Muhaxhiri: Samiti i Shkupit me dy elemente të rëndësishme

Aktuale

Muhaxhiri: Samiti i Shkupit me dy elemente të rëndësishme

Më: 23 janar 2024 Në ora: 06:35
Analisti politik, Artan Muhaxhiri

Analisti politik, Artan Muhaxhiri e ka vlerësuar shumë të rëndësishëm Samitin e Shkupit, ku morën pjesë liderët e shteteve të Ballkanit Perëndimor me temën “Plani i rritjes së Ballkanit Perëndimor dhe integrimi më i shpejtë në BE”.

Ai në magazinën “Info Plus” në RTK, ka thënë se ky takim i liderëve të Ballkanit Perëndimor i ka paraqitur dy elemente të rëndësishme.

“Elementi i parë ishte përkrahja e mëtutjeshme e BE-së dhe e SHBA-së për rajonin tonë. Ndërsa, aspekti i dytë që u potencua shumë herë nga të gjithë pjesëmarrësit, ishte që palët duhet të jenë konstruktive dhe bashkëpunuese. Nuk ka mundësi që ndonjë palë të ketë përkrahje edhe më tej nëse ajo shndërrohet në bllokuese të proceseve integruese në Ballkan”, tha Muhaxhiri.

Ai tutje theksoi se liderët ballkanik e kanë kuptuar këtë gjë shumë qartë, veçanërisht kryeministri Albin Kurti, të cilit sipas tij i mbetet ende shumë punë për largimin e masave të BE-së.

“Besoj që liderët e Ballkanit në këtë samit e kanë kuptuar këtë porosi shumë qartë, e veçanërisht kryeministri Albin Kurti, i cili ka shumë punë për të bërë në mënyrë që t’i largojë masat e vëna nga BE-ja për Kosovën. Po ashtu ai duhet të dëshmohet shumë më konstruktiv në dialogun Kosovë – Serbi, sepse këto janë elementë që do ta bllokojnë Kosovën nëse nuk trajtohen në mënyre adekuate”, tha tutje Muhaxhiri.

Sipas tij pozicioni i Kosovës sa i përket agjendës evropiane varet qind për qind nga dialogu Kosovë –Serbi.

“Pa përfundim të suksesshëm të dialogut dhe pa avancime në dialog nuk mund të ketë përmirësim të pozitës së Kosovës në skenën politike ndërkombëtare dhe veçanërisht sa i përket largimit të masave dhe marrjes së donacioneve nga BE-ja”, tha Muhaxhiri.

Ai shtoi se këto janë parakushtet që duhet të plotësohen që të ketë hapa pozitiv nga BE-ja dhe SHBA-ja në raport me Kosovën.

Ndryshe, në Shkup të Maqedonisë së Veriut në Konferencën e Bashkimit Evropian, liderë rajonalë të Ballkanit Perëndimor dhe zyrtarë tjerë të lartë kanë diskutuar për rritjen ekonomike të rajonit.

Në nëntor të vitit të kaluar, Komisioni Evropian prezantoi një plan të ri të rritjes për Ballkanin Perëndimor, i cili përfshin gjashtë miliardë euro grante dhe kredi për të përshpejtuar konvergjencën socio-ekonomike me Bashkimin Evropian.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat