Ish-zv/ministri i Jashtëm: Masat nga BE-ja vështirë të hiqen, mund të shfrytëzohen për kushte të reja

Aktuale

Ish-zv/ministri i Jashtëm: Masat nga BE-ja vështirë të hiqen, mund të shfrytëzohen për kushte të reja

Më: 25 janar 2024 Në ora: 18:09
Anton Berisha

Që nga 28 Qershori i vitit të kaluar Kosova vazhdon të jetë zyrtarisht nën masa të Bashkimit Evropian.

Brukseli ka qenë i qartë që masat mund të hiqen vetëm nëse do të zbatohen kushtet që Josep Borell kishte vendosur më 3 qershor për de-eskalimin e situatës, ku përfshihen zvogëlimi i policisë speciale, largimi i kryetarëve dhe mbajtja e zgjedhjeve të reja.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e kryeministri Albin Kurti në vazhdimësi kanë kërkuar heqjen e masave duke i konsideruar si të padrejta dhe jo proporcionale, megjithatë BE është e prerë në kërkesën për plotësim kushtesh në këmbim të heqjes së masave.

Heqjen e këtyre masave hiq më larg se të mërkurën e ka kërkuar përsëri kryeministri Kurti.

Kryeministri Kurti e ka akuzuar Brukselin për qasje të butë ndaj Serbisë, në një kohë kur rajoni është i mbushur me tensione të larta.

Por, pikërisht për vendosjen e këtyre masave ish-zv.ministri i Punëve të Jashtme, Anton Berisha po ia hedh fajin të parit të ekzekutivit.

Ai po thotë se masat ndaj Kosovës janë vendosur pikërisht për shkak të moskonstruktivitetit të kryeministrit Kurti dhe krijimit të situatës e cila nuk ka qenë në linjë me kërkesat evropiane dhe amerikanë njëkohësisht.

Berisha, deklaron se masat e vendosura vështirë hiqen, madje mund të shfrytëzohen edhe për kushte të reja.

“Tash Kurti e ka vendos Kosovën nën masa dhe praktikat tregojnë që ato vështirë hiqen dhe mund të shfrytëzohen edhe për kushte të reja në ndërkohë. Dhe, ajo ka të bëjë me implementimin e marrëveshjes së Brukselit dhe të Ohrit dhe përderisa Qeveria e Kosovës nuk i respekton ato marrëveshje por i politizon ashtu siç po bën Kurti atëherë unë nuk pres që të hiqen masat dhe ato do të vazhdojnë në mënyrë që pala kosovare do t’i respektojë kërkesat e Bashkimit Evropian”, është shprehur Berisha.

Ish-zv.ministri i Punëve të Jashtme, Anton Berisha deklaron se tashmë heqja e masave ndaj Kosovës nga Bashkimi Evropian lidhet edhe me respektimin e marrëveshjes së Brukselit respektivisht Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

“Kjo sigurisht se do të lidhet jo vetëm me largimin e kryetarëve të komunave dhe me deeskalimin e situatës në veri, por edhe me vet respektimin e marrëveshjes, respektivisht krijimin e Asociacionit dhe të gjitha detyrimet që ka marrë Kurti që ka menduar ose mendon që ato t’i pranojë kështu formalisht, por jo t’i ekzekutojë”, ka thënë Berisha.

Sipas tij, marrëveshja e Brukselit dhe ajo e Ohrit tashmë është futur në korniza të asaj si kusht për integrim në Bashkimin Evropian.

“Pra për procesin integrues dhe kjo nënkupton që patjetër pala kosovare nuk mund të bëj asnjë hap pa respektimin e atyre konditave dhe unë nuk pres që ato të hiqen, ose ato do të hiqen në varësi të asaj se sa Kosova plotëson ose kryen detyrimet që i ka marrë në marrëveshjen e Ohrit dhe të Brukselit”, ka shtuar ai.

I pyetur se a i është bërë e padrejtë Kosovës nga vendosja e këtyre masave, Berisha ka thënë se kjo retorikë që është duke i diskutuar në Kosovë është jashtëzakonisht e pasaktë.

Siç, thotë Berisha njëjtë edhe Serbia e vuan moszbatimin dhe moskonstruktivitetin me bashkësinë ndërkombëtare nga viti 99 që është bombarduar e deri sot që ende nuk është anëtare e Bashkimit Evropian.

Muajin e kaluar, më shumë se dhjetë vende evropiane i kërkuan Josep Borrellit të heqë kufizimet politike dhe ekonomike kundër Kosovës, duke vënë në dukje gjithashtu rolin që Serbia kishte luajtur në një sulm në Banjskë në  shtatorin e kaluar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat