​Heqja e vizave, shtohet numri i linjave ndërkombëtare me autobus drejt Evropës

Aktuale

​Heqja e vizave, shtohet numri i linjave ndërkombëtare me autobus drejt Evropës

Më: 19 janar 2024 Në ora: 18:10
Foto ilustrim

Numri i udhëtarëve që shkojnë në zonën Schengen çdo ditë është në rritje. Për rreth gati një muaj nga liberalizimit i vizave, qytetarët përveç udhëtimeve me aeroplan dhe automjete, po zgjedhin edhe linjat me autobus për vizita turistike dhe punë. Qytetarët shprehen se biletat me autobus janë më të lira dhe ka linja të mjaftueshme.

Po ashtu, nga agjencitë turistike është konfirmuar një gjë e tillë. Agjencitë me të cilat frekuentojnë udhëtarë drejt zonës Schengen, kanë treguar se për dy javë biletat e rezervuara nga udhëtarët kanë qenë kryesisht për qëllime turistike.

Zëdhënësja e stacionit të autobusëve në Prishtinë, Shqipe Durmishi, thotë se oraret e mëngjesit dhe mesditës janë më të mbushura me linja të autobusëve drejt vendeve të Bashkimit Evropian.

Ajo në një intervistë për KosovaPress thotë se ka shënuar rritje numri i linjave ndërkombëtare me autobusë që pas hyrjes në fuqi të heqjes së regjimit të vizave për qytetarët e Kosovës në fillim të muajit janar, por se ata nuk posedojnë numër të saktë të linjave dhe udhëtarëve që shkojnë drejt BE-së.

Durmishi: Numri i linjave ndërkombëtare ka shënuar rritje në fillim të janarit

“Stacioni i autobusëve ofron shërbime për linja ndërkombëtare dhe ndër- urbane. Kohëve të fundit linjat ndërkombëtare janë rritur në fillim të janarit, falë festave dhe pushimeve që kemi pasur. Shumica e bashkatdhetarëve tanë, qytetarëve që jetojnë jashtë, kanë qenë në pushime në vendlindje e tyre dhe janë kthyer. Një numër i vogël vërehet për vizita turistike. Kjo ka ndikuar në shtimin e numrit të linjave të mbajtura në stacion. Të gjithë udhëtarët biletat i sigurojnë në agjenci turistike. Nuk kemi ndonjë statistikë në lidhje me numrin që kanë udhëtuar me viza turistike apo udhëtarët që janë kthyer në vendin e tyre të punës ku jetojnë. Ka rastisur që të jetë numri i festave, numri i pushimeve dhe numri i lëvizjes së lirë të qytetarëve, dhe kjo është vërejtur një numër i vogël të linjave të mbajtura, por shtimin e saktë të linjave dhe të udhëtarëve janë transportuesit dhe agjencitë turistike për shkak se ato blihen në agjenci turistike. Stacioni i autobusëve operon në linja ndërkombëtare dhe ndër-urbane në një mesatare 360, 380, 400 linja, varet prej fazës në të cilën realizohet. Kur është koha e pushimeve kemi numër më të madh, janë linjat sezonale”, tha Durmishi.

Agjencitë turistike thonë se qarkullimi i linjave dhe udhëtarëve është në rritje.

Kushtrim Elshani nga një agjenci turistike në Prishtinë thotë për KosovaPress se 30 për qind e vizitave janë turistike dhe pa viza, dhe se ka linja dhe orare të mjaftueshme për të përmbushur nevojat e të gjithë udhëtarëve.

Elshani: 30% e udhëtarëve janë për vizita turistike pa viza

“Agjencioni ka qarkullim më shumë, ka nisje më shumë, edhe pa viza janë 30% më shumë. Interesimi më së shumti është për territorin e Gjermanisë. Në Dortmund, Hamburg dhe Bremen, këto janë pikat kyçe që i frekuentojmë dy herë në ditë. Linja ka për çdo ditë, varet ditëve të shtunave më së shumti me autobus. Ditëve të tjera, çdo ditë paradite, në mesditë, rreth orës 17:00 të ditës. Numri i udhëtarëve (është) diku 70 persona në autobus, varet tash. Problem nuk kemi. Udhëtimi është i mirë, nuk ka ndalesa. Sigurimet duhet pasur secili person që udhëton. Ka edhe me viza pune dhe pa viza që udhëtojnë. Kushdo që e pyet thotë se (është për) vizitë”, tha Elshani.

Qytetari, Ismet Hasani, i cili po udhëtonte drejt Gjermanisë, thotë se ka zgjedhur të udhëtojë me autobus për shkak se biletat kushtojnë më lirë.

Hasani: Biletat me autobus kushtojnë më lirë

“Këtu në Kosovë. Jetoj në Mitrovicë. Jam duke shkuar në Gjermani. Jam duke shkuar me autobus. Kam ardhur me veturë. Veturën e kam lënë këtu, pasi që po shkoj me autobus. Kam zgjedhur autobusin pasi biletat me aeroplanë janë më të shtrenjta. Ma merr mendja 24 orë udhëtim. (Varet) sipas kolonës në pikat kufitare. Bileta ka kushtuar 80 euro një udhëtim, kthyese 140 euro deri në Shtutgart”, u shpreh Hasani.

Edhe Adelina Mehani tregon se përdor autobusin si mjet udhëtimi për të shkuar drejt vendeve të BE-së.

Mehani: Po shkoj me autobus në Dortmund, do të qëndroj dy muaj

“Jam nga Lipjani. Jam duke shkuar në Gjermani, në Dortmund. E kemi kunatin atje. Do të qëndrojmë dy muaj dhe po shkojmë me autobus,” shtoi Mehana.

Po ashtu, Remzi Ahmeti, i cili po përshëndetej me djalin e tij i cili po udhëtonte drejt Gjermanisë, thotë se interesimi për të vizituar vendet e BE-së ka shënuar rritje dhe një gjë e tillë mund të shihet edhe në stacionin e autobusëve në Prishtinë.

Ahmeti: Djali po udhëton drejt Gjermanisë, autobusët janë plot udhëtarë

“Jam nga Rufci, Lipjan. Jam duke e përcjell djalin. Ai është duke shkuar në Gjermani për nevojat e tij. Këtu nuk po i pëlqen. Rrogat e vogla dhe ka shkuar. Autobusët janë të mbushur plot, tjetër nuk ka. Nëse e sheh vetëm autobusin, vëren se ka interesim,” tha Ahmeti.

Në mesin e qytetarëve që po niseshin drejt vendeve evropiane ishte edhe pensionisti Azem Ramadani. Ai tregon shkaqet që e kanë shtyrë të udhëtojë drejt Gjermanisë.

Ramadani: Shpresoj të bëhet mirë

“Jam pensionist në Gjermani. Po shkoj për t’u shtrirë në spital (pasi vuaj) prej zemrës. (Po shkoj) me autobus pasi me aeroplan nuk më kanë lejuar. Tash është rritur numri. Fluksi është trefishuar dhe pesëfishuar dhe nuk do mbetet asnjë njeri dhe e kanë gabim. Unë e kam përjetuar Evropën. Evropa nuk ka asgjë. Shumë njerëz (po udhëtojnë) edhe me aeroplan, pasi nuk ka vend të lirë edhe me aeroplan edhe me autobusë. Shpresoj të bëhet mirë, qeveritë janë duke fjetur në këtë drejtim", tha Ramadani. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat