13 minatorët e lënduar, Kërleshi: Drejtori nuk dha urdhrin që të reagojë ekipi i shpëtimit

Aktuale

13 minatorët e lënduar, Kërleshi: Drejtori nuk dha urdhrin që të reagojë ekipi i shpëtimit

Më: 18 janar 2024 Në ora: 22:26
Dastan Kërleshi

13 minatorë janë lënduar dje në minierën e “Trepçës”, pasi që të njëjtëve iu ka rënë acidi sulfurik në trup.

Lidhur me këtë, nënkryetari i Sindikatës së Minierës së “Trepçës”, Dastan Kërleshi, thotë se brenda minierës në momentin që ka ndodhur incidenti është dashur të ndërhyjë ekipi i shpëtimit, por që sipas tij të njëjtit nuk janë ftuar nga drejtori që thotë se është përgjegjës për të alarmuar në këto situata.

“Në minierën e ‘Trepçës’ ekziston ekipi i shpëtimit që ne e thërrasim ‘Çeta e Shpëtimit’, ku në atë rast nuk është reaguar, pra nuk është ftuar që të reagojë për të cilin e ka pasur për detyrë sipas informatave vetë drejtori që ta angazhojë këtë ekip të shpëtimit në atë rast edhe për atë arsye është shkaktuar sipas informatave”, tha ai.

Sipas informatave të tij, drejtori është dashur që ta angazhojë ekipin e shpëtimit, por që thotë se një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

“’Çeta e Shpëtimit’ e ka këtë detyrë automatikisht këtë detyrë si të lajmërohet të jepet alarmi për me u mbledhë sa më shpejtë që është e mundshme. Ata kryesisht janë të përzgjedhur në rrethin sa më të afërt të minierës për shkak të kenë reagim më të shpejtë. Sipas informatave nuk është thirr d.m.th… drejtori është dashur ta jap këtë alarm dhe ta ftojë ekipin e shpëtimit që të intervenojë, të ju jepet ndihma e parë minatorëve të cilët janë lënduar dhe të cilët kanë pritur ndihmën nga ta”, shtoi ai.

Ai ka thënë se nuk e dinë arsyen se pse drejtori nuk ka dhënë urdhrin që të reagojë ekipi i shpëtimit.

Lidhur me incidentin, drejtori i deritanishëm i minierës së Trepçës, Bahri Karaça e ka konfirmuar se është shkarkuar nga pozita e drejtorit.

Ai ka thënë se nuk i di arsyet e këtij vendimi, duke shtuar se në e-mailin që i ka ardhur vetëm i është thënë se “Je i liruar nga detyra”.

Karaça ka thënë se për incidentin në minierë pas rrjedhjes së acidit përgjegjësia është hierarkike dhe se para tij janë përgjegjës dy persona.

“Përgjegjës direkt për incidentin ne minierë jemi në hierarki, ku se pari vije drejtori i elektromakinerise -Sami Uka i cili ka qene organizator i bartjes se acidit, drejtori teknik- Bujar Jashari e pastaj unë. Se përse ka ardhur direkt shkarkimi im, pas asnjë vërejtje apo arsye, duke mos qenë as përgjegjës i parë për incidentin, nuk kam asnjë lloj informate”, ka thënë ai.

Incidenti ka ndodhur në horizontin e njëmbëdhjetë të Minierës së Stantërgut në Mitrovicë të Jugut, ku është rrëzuar dhe çarë një bidon plastik me 1000 litra të acidit klorhidri, që qëllim përmes tij kanë pasur pastrimin e gypave.

Ndërkohë, dy nga 13 të lënduarit janë duke u trajtuar ende në Spitalin Rajonal të Mitrovicës dhe pritet që gjatë javës të lirohen.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat