​Vendoset gurthemeli i Qendrës Rezidenciale për persona të moshuar në Podujevë

Aktuale

​Vendoset gurthemeli i Qendrës Rezidenciale për persona të moshuar në Podujevë

Më: 26 janar 2024 Në ora: 15:07
Foto nga vendi i ngjarjes

Sot është vendosur gurthemeli për ndërtimin e Qendrës Rezidenciale për persona të moshuar ne komunën e Podujevës.

Kjo qendër ka kushtuar 530 mijë euro dhe është investim i përbashkët i komunës dhe shoqatës së bamirëse "Jetimat e Ballkanit".

Në qendrën për të moshuar është planifikuar jetesa moderne për të gjithë të moshuarit që nuk kanë përkujdesje familjare. Qendra do të ketë kujdes primar shëndetësor, bujtina, fizioterapi dhe shumë shërbime të tjera.

Me këtë rast, kryeministri Albin Kurti tha se ashtu sikur në Evropë edhe të moshuarit në Kosovë do të mund të jetojnë në qendra të përbashkëta.

Kurti: Gjithnjë e më shumë do të na duhen shtëpi për të moshuar

"Duhet të kujdesemi për të gjitha shtresat e popullsisë, të gjitha moshat në vend. Unë do të thosha, ashtu siç kujdesemi për fëmijët duhet të kujdesemi edhe për pleqtë dhe meritojnë pleqëri të dinjitetshme. Nuk mjafton të kujdesemi vetëm për gratë, fëmijët dhe rininë. Duhet të kujdesemi edhe për pleqtë. Ne këtë e bëjmë me ndihmat e njëhershme, të cilat i kemi dhënë nga Ministria e Financave, Punëve dhe Transfereve. Këto qendrat për banim për të moshuar janë vendimtare për një numër të pleqve që nuk mund të kenë kujdesin e nevojshëm nga familjarët. Ashtu siç është në Evropë ku të moshuarit jetojnë në qendra të përbashkëta, në atë rrugë është edhe Republika e Kosovës. Gjithnjë e më shumë do të na duhen shtëpi për të moshuar", tha Kurti.

Kryetari i komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi ka bërë të ditur se rreth 100 të moshuar brenda ditës do të marrin shërbime në këtë qendër.

Bulliqi: Ta ndryshojmë Podujevën për të mirë

"Është radha që të mendojmë edhe për këtë kategori, për të moshuarit. Këtu do të kenë mundësi që të marrin shërbime rreth 100 të moshuar brenda ditës. Ne do të jemi afër atyre projekteve që vlerësojmë që janë të rëndësishme për qytetarët tanë. Vazhdojmë me punë të mira, ta ndryshojmë Podujevën për të mirë", tha Bulliqi.

Ndërsa, humanisti Halil Kastrati, tha se përveç personave të moshuar, në këtë qendër do të mund të qëndrojnë edhe 25 studentë që udhëtojnë nga zonat e largëta për studime.

Kastrati: Kuzhinë humanitare për 200 familje nevojtare në Podujevë

"Projekti që po fillon sot është qëndrim për të moshuar, kuzhinë humanitare për 200 familje nevojtare në Podujevë, dhe bujtinë për 25 studentë nga zonat e largëta që vijnë të studiojnë këtu. E kemi zgjedhur ditën e sotme, sepse jemi në prag të ditës së heronjve të Podujevës", theksoi Kastrati. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat