Hetimet e IPK-së për komunikatën e policisë, i dyshuari me 9 vepra: Çka u zbulua sot për vrasjen e 18-vjeçarit?

Aktuale

Hetimet e IPK-së për komunikatën e policisë, i dyshuari me 9 vepra: Çka u zbulua sot për vrasjen e 18-vjeçarit?

Më: 22 janar 2024 Në ora: 18:02
Lulzim Fejzullahu

Inspektorati Policor i Kosovës ka nisur hetimet lidhur me punën e Policisë pas vrasjes së 18-vjeçarit në Podujevë.

Kjo pasi në raportin 24-orësh, ditën kur ndodhi rrahja me shkop, rasti ishte cilësuar si therje me thikë.

Anipse, nga pamjet, e nga komunikata e Prokurorisë, del se nuk ka pasur therrje me thikë.

Zëdhënësi i Inspektoratit Policor të Kosovës i ka konfirmuar hetimet.

Duke ju referuar kërkesës suaj ju informojmë se lidhur me këtë rast Inspektorati Policor i Kosovës sipas detyrës zyrtare ka filluar një hetim preliminar që përfshin përveç tjerash edhe grumbullimin e informacioneve shtesë rreth veprimeve të policisë si dhe sigurimin e të gjitha shkresave lidhur me këtë rast”, ka thënë Beka.

I dyshuari 9 vepra?

Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi sot ka ftuar Këshillin e Sigurisë në Bashkësi. Pas mbledhjes ai ka folur lidhur me të kaluarën e të rinjve që sulmuan 18-vjeçarin i cili edhe vdiç si pasojë e plagëve të marra.

I dyshuari kryesor për vrasjen e Lulzimit, ka pasur 9 vepra penale në Polici më herët.

“Njeri nga ta, është me nëntë vepra penale, i njëjti që e ka goditur viktimën me makine dhe pastaj me shkop. I dyti që është bashkëpjesëmarrës, nuk ka ndonjë rast apo vepër për organet e rendit”, ka thënë Bulliqi.

Gjithashtu ai ka njoftuar se njëri nga të rinjtë ka braktisur shkollën.

“Njëri nga individët ka qenë nxënës i shkollës, ndërsa tjetri e ka braktisë shkollën, për shkak të problemeve që i bërë brenda oborrit të objektit të shkollës”, shton Bulliqi.

Ndërkaq lidhur me raportin e policisë që ka dal të jetë ndryshe prej pamjeve të publikuara nga vendi i ngjarjes, Bulliqi ka refuzuar të flas me arsyetimin se nuk jep deklarata për siguri.

Kush ishte Lulzim Fejzullahu?

Lulzim Fejzullahut gjatë ditës së djeshme (e dielë) i është dhënë lamtumira e fundit. Gazetarja Besarta Hoti ka zbuluar detaje për personalitetin e Lulzimit, ku familjarë dhe të afërm kanë treguar se si Lulzimi ka qenë një person i qetë dhe aspak problematik.

Ai ishte detyruar të ndërpresë studimet për shkak të kushteve të rënda financiare. Punonte në një biznes gastronomie me një rrogë të vogël.

Pronari i lokalit ku ai kishte punuar e përshkroi Lulzimin si një punëtor të përkushtuar në vendin e punës.

“Ka qenë shembullor, shumë i urtë, asnjë vërejtje asnjëherë. Ka punu që një vjet e gjysmë. Asnjë vërejtje s’e kemi pas”, tha ndër të tjera pronari i lokalit në të cilin punoi Lulzimi.

Xhaxhai i 18-vjeçarit, Rrahim Fejzullahu, ka rrëfyer se si ndodhi gjithë ngjarja. Ai ka thënë se krejt konflikti nisi për radhën te frizeri, për çka më pas nipi tij vendosi të largohej nga lokali.

“Djali ka qenë pa dy prindër, ka qenë punëtor, rasti ka qenë një ditë përpara të shtunën, më 13 është hi qeta me i hjekë flokët, qëtu është një berber ku qethen e rruhen. Edhe janë rrokë për vend, jo ulësh ti para meje jo unë para teje, djali është nis me ardh prej shpie mos me u qeth hiç, edhe janë rrokë me krah në derë kah të dalin, si shqiptarët që e kanë traditë pse po më rrok me krahë, kush je ti çka je ti”, ka thënë Fejzullahu.

Pas këtij konflikti të çastit, dy personat e tjerë të mitur që u arrestuan për ngjarjen, kanë marrë mjete të forta. Fillimisht e kanë goditur me veturë, e më pas e kanë goditur brutalisht në kokë.

“Djali është nis me ardh prej shtëpie, ata e kanë përcjellë me kerr. Së pari janë shku kanë marrë stupca të bejsbollit, tani e kanë përcjellë qëtu, e kanë zënë te shtëpia aty, e kanë shkelë me kerr. E kur e kanë rrëzu djalin i kanë hi me shipka e qato të bejsbollit në krye, kështu që djali dje në ora 15:20 ka ndërruar jetë. Asnjë shenjë trupit se ka, veç në krye. Kjo është vrasje dy here, një here me kerr tani me stupc. As hak as hile s’iu kam pas, zoti hajr e baftë na ka ndodh, na ka zanë”, ka thënë më tutje xhaxhai i të ndjerit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat