“Lojë qesharake”, kryediplomati i Shqipërisë viziton Kosovën, ka një mesazh për Serbinë: Nuk i çohen më fqinjit ushtri tek kufiri

Aktuale

“Lojë qesharake”, kryediplomati i Shqipërisë viziton Kosovën, ka një mesazh për Serbinë: Nuk i çohen më fqinjit ushtri tek kufiri

Më: 16 janar 2024 Në ora: 06:38 Përditësuar në ora: 11:58 më 16.01.2024
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë, Igli Hasani dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, Donika Gërvalla.

Konjufca takon Igli Hasanin

Pas takimit me homologen e tij nga Kosova dhe Presidenten Osmani kryediplomati shqiptar, Igli Hasani është pritur në takim nga Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjofca.

Nga ky takim, mediet janë lejuar të marrin vetëm pamje para takimit.

Ndërsa nuk është paralajmëruar ndonjë konferencë për media.

Detaje tjera nuk u japen.

Osmani pret në takim kryediplomatin shqiptar

Pas takimit me homologen e tij nga Kosova, kryediplomati shqiptar, Igli Hasani është pritur në takim nga presidentja Vjosa Osmani.

Vizita e Hasanit në Kosovë po bëhet në kuadër të një turi treditor në shtetet e përreth.

Me ç’rast sot dhe nesër do ta vizitojë Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi.

Kujtojmë që pas Kosovës, Hasani tha se do të shkojë në vizita zyrtare edhe në Maqedoninë e Veriut dhe më pas Malin e Zi.

Kryediplomati shqiptar-Serbisë: Nuk i çohen më fqinjit ushtri tek kufiri, s’duhet vazhduar me këtë lojë qesharake

Ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Igli Hasani, në një konferencë për media nga Prishtina është pyetur nëse vizita e tij ndërlidhet me shqetësimet e fundit të ngritura nga Kosova për sulme të mundshme nga Serbia.

Hasani ka thënë se Shqipëria është një shtet aleat i përjetshëm dhe i padiskutueshëm i Kosovës dhe se në çdo rast, në të mirë e në të keq do të jetë afër Kosovës dhe afër shqiptarëve të Kosovës.

“Kosova ka një aleatë të përjetshëm të padiskutueshëm që është Shqipëria. Në çdo rast e çdo moment, në të mirë e në të keqe, Shqipëria do të jetë këtu pranë Prishtinës dhe pranë shqiptarëve të Kosovës”, ka thënë Hasan.

Ai tutje ka thënë se Shqipëria i ndjek me vëmendje zhvillimet në rajon dhe gjithashtu edhe në kufijtë e Republikës së Kosovës.

Hasani ka thënë se Shqipëria iu bën thirrje të gjithë faktorëve që jetojnë në shekullin 21, që nuk i çohen më ushtri fqinjit të kufiri dhe se askush s’duhet të vazhdojë një lojë të tillë, që Hasani thotë se është qesharake.

Ai në fund ka thënë se garancia e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës është NATO dhe se Shqipëria është pjesë e Aleancës Veri-Atlantike.

“Ne i ndjekim me vëmendje zhvillimet në rajon, dhe në kufijtë e Republikës së Kosovës. Bëjmë thirrje gjithë aktorëve dhe faktorëve që jetojnë në shekullin 21, nuk i cohën ushtri fqinjit më te kufiri, dhe askush s’duhet të vazhdojë më këtë lojën sepse është qesharake. Sepse të gjithë jemi qartë se garancia më e madhe për sovranitetin dhe integritetin e Kosovës është NATO ku edhe Shqipëria është pjesë”, ka thënë Hasani.

Kryediplomati shqiptar: Autorët e sulmit në Banjskë të dalin para drejtësisë, e domosdoshme për parandalimin e përshkallëzimit

Kryediplomati shqiptar, Igli Hasani, sot në një konferencë të përbashkët për media me kryediplomaten Donika Gërvalla, tha se siguria dhe stabiliteti i rajonit është më i kërcënuar se kurrë më parë.

Ai tha se autorët, organizatorët dhe nxitësit e sulmit terrorist në Banjskë më 24 shtator duhet të mbajnë përgjegjësi dhe të dalin para drejtësisë sa më parë, duke shtuar se kjo është domosdoshmëri për të parandaluar një përshkallëzim të mëtejmë.

“Rajoni është duke kaluar një moment delikat, që pavarësisht progresit, siguria dhe stabiliteti janë më të kërcënuara sesa në çdo moment tjetër gjatë dekadës së fundit. Ne kemi dënuar ashpër sulmin e dhunshëm, të orkestruar dhe të armatosur kundër Policisë së Kosovës në veri të vendit. Ky sulm ishte një akt kriminal dhe i rrezikshëm terrorist kundër stabilitetit, integritetit, pavarësisë ligjit dhe rendit të Kosovës. Sulmi ishte një kërcënim i rëndë për sigurinë e stabilitetit e të gjithë rajonit tonë me pasoja të drejtpërdrejta për Europën tonë të përbashkët. Autorët, organizatorët dhe nxitësit e këtij akti duhet të mbajnë përgjegjësi dhe të dalin para drejtësisë sa më parë. Kjo është e domosdoshme për të mos lejuar një përshkallëzim të mëtejshëm të situatës me pasoja ndoshta të pakthyeshme. Prandaj, tani më shumë se kurrë është e nevojshme që të gjithë ato vende, ato forca që besojnë te pasja e stabiliteti, te bashkëpunimi e integrimi euroatlantik të punojnë se bashku për të ardhmen e rajonit tonë dhe të mirën e qytetarëve tonë”.

Ministri Hasani tha se shqiptarët duhet të luajnë një rol të dorës së parë në këtë përpjekje për të ardhmen e përbashkët dhe shtoi se “padyshim Kosova e Serbia duhet të jenë në zemër të kësaj përpjekjes – dy vende e një popull që më shumë se kushdo tjetër e mbështesin perspektivën euroatlantike të Ballkanit Perëndimor”.

Pas Kosovës, Hasani tha se do të shkojë në vizita zyrtare edhe në Maqedoninë e Veriut dhe më pas Malin e Zi.

“Është një tur që ka për qëllim ndarjen e ideve dhe mendimeve mbi punën që duhet të bëjmë së bashku për të mirën e rajonit dhe qytetarëve tonë”.

Ai tha se është kënaqësi për të që ndodhen në Prishtinë në vizitën e tij të parë në Kosovë.

“E falënderoj kolegen, motrën time, Donika Gërvallën, për mikpritjen, por edhe diskutimet e hapura”.

Kryediplomati i Shqipërisë viziton Kosovën

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë, Igli Hasani sot të do të vazhdojë takimet në Kosovë.

Kryediplomati shqiptar do të pritet nga zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, Donika Gërvalla.

Takimi mes Ministres Gërvalla dhe Ministrit Hasani do të zhvillohet në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, ndërsa pas takimit bilateraly dy homologët do të deklarohen për media.

Sipas agjendës Hasani do të ketë takim edhe presidenten Vjosa Osmani, kryetarin e Kuvendit Glauk Konjucfa, zv.kryeministrin Besnik Bislimi dhe përfaqësues të partive politike.

Ndryshe Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Igli Hasani, pas vizitës në Kosovë do të vizitojë edhe Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi.

Vizita synon të bëjë më përmbajtjesor, thellojë dhe konkretizojë më tej bashkëpunimin mes vendeve, si edhe zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve të mira fqinjësore. Vizitat do të fokusohen në marrëdhëniet dypalëshe, çështjet e sigurisë dhe të ardhmen e rajonit në Bashkimin Evropian.

Ministri Hasani do të pritet të mërkurën në Shkup, nga ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, kryeministri Dimitar Kovachevski dhe zëvendëskryeministrat Artan Grubi dhe Bojan Marichic. Ministri Hasani do të zhvillojë takime edhe me liderët e partive politike shqiptare.

Ndërsa në Mal të Zi, ditën e enjte, ministri Hasani do të takohet në Podgoricë me homologun Filip Ivanovic, Presidentin Jakov Milatoviç, Zv/Kryeministrin, Nik Gjeloshaj dhe Këshillin Kombëtar të Shqiptarëve dhe Kryetarët e partive politike shqiptare të Malit të Zi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat