Këshilltari i Kurtit: Në darkën e Samitit në Shkup u diskutua për integrimin në BE

Aktuale

Këshilltari i Kurtit: Në darkën e Samitit në Shkup u diskutua për integrimin në BE

Më: 22 janar 2024 Në ora: 19:02
Jeton Zulfaj

Jeton Zulfaj, këshilltar i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se në darkën e Samitit në Shkup është diskutuar për integrimin në Bashkimin Evropian.

Kështu është përgjigjur ai në emisionin “Five”, teksa është pyetur për mesazhet që mori Kosova nga takimi në kuadër të samitit BE – Ballkan Perëndimor në Shkup.

“Darka e shtuar nga kryeministri i Maqedonisë së Veriut, në të cilën liderët e Ballkanit perëndimor kanë diskutuar për planet e zhvillimit dhe se ka qenë kryesisht debati i përqendruar, apo diskutimi, rreth planit të zhvillimit, integrimit në BE dhe reformave që janë të domosdoshme në këtë rrugëtim. Nuk ka detaje që janë nda nga organizatori në këtë darkë të cilët nuk janë bërë publike, por nga ana e kryeministrit këto çështje janë shtruar si nevoja që të ketë parim të barazisë që të përfitojnë qytetarët dhe të mos vendosen pengesa në bashkëpunimin rajonal nga Serbia…”, tha ai.

Ai përsëriti mesazhet e kryeministrit Kurti, ku u shpreh i gatshëm për reforma, të cilat, sipas tij, duhet bazuar në merita dhe indikatorë të matshëm.

“Ne shkuam aty për të dërguar mesazhe dhe për të dëgjuar nga partnerët, sidomos, nga BE-ja, por ishin edhe SHBA-të prezent dhe ndërkohë ishte edhe Banka për investime Evropiane, ajo për Zhvillim dhe Botërore… Mesazhet e kryeministrit në këtë format të Ballkanit Perëndimor 6, në lidhje me planin e zhvillimit kryeministri dha mesazhet që ne jemi të gatshëm për reforma, duam që ato të jenë të bazuar në merita dhe në indikatorë të matshëm…”, shtoi ai.

Ndërsa foli për sanksionet e BE-së ndaj Kosovës, Zulfaj theksoi se janë përmbushur kushtet për largimin e tyre, ngase të njëjtat kanë të bëjnë me kërkesën për deeskalim të situatës në veri.

Ai thotë se tani i takon BE-së që t’i largojë masat e vendosura, sepse, siç thotë Zulfaj, arsyet për të cilat janë vendosur kanë pushuar së ekzistuari.

“Ne i kemi përmbushur kushtet, masat kanë qenë për eskalimin e situatës që pati ndodhur në atëkohë më 29 maj, dhe pastaj e kemi pasur një marrëveshje për deeskalim, të gjitha ato masa janë zbatuar… problemi është që për shkak të vendimmarrjes kryesisht problematike brenda BE-së, kemi thënë me fillim që është gabim nxitimi për t’i vendosur ato masa, sepse vetëm sa do të ndikojë në balancën e bisedimeve Kosovë-Serbi, apo në asimetrinë e këtyre bisedimeve, por edhe nuk janë aspak të bazuara e të drejta dhe të dobishme siç është edhe vërtetuar, por tani i takon BE-së që me lehtësinë që i ka vendosur ato masa, t’i largojë ato sa më parë, sepse arsyet për të cilat janë vendosur kanë pushuar së ekzistuari, por ato nuk mund të përdoren si mjet i hapur për të vendosur kushte të reja për një situatë e cila nuk ekziston”, u shpreh ai.

Ndërkohë, Zulfaj potencoi se nëse në rrugën drejt integrimit në BE shtetet e bllokojnë njëra-tjetrën, atëherë, sipas tij, BE-ja do t’i mënjanojë ato dhe qasjen do t’ua japë shteteve që kanë treguar pozitivitet.

“BE-ja edhe me liberalizimin e vizave, vonesat që bëhen dikur absurde dhe të paarsyeshme, ato i tërheqin ato masa, të cilat në dukje nga një sy i zakonshëm shihet se Kosova po performon mirë, është demokraci dhe arsyet e BE-së me të cilat BE-ja ndëshkon ose mban peng, nuk qëndron, në mënyrë automatike do të pushojnë së ekzistuari, siç e kemi pasur me liberalizimin e vizave ku ne nuk jemi hidhëruar me BE-në. E njëjta besoj është edhe me procesin e anëtarësimit… nëse shihet me raport me vendet e tjera të rajonit, Kosova qëndron më së miri”, ka thënë Zulfaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat