Sulmi brutal që i mori jetën Lulzimit: Zbulohet kush janë të dyshuarit - krejt çka dihet për vrasjen

Aktuale

Sulmi brutal që i mori jetën Lulzimit: Zbulohet kush janë të dyshuarit - krejt çka dihet për vrasjen

Më: 21 janar 2024 Në ora: 07:26
Lulzim Fejzullahu

Vdekja e 18-vjeçarit nga Podujeva, Lulzim Fejzullahut, tronditi vendin. I riu që ndërroi jetë të shtunën, përfundoi në QKUK para disa ditësh, pasi u rrah brutalisht nga disa të mitur. Për këtë krim makabër, dy persona tashmë ndodhen nën masën e paraburgimit, teksa  po hetohet në zbulimin e rrethanave dhe motivit që çoi deri te ky konflikt që përfundoi tragjikisht.

Sulmi që i mori jetë Lulzimit dyshohet se ndodhi mesditën e 14 janarit, ku për motive akoma të panjohura, në rrugën “Drenica” në Podujevë, dy të dyshuar e sulmuan brutalisht.

Media ka raportuar për këtë rast pas ngjarjes, kur viktima u dërgua në spital për shkak të lëndimeve serioze që pësoi.

Por çfarë ndodhi në të vërtetë atë ditë?

Në dosjen e Prokurorisë thuhet se pas një përleshje fizike, dy të dyshuar (të mitur) e kanë goditur me një shkop viktimën, duke i shkaktuar lëndime trupore.

Si pasojë e këtyre lëndimeve të marra, viktima ishte dërguar në QKUK për trajtim mjekësor, ndërsa po në të njëjtën ditë, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, dy të miturit janë ndaluar për shkak të veprës penale “Vrasje në tentativë” (tashmë vrasje) dhe rasti ka filluar të trajtohet në Prokurorinë Themelore në Prishtinë.

Dy të dyshuarit që ndodhen prapa grilave për këtë rast janë E.Kadriu (16-vjeçar) dhe A.Abdullahu (17-vjeçar).

“Ju kalltë zemra”, reagimet e familjarëve

Për këtë rast të tmerrshëm kanë folur edhe familjarët e të ndjerit. Ata thonë se pas një fjalosje me disa persona, Lulzimi është përplasur nga një veturë dhe më pas është goditur me shkopinj bejsbolli, duke i shkaktuar lëndime të rënda.

“Unë jam axha i tij. Lulzimi si 18 vjeçar ka qenë punëtor, ka qenë jetim. Pa dy prindtë. Prej dorës kruiminele shqiptare. Maspari e kanë ndjek me kerr, e kanë shkel, e kanë shtypë e kanë rrëzuar. Kur e kanë rrezuar Lulzimin, e kanë goditur me stupca bejsbolli derisa sot në ora 3 pasdite ndërroi edhe jetë”, tha axha i Lulzimit.

Pas rastit, motra e të ndjerit ka reaguar në rrjetet sociale duke shprehur dhimbjen dhe zemërimin për humbjen e vëllait të saj në mënyrë tragjike.

“Ju kalltë zemra si neve qysh po na kallet, Allah dënoj, kurrë dritë me sy mos pafshin”, ka thënë ajo.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat