Serbia akuzon shqiptarët për plaçkitjen e shtëpive të serbëve të kthyer – policia e prokuroria mohojnë rastet

Aktuale

Serbia akuzon shqiptarët për plaçkitjen e shtëpive të serbëve të kthyer – policia e prokuroria mohojnë rastet

Më: 18 janar 2024 Në ora: 16:34
Foto ilustrim

Më datën 17 janar rreth orës 15:05 në fshatin Lubozhdë të Istogut, Policia e Kosovës është informuar për thyerjen e dy shtëpive.

Shtëpitë raportohet të jenë të serbëve të kthyer.

Rastin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Pejës, Fadil Gashi.

Megjithatë, Gashi ka thënë se njësitë kompetente kanë dalë në vendngjarje dhe së bashku me mbikëqyrësin e shtëpive, kanë parë që vetëm dritaret e shtëpisë kanë qenë të hapura pa forcë, dhe nuk ka munguar asgjë në shtëpi.

Ndërkaq, për rastin është informuar edhe prokuroria. Shkodran Nikçi, zyrtari për informim i Prokurorisë së Pejës, ka thënë se dëmtimet e këtyre shtëpive nuk janë shkaktuar nga faktori njeri.

“Policia e Kosovës ka njoftuar prokurorin për rastin në fjalë. Nuk janë parë dëmtime të mëdha ose që janë shkaktuar nga faktori njeri”, deklaroi Nikçi për Klankosova.tv.

Tutje, ai konfirmoi se pronarët e këtyre shtëpive nuk gjenden në Kosovë. “Prokurori ka njoftuar policinë që fillimisht të intervistojnë palët e dëmtuara pasi që asnjëra palë nuk gjendet brenda territorit të Kosovës. Nëse del ndonjë informatë shtesë, atëherë do të shkojë deri te identifikimi i dëmit”, ka thënë Nikçi.

Në ndërkohë, në lidhje me këtë rast dhe raste tjera, ka reaguar Zyra për Kosovën në qeverinë e Serbisë.

Ata kanë akuzuar në mënyrë të pabazë se “ekstremistët shqiptarë” i kanë kryer këto akte me qëllim frikësimin dhe dëbimin e serbëve nga Kosova.

“Sulmet e tilla të shpeshta ndaj popullit paqësor serb që thjesht duan të jetojnë në shtëpitë e tyre, veçanërisht ndaj të kthyerve tanë që janë kategoria më e ndjeshme e popullatës, është një mesazh më se i qartë nga ekstremistët shqiptarë se ata nuk duan të ndërtojnë një bashkëjetesë paqësore dhe se po bëjnë gjithçka për të trembur dhe dëbuar serbët”, ka thënë kjo Zyrë.

Kjo zyrë thotë se që nga fillimi i këtij viti, në Kosovë janë thyer edhe tri shtëpi tjera “të serbëve të kthyer”.

Zyra e drejtuar nga Petar Petkoviqi, thotë se politikanët e Kosovës nuk po i dënojnë këto raste, por përkundrazi, “në deklaratat e tyre i vënë në cak serbët dhe në këtë mënyrë gjenerojnë dhunë në terren dhe çdo lëvizje e tyre shërben për të bërë jetën dhe mbijetesën e serbëve në Kosovë të pamundur”.

Zyra e Petkoviqit ka reaguar edhe për një rast tjetër që ka ndodhur në Plemetin të Obiliqit, rast për të cilin Serbia e drejton gishtin nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

“Kjo praktikë e frikësimit të serbëve ka qenë veçanërisht dominuese që nga ardhja e Kurtit në pushtet, pasi kemi regjistruar incidente të shumta, të cilat synojnë të kërcënojnë mbijetesën e popullit serb në” në Kosovë.

Zëdhënësi i policisë për Rajonin e Prishtinës, Agron Borovci, ka konfirmuar për Klankosova.tv se ka ndodhur një vjedhje e bombolave të mbushura me oksigjen dhe acetilen bashkë me gypat përcjellës.

Vjedhja e këtyre mjeteve ka ndodhur në një punëtori saldimi.

“Më datë 15.01.2024, ankuesi ka denoncuar në stacionin policor në Obiliq, një rast të vjedhjes së dy bombolave të mbushura me oksigjen dhe acetilen bashkë me gypat përcjellës, të ndodhur në fshatin Plemetin të komunës së Obiliqit. Këto pajisje janë vjedhur nga punëtoria të cilat i njëjti i ka përdorur si mjete pune prej salduesi. Me autorizimin e prokurorit të shtetit, policia ka iniciuar një hetim në drejtim të veprës penale ‘Vjedhja e Rëndë’ me qëllim zbardhjen e rastit”, tha Borovci, teksa theksoi se raste të tjera të tilla në atë zonë në harkun e njëjtë kohor nuk janë raportuar. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat