Vjosa Osmani takohet me komandantin e KFOR-it, ja çka biseduan

Aktuale

Vjosa Osmani takohet me komandantin e KFOR-it, ja çka biseduan

Më: 18 janar 2024 Në ora: 17:55
Vjosa Osmani dhe Özkan Ulutaş

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, sot ka takuar komandantin e KFOR-it, gjeneralmajor Özkan Ulutaş, me të cilin diskutoi për situatën e sigurisë në vend.

Ajo falënderoi KFOR-in për rritjen e prezencës në veri pas sulmit të 24 shtatorit në Banjskë.

“Në veçanti, ajo shprehu mirënjohje për KFOR-in, i cili ka shtuar numrin e trupave të cilat po mbështesin institucionet e Kosovës në patrullim të kufirit me Serbinë, në veçanti pas aktit të agresionit të Serbisë të 24 shtatorit”, thuhet në komunikatë.

Osmani ka thënë se bashkë me aleatët do të ndalin çdo përpjekje për sulm nga Serbia.

“Presidentja shprehu besimin e plotë se institucionet e Kosovës, në bashkëpunim me forcat aleate, do të frenojnë çdo sulm të mundshëm të Serbisë, duke ruajtur kështu paqen e stabilitetin në vend dhe në rajon”, thuhet në komunikatën e Presidencës.

Presidentja Osmani në takim me komandantin Ulutaş, ka potencuar rëndësinë e vazhdimësisë së koordinimit në mes të KFOR-it dhe partnerit të saj primar të sigurisë, Policisë së Kosovës, si dhe koordinimit me të gjitha institucionet e sigurisë në Kosovë, në të mirë të stabilitetit e sigurisë për të gjithë qytetarët e Kosovës, pavarësisht etnisë.

Presidentja po ashtu u informua rreth gjendjes së ushtarëve të forcës shumëkombëshe të lënduar në veri të Kosovës në maj.

“Bandat kriminale serbe të cilat sulmuan NATO-n fatkeqësisht akoma janë të lira dhe se pandëshkueshmëria ndaj atyre që kanë sulmuar KFOR-in në maj, është mesazh i keq dhe është inkurajim për Serbinë që të sulmojë prapë”, thuhet tutje në komunikatë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat