Dështon seanca ndaj aktivistëve të LVV-së për protestën e 2015-ës, për Ylli Hoxhën do të lëshohet urdhëresë për sjellje me detyrim

Aktuale

Dështon seanca ndaj aktivistëve të LVV-së për protestën e 2015-ës, për Ylli Hoxhën do të lëshohet urdhëresë për sjellje me detyrim

Më: 25 janar 2024 Në ora: 17:21
Foto ilustrim

Mungesa e të akuzuarit Ylli Hoxha dhe mospajisja e disa prej avokatëve me shkresat e lëndës ka bërë që të dështojë seanca e së enjtes ndaj pesë aktivistëve të Vetëvendosjes, që akuzohen për “pjesëmarrje në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizëm”.

Gjykatësi Eroll Gashi ka thënë se i akuzuari Hoxha ka qenë i njoftuar për seancën e sotme derisa ka njoftuar se ndaj tij do të lëshohet urdhëresë për sjellje me detyrim.

Mbrojtësi i të akuzuarit Hoxha, avokati Bekim Reçica ka njoftuar gjykatën se para dy ditëve është njoftuar nga Oda e Avokatëve se është caktuar mbrojtës në këtë rast, e që për shkak të kohës së shkurtë nuk është pajisur ende me shkresat e lëndës.

Ylli Hoxha, Premton Iberdemaj, Urim Hasani, Arbër Kaqorraj dhe Armend Loshaj ngarkohen se në dhjetor të 2015-ës gjatë një proteste iu kishin shkaktuar lëndime të rënda trupore dy policëve dhe kishin dëmtuar pronat e disa institucioneve në vlerë prej 20 mijë eurosh.

Në këtë seancë, prezent ishin të akuzuarit Iberdemaj, Hasani, Kaqorraj dhe Loshaj.

Po ashtu, gjykatësi Gashi tha se meqenëse mbrojtësi i të akuzuarit Iberdemaj, Egzonis Hajdari ka njoftuar gjykatën se nuk mund të prezantojë në seancë, të gjitha shkresat të cilat i ka marrë në prokurori ia ka dorëzuar kësaj gjykate, e të cilat në këtë seancë gjykata ia dorëzon tani avokates Besjana Ismajli.

Në këto rrethana, seanca e sotme ka dështuar sërish të mbahet.

Sipas aktakuzës së përpiluar më 24 dhjetor 2015, Premton Iberdemaj, Ylli Hoxha, Uran Hasani, Arbër Kaqorraj dhe Armend Loshaj akuzohen se më 12 tetor 2015, kanë marrë pjesë në turmën e mbledhur dhe kishin gjuajtur me gurë dhe gjësende të forta në drejtim të policisë, të cilët kishin qenë duke parandaluar rrezikun ndaj qytetarëve dhe duke mbajtur rendin dhe qetësinë publike.

Në aktakuzë thuhet se të akuzuarit kishin ndezur kontejnerët e mbeturinave dhe i kishin zhvendosur për gjatë rrugës, pastaj kontejnerët e ndezur i kishin shtyrë në drejtim të kordonëve policore, kishin hedhur koktej të molotovit, ku kishin vënë zjarrin automjeteve zyrtare, kishin gjuajtur gurë dhe gjësende të forta në drejtim të Stacionit Policor Qendra, kishin thyer xhamat e dritareve, kishin dëmtuar kornizat e dritareve, kishin dëmtuar inventarin brenda zyrave, si dhe kishin dëmtuar fasadën e këtij objekti, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas Prokurorisë, të akuzuarit kishin djegur një automjet zyrtar dhe kishin dëmtuar 7 automjete zyrtare, si dhe u kishin shkaktuar lëndime të rënda trupore zyrtarëve policorë Pajtim Kryeziu dhe Fahredin Veliu dhe i kishin shkaktuar dëm në vlerë prej 20 mijë euro institucioneve si: Stacionit Policor Qendra, Zyrës së Prokurorit Disiplinor, KQZ-së, Selisë së PDK-së dhe KRM ”Pastrimi”, në Prishtinë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat