​Kosova humb miliona euro nga përdorimi i dinarit serb

Aktuale

​Kosova humb miliona euro nga përdorimi i dinarit serb

Më: 11 janar 2024 Në ora: 09:31
Foto ilustrim

Përdorimi i dinarit serb nëpër komuna të ndryshme të Republikës së Kosovës, po i shkakton dëme milionëshe buxhetit të vendit, pasi shitjet që bëhen përmes kësaj valute nuk deklarohen në Administratën Tatimore të Kosovës.

Përveç kësaj, përdorimi dinarit konsiderohet antiligjore dhe antikushtetuese.

Në nenin 11 të Kushtetutës së Kosovës, thuhet se në Republikën e Kosovës si mjet i vlefshëm pagese përdoret një valutë e vetme, ndërsa me Ligjin për Bankën Qendrore të Kosovës(BQK) po ashtu thuhet se sipas kërkesës, Banka Qendrore do të këmbejë kartëmonedhat dhe monedhat e euros.

Janë mbi 50 mijë qytetarë serbë të Kosovës, duke përfshirë këtu edhe pensionistët, të cilët paguhen nga shteti i Serbisë në dinarë, ndërsa punojnë në institucione paralele të shëndetësisë, arsimit dhe kulturës që funksionojnë sipas sistemit të Serbisë.

Sllavica Jankoviq, pensioniste nga veriu i Mitrovicës, thotë për KosovaPress, se në atë pjesë përdoren dinari dhe euro si valuta për blerje nëpër dyqane.

Ajo pranon se pensionin e merr përmes postës në dinarë.

Jankoviq: Këtu përdoren njëra dhe tjetra

“Kush qysh gjendet, këtu përdoren njëra dhe tjetra (dinari dhe euro). Pensionin e marrim në dinarë”, tha ajo.

Edhe Momir Millojeviq, një qytetar tjetër nga veriu i Mitrovicës, ka bërë të ditur se pensionin e merr përmes postës në dinarë.

Millojeviq: Pensionin e marrë në postë

“Në dinarë, pensionin e marrë në postë”,tha ai.

Analisti serb, Branisllav Kërstiq, theksoi se në Kosovë janë rreth 60 mijë qytetarë serbë të cilët marrin paga në dinarë nga buxheti i Serbisë.

Ai konsideron se me formimin e asociacionit, kjo çështje do të zgjidhet, sepse institucionet paralele do të funksionojnë në kuadër të një buxheti të përbashkët, dhe pagat nga Beogradi për serbët e Kosovës, do të ekzekutohen në euro.

Kërstiq: Me formimin e Asociacionit do të kemi një situatë tjetër

“Jo vetëm në katër komunat veriore, dinari përdoret edhe në gjashtë komunat, ku serbët janë shumicë, që do të thotë pagat nga buxheti i shtetit të Serbisë. Kemi shëndetësinë, institucionet e edukimit, kulturore…Ne në Kosovë, kemi rreth 60 mijë njerëz që marrin pagën nga buxheti i shtetit të Serbisë… Me formimin e asociacionit, do të kemi një situatë tjetër. Asociacioni-vetëmenaxhimi do ta zgjidhë cështjen e institucioneve paralele brenda një buxheti të përbashkët, ku pagesat në euro nga Beogradi, do të vijnë në Prishtinë, të cilat pastaj do të ndahen tek qytetarët”, ka thënë Kërstiq.

Ndërkaq, ekonomisti Berat Jashari, vlerëson si shumë të dëmshëm në aspektin ekonomik përdorimin e dinarit në Kosovë.

Kjo dukuri, shtoi ai, po i shkakton humbje miliona euro vendit.

Jashari: Përdorimi i dinarit e keqe shumë e madhe që po i ndodhë Kosovës

“Përdorimi i dinarit në Republikën e Kosovës, është një e keqe shumë e madhe që po i ndodhë tregjeve, bankave, si dhe BQK-së … Humbjet nga përdorimi i tij janë me miliona euro”, tha ai.

Në anën tjetër, njohësi i çështjeve juridike, Musa Damati, e ka quajtur anti-kushtetues dhe ilegal në aspektin ligjor përdorimin e dinarit në Kosovë.

Sipas tij, derisa nuk ekziston ndonjë marrëveshje reciproke bilaterale midis dy shteteve, qarkullimi i dinarit është veprimtari ilegale.

Damati: Çdo mungesë e marrëveshjeve reciproke apo edhe rregullimit juridik të qarkullimit të valutave të huaja, përbën veprimtari ilegale

“Në Republikën e Kosovës, çdo valutë e huaj që qarkullon.. duhet të rregullohet juridikisht nga ana e mekanizmave përkatës, në rastin konkret BQK-së, ose edhe Ministrisë së Financave, duke zbatuar strategji të caktuara të Qeverisë së Kosovës, përmes të cilave rregullohet funksionimi apo edhe sankcionohet funksionimi i një valute të huaj. Deri tani nuk është se kemi parë ndonjë marrëveshje bilaterale në mes të dy shteteve për qarkullimin e dinarit në territorin e Kosovës dhe çdo mungesë e marrëveshjeve reciproke apo edhe rregullimit juridik të fushëveprimtarisë të qarkullimit të valutave të huaja në territorin e Kosovës, patjetër se përbën veprimtari ilegale, e cila nga mekanizmat përkatës financiar duhet të sankcionohet” , u shpreh avokati Damati.

KosovaPress-i ka kërkuar përgjigje rreth kësaj çështje në adresë të BQK-së, mirëpo zyrtarë nga ky institucion financiar nuk janë përgjigjur. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat