Rizvanolli-opozitës: Me rezoluta koti s’ulet çmimi i energjisë, po doni me i mashtru qytetarët

Aktuale

Rizvanolli-opozitës: Me rezoluta koti s’ulet çmimi i energjisë, po doni me i mashtru qytetarët

Më: 18 janar 2024 Në ora: 12:45
Artane Rizvanolli

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, e ka quajtur rezolutë koti, Rezolutën e PDK’së për anulimin e vendimit për shtrenjtimin e energjisë dhe heqjen e bllok tarifës.

Ajo tha se me këto metoda nuk mund të ulet çmimi i energjisë dhe se opozita po tenton t’i mashtrojë qytetarët.

“Sikur të ishit të interesuar vërtetë të diskutonit në nivel profesional për çështje të rregullimit dhe nga kanë ardhur kostot dhe si janë shpërndarë kostot, ju do ta ftonit ZRRE’në dhe do të bisedonit në nivel profesional për këto çështje. Mirëpo, ju nuk e keni këtë interesim, ju me rezoluta koti populliste, me metoda të cilat nuk ulet çmimi i energjisë, doni me i mashtru qytetarët që mundeni me ul çmimin e energjisë elektrike”, deklaroi Ministrja.

Duke folur për propozimin e PDK’së për heqjen e bllok tarifës, Rizvanolli tha se me heqjen e bllok tarifës do të uleshin faturat për 4 mijë e 700 shtëpi, por se do të rriteshin faturat për shumicën e qytetarëve.

“Heqja e bllok tarifës do të thotë ulje e faturave për 4 mijë e 700 shtëpi që shpenzojnë shumë, por do të thotë rritje e faturës për shumicën dërrmuese të qytetarëve. Kjo është diçka që e kemi parë, e kemi provuar gjatë qeverisjes tuaj”, tha ajo.

Ajo tha se kjo është vërtetuar në vitin 2017, gjatë qeverisjes LDK-PDK.

“Në vitin 2017 kur LDK dhe PDK me insistim dhe ndërhyrje politike, kanë ndërhyrë në ZRRE për ta hequr bllok tarifën, 80 përqind e familjeve kanë pasur rritje të konsumit të energjisë, ndërsa 20 pëqindëshi që kanë shpenzuar më shumë, vetëm ata kanë pasur ulje. Kjo është çfarë do të ndodhte, këto janë shifrat Pikërisht është kjo heqje e bllokut që na ka sjellë deri te eskplodimi i kërkesës për energji në masa jonormale, pa nxitje të eficiencës”, tha Rizvanolli.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat