sugjestive”, i tha kryetarja e panelit gjykues avokatit Jean-Louis Gilissen.

Në seancë private për publikun, Safet Gashi fillon dëshminë në gjykimin ndaj Pjetër Shalës

Në Dhomat e Specializuar të Kosovës (DHSK) në Hagë, ka filluar dëshminë dëshmitari i 10-të i mbrojtjes, Safet Gashi me kodin W4405, në gjykimin ndaj Pjetër Shalës.

Pyetjet për këtë dëshmitar, ka filluar që t’i parashtrojë avokati i Shalës, Jean-Louis Gilissen, me kërkesë të cilit seanca kaloi në sesion privat.

Sipas asaj që tha kryetarja e trupit gjykues, Mappie Veldt-Foglia dëshmitari kishte refuzuar që të kishte kontakt me mbrojtjen e Shalës, për çka prezenca e tij në sallë u mundësua nga DhSK.

Ndryshe në fillim të seancës, Zyra e Prokurorit të Specializuar dhe mbrojtja e viktimave, i bënë parashtrimet e tyre lidhur me kërkesën e mbrojtjes së Shalës për vizitë psikologjike.

Mbrojtja e viktimave dhe ZPS-ja, nuk kundërshtuan që raporti i ekspertes Vanessa Milazzo mbi gjendjen e shëndetit mendor të Shalës të përfshihet në prova nga ana e mbrojtjes.

Gjatë muajit shkurt 2023 ka filluar gjykimi në këtë rast, ku më 21 shkurt Prokuroria dhe mbrojtja e viktimave kanë paraqitur deklaratat e tyre hyrëse, kurse më 22 shkurt janë dëgjuar deklaratat hyrëse të mbrojtjes së Pjetër Shalës, si dhe deklarata pa betim e tij.

Në mars 2023 ka filluar paraqitja e provave të Prokurorisë, ku janë dëgjuar 10 dëshmitarë, kurse në gusht ka filluar paraqitja e provave nga mbrojtësi i viktimave ku janë dëgjuar dy dëshmitarë.

Pjetër Shala u arrestua më 16 mars 2021, nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill 2021, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Në aktakuzën e konfirmuar, Shala ngarkohet me përgjegjësi penale individuale në forma të ndryshme për krime lufte si ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme, të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur në Kosovë dhe në lidhje me këtë konflikt.

“Krimet për të cilat akuzohet z. Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, thuhet në komunikatë. 

Pas pushimit dimëror, sot në Speciale vazhdon gjyqi ndaj Pjetër Shalës

Pas pushimit dimëror në Dhomat e Specializuara të Kosovës sot vazhdon procesi gjyqësor ndaj Pjetër Shalës. Gjatë javës janë paraparë të mbahen katër seanca në rastin `Shala`.

Gjatë pushimit kur nuk janë mbajtur seanca gjyqësore dhe disa nga shërbimet jothelbësore kanë qenë në minimum.

Megjithatë, gjykata ka mbetur plotësisht funksionale dhe puna ka vazhduar në të gjitha seksionet e DHSK-së. Gjatë pushimit kanë mund të paraqiten parashtrime dhe përveç nëse gjykatësit kanë urdhëruar ndryshe, afatet gjyqësore vazhdojnë të jenë në fuqi.

Ndërsa në rastin gjyqësore ‘Hashim Thaçi dhe të tjerët’, seancat do të fillojnë më 15 janar.

Gjatë muajit janar sipas kalendarit të Dhomave të Specializuar, do të jenë në tërësi 16 seanca gjyqësore, në dy rastet gjyqësore Hashim Thaçi dhe të tjerët’ dhe ‘Shala’.

Ndryshe sipas aktakuzës, Pjetër Shala ishte anëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (‘UÇK’) i stacionuar në Kukës, Shqipëri.

Aktakuza kundër Shalës u konfirmua më 12 qershor 2020 dhe versioni i redaktuar u bë publik më 15 prill 2021. Më 18 tetor 2021, gjykatësi i pocedurës paraprake miratoi pjesërisht mocionet e Mbrojtjes dhe urdhëroi ZPS-në që të ndryshojë aktakuzën në mënyrë që të ofrojë nivelin e kërkuar të konkretitetit dhe të qartësisë lidhur me pjesëmarrjen personale të të akuzuarit në incidente. ZPS-ja e dorëzoi aktakuzën e korrigjuar më 1 nëntor 2021. Kjo ishte aktakuza në fuqi në këtë çështje.

Krimet për të cilat akuzohet Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej UÇK-së. Sipas aktakuzës, viktimat e këtyre krimeve ishin të gjithë shtetas të RFJ-së dhe persona të cilët nuk merrnin pjesë aktivisht në luftime.

Shala u arrestua më 16 mars 2021 në Belgjikë dhe u transferua në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës më 15 prill 2021.

Më 19 prill 2021, Shala pati paraqitjen e tij të parë para gjykatësit të procedurës paraprake dhe u vetëdeklarua i pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.

Më 15 dhjetor 2021, gjykatësi i procedurës paraprake miratoi kërkesën e një individi për t’u pranuar si viktimë pjesëmarrëse në procesin gjyqësor. Më 11 gusht 2022, në vendimin e tij të dytë në lidhje me pjesëmarrjen e viktimave, Gjykatësi i Procedurës Paraprake pranoi një person tjetër si viktimë pjesëmarrëse në procesin gjyqësor në këtë çështje. Gjashtë viktima të tjera u pranuan më 19 shtator 2022. Më 9 shkurt, Trupi Gjykues vendosi që procedurat për dëmshpërblim dhe ato penale do të zhvillohen njëkohësisht në këtë çështje dhe se, në rast të shpalljes fajtor, Trupi Gjykues nuk do t’i referojë viktimat për padi civile në gjykatat e Kosovës, në përputhje me nenin 22(9) të Ligjit dhe rregullës 167 të Rregullores, por do të nxjerrë një Urdhër për Dëmshpërblim, në përputhje me nenet 22(8) dhe 44(6) të Ligjit. Në vendimin e vet, të bërë publik më 6 mars 2023, Trupi Gjykues e zgjati afatin për dorëzimin e kërkesave të viktimave për pjesëmarrje në procedura deri në mbylljen e paraqitjes së provave nga ZPS-ja.

Më 28 janar 2022, ZPS-ja e dorëzoi si rreptësisht konfidenciale dhe ex parte dosjen e vet paraprake. Versioni konfidencial i redaktuar i dosjes paraprake të Prokurorisë u dorëzua më 31 janar ndërsa versioni me më pak redaktime (ende konfidencial) u dorëzua më 8 shkurt 2022. Më 14 prill 2023, Zyra e Prokurorit të Specializuar dorëzoi versionin e redaktuar publik të dosjes paraprake të saj. Më 21 prill 2023, u dorëzua versioni i redaktuar publik i dosjes paraprake të Mbrojtjes.

Më 14 prill 2022, Gjykatësi i Procedurës Paraprake, në urdhrin e tij gojor, caktoi 31 gushtin si datë paraprake  për kalimin e dosjes trupit gjykues. Më 20 korrik 2022, Gjykatësi i Procedurës Paraprake caktoi 21 shtatorin 2022 si datë të re paraprake. Më 15 shtator 2022, Gjykatësi i Procedurës Paraprake njoftoi Kryetaren se dosja e çështjes do të jetë gati për t’u kaluar më 21 shtator 2022.

Më 21 shtator 2022, Gjykatësi i Procedurës Paraprake ia kaloi dosjen e çështjes Trupit Gjykues I. Konferenca përgatitore për gjykimin u mbajt brenda periudhës 18-20 tetor 2022.

Gjykimi filloi më 21 shkurt 2023 me deklaratat hyrëse të Prokurorit të Specializuar, të përfaqësuesit të viktimave dhe të Mbrojtjes. Më 6 korrik 2023, ZPS-ja e mbylli çështjen e vet.

Më 21 gusht 2023, Mbrojtësi i Viktimave paraqiti provat. Konferenca Përgatitore e Mbrojtjes u mbajt më 24 dhe 25 gusht 2023. Më 15 shtator 2023, Trupi Gjykues hodhi poshtë mocionin e Mbrojtjes për rrëzimin e akuzës për vrasje të paligjshme  (pika 4), në bazë të rregullës 130 të Rregullores së Procedurës dhe të Provave të DHSK-së. Paraqitja e provave prej Mbrojtjes nisi më 20 shtator 2023.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat