Kurti i kërkon kryeministrit irlandez mbështetjen për statusin kandidat në BE

Aktuale

Kurti i kërkon kryeministrit irlandez mbështetjen për statusin kandidat në BE

Më: 11 janar 2024 Në ora: 11:26
Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka kërkuar homologut të tij irlandez Leo Varadkar mbështetje për statusin kandidat në Bashkimin Evropian, ndërsa ka falënderuar Irlandën për mbështetjen që i ka dhënë Kosovës.

Kurti ka thënë se Kosova dhe Irlanda kanë ngjashmëri të mëdha mes vete dhe se të dyja shtetet kanë aspirata të njëjta.

Në konferencën e përbashkët me kryeministrin irlandez, Leo Varadkar, Kurti deklaroi se Kosova e ka si frymëzim zhvillimin e shtetit të Irlandës.

“Në një kohë kur demokracia rrezikohet, Irlanda është një shembull nga vendet që luftojnë për t’i mbrojtur ato ideale. Zhvillimi ekonomik dhe progresi social e ka bërë Irlandën frymëzim i shumë shteteve. Irlanda është frymëzuese për ne sepse me ta kemi ngjashmëri që i ndajmë, si nga pikëpamja shoqërore, shquhemi për mikpritjen pavarësisht vështirësive. Te dy vendet kanë miqësi me SHBA-të. Te dy vendet tona janë të orientuara ka rritja thelbësorë dhe progresi social. Irlanda është mbështetëse e Kosovës si në Këshill të Evropës, si dhe për anëtarësim në BE për çka kërkuam mbështetjen për statusin kandidat. Shteti dhe populli jonë janë gjithnjë falënderues dhe mirënjohës. Takimi i sotëm ishte një rast shumë i mirë për marrëdhënie dy paleshe”, u shpreh Kurti.

Shefi i Qeverisë ka thënë se presin që në të ardhmen të thellojnë miqësinë me Irlandën.

“Ne presim që të thellojmë miqësinë mes dy vendeve tona dhe të mësojmë më shumë nga përvojat e sukseset e Irlandës. Irlanda është mbështetëse e Këshillit të Evropës dhe në anëtarësimin tonë në BE, për çka kërkuam mbështetje për statusin kandidat. Irlanda poashtu ka dhënë kontribut të hershëm që e vazhdon edhe sot përmes misionit të KFOR-it. Populli i Kosovës është gjithnjë falënderues”, ka deklaruar Kurti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat