Sfidat e Lulzim Hetemit

Aktuale

Sfidat e Lulzim Hetemit

Më: 9 janar 2024 Në ora: 20:08
Lulzim Hetemi

Kryetari i Leposaviqit, Lulzim Hetemi, pas shtatë muajsh, doli nga komuna në të cilën bëri edhe gjumin. Në një rrëfim ai tregon momentet e hyrjes brenda komunës, sfidat për të qëndruar brenda godinës, dhe bisedën me kryeministrin, Albin Kurti. Intervistën më të gjerë mund ta ndiqni në emisionin Këndi i Debati menjëherë pas edicionit qendror të lajmeve.

Kryetari i Leposaviqit Lulzim Hetemi, pas shtatë muajsh qëndrimi brenda komunës, gjumin po e bënë në shtëpinë e tij.

Hetemi rrëfen momentet e hyrjes brenda komunës me ndihmën e Policisë së Kosovës, tensionet e ngritura nga grupet serbe dhe presionet e vazhdueshme nga pjesëtarët e KFOR-it për t’u larguar nga komuna.

Tash e tri javë, ai thotë se po e vazhdon punën ashtu si çdo kryetar.

“ Si çdo komunë tjetër, në 8 ora arrijë në punë, tash po lëvizi, deri në ora 4 punojmë, edhe ecim në shtëpi. Para 3 muajsh i kemi pru të gjitha zyret , zyret e ministrisë së Punëve të Brendshme, kanë qenë në kontejnera stacioni policorë të Leposaviqit, i kemi pru këtu, janë vendosur, janë dikund 11 punëtorë”, tha kryetari i Komunës së Leposaviqit, Lulzim Hetemi.

Komuna e Leposaviqit, posedon gjashtë drejtori me punonjës shqiptar dhe 7 sosh të komunitetit serb.

“ Fillimi ka qenë i vështirë me tensione me me protesta, të dhunshme rreth 1 muaj e gjysmë nuk kemi pasë mundësi as me lëviz. Ndërkohë na para se me ardh këtu e kemi pas kabinetin e formuar kemi ardhë pas 2 muajsh me kabinetin tim këtu me drejtorët, ku i kemi gjashtë drejtori shqiptar e shtatë të komunitetit serb”, deklaroi kryetari Hetemi.

E kryetarin Hetemi, nuk e smbrapsi as presioni i vazhdueshëm i KFOR-it amerikan, për tu larguar nga komuna e Leposaviqit.

“Kur erdhi dita e Premte, ardhshin edhe më thoshin, krytar për vikend, çfarë do bësh? Po kryetari ka dëshirë për vikend me shku si çdo vend të punës që shkojnë e kthehen, por a ka garanci që të hënën unë kthehem në punë, e jo garancion nuk ka kështu që i kam thënë KFOR-it amerikan që nuk lëvizi derisa vjen një ditë më e mirë dhe ajo ditë falë Zotit erdhi”, u shpreh Hetemi.

Lulzim Hetemi tregon se si e ka gjetur dhomën e gjumit brenda komunës.

“Këtu kish qenë dhoma, e kemi gjet të gatshme përveç do mbulesave që i kemi marrë, këtu kemi qëndruar 7 muaj, ne nuk e kemi improvizuar hiq”.

Të martën, brenda komunës u panë shumë qytetar të cilët po kryenin shërbimet komunale.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat