Kurti për gazetën holandeze: Nëse NATO nuk do të ishte këtu, jam i sigurt se Serbia do të përpiqej të pushtonte përsëri!

Aktuale

Kurti për gazetën holandeze: Nëse NATO nuk do të ishte këtu, jam i sigurt se Serbia do të përpiqej të pushtonte përsëri!

Më: 26 janar 2024 Në ora: 16:08
Kryeministri Albin Kurti

Kryeministri Albin Kurti, në një intervistë për gazetën holandeze “Trouw”, ka thënë se Bashkimi Evropian për Kosovën është projekti më i rëndësishëm politik dhe procesi historik i lirisë dhe prosperitetit që nga Lufta e Dytë Botërore.

Ai tha se nuk mendon se brezi ynë, dhe ndoshta brezi tjetër, mund të dalë me një model më të mirë.

“BE-ja duhet të mbrohet dhe ne duam të kontribuojmë në këtë”, ka thënë Kurti në këtë intervistë.

Duke u ndalur te Asociacioni i komunave me shumicë serbe, Kurti tha se ndonëse serbët përbëjnë vetëm katër për qind të popullsisë së Kosovës, gjuha e tyre është gjuhë zyrtare në mbarë Kosovën dhe në çdo nivel të qeverisjes.

Ata tha po ashtu se serbët kanë edhe dhjetë vende të rezervuara në parlament, teksa theksoi se ata nuk po i shfrytëzojnë mundësitë që kanë.

“Në vend të kësaj, ata duan një Asociacion të komunave me pushtet ekzekutiv. Ky pushtet më pas duhet t’u hiqet bashkive ose qeverisë kombëtare. Kjo nuk është e mundur sipas Kushtetutës. Dhe ata gjithashtu duan që ai asociacion të ketë një kryetar. Unë dua të ndihmoj komunat, por jo duke formuar një Republika Sërpska të re”.

Kurti tha se është kryeministri i Kosovës që ka folur serbisht “më shumë se të gjithë paraardhësit e mi së bashku”.

“Komunat me shumicë serbe marrin 62 për qind më shumë buxhet për banorë se të tjerat. Nuk di çfarë të bëj tjetër. Nuk ka kryeministër që flet dhe konsultohet me serbët sa unë. Por pjesa dërrmuese e këtyre takimeve zhvillohen në fshehtësi, me kërkesë të tyre. Sepse përndryshe Beogradi do t’i sulmonte menjëherë. Më vjen keq dhe kërkoj falje që ende nuk jam në gjendje t’i mbroj të gjithë serbët e Kosovës nga ngacmimet nga Beogradi”, përfundoi kryeministri Albin Kurti.

Duke folur për problemet me të cilat po përballet vendi drejt anëtarësimit në BE, kryeministri përmendi rastin e sulmit terrorist të shtatorit të kaluar në Banjskë.

Ai tha se prapa atij sulmi qëndron shteti serb.

“Pas atyre sulmeve kriminale, ne sekuestruam më shumë se 5 milionë euro pajisje të rënda ushtarake dhe municione. Sigurisht, është e pamundur që qytetarët e thjeshtë të mbajnë përgjegjësi për këtë. Ky ishte shteti i Serbisë, duke përdorur një grup paraushtarak të udhëhequr nga një kriminel. (Milan) Radoiçiqin e njohim prej kohësh këtu, ai ndër të tjera është i përfshirë në kërcënime, kontrabandë dhe zhvatje. Organizatat kriminale përdorin pozicionin politik të Serbisë si mbulesë për krimet e tyre”.

“Në qershor ne paralajmëruam partnerët tanë perëndimorë se diçka po përgatitej. Në fund të atij muaji ne caktuam dy organizata si terroriste. Ne u kritikuam për këtë, por në shtator doli se anëtarët e atyre grupeve ishin pjesë e paraushtarakëve në Banjska”, u shpreh mes tjerash Kurti.

I pyetur nëse Serbia do të hynte në një luftë për pushtimin e Kosovës, kryeministri tha se sikur forcat e NATO-s nuk do të ishin këtu, “jam i sigurt se Serbia ndoshta edhe do të do të përpiqej të pushtonte përsëri”.

“Duke ushqyer lidhjet e saj të forta me Rusinë, Serbia beson se mund të shpëtojë nga plagosja e ushtarëve të KFOR-it dhe policisë së Kosovës. Ashtu si Rusia, edhe Serbia e urren NATO-n. Në sytë e Kremlinit, Kosova nuk është gjë tjetër veçse një projekt i NATO-s, ndërsa unë e shoh si sukses të luftës së një populli për liri”.

“Kremlini nuk sheh njerëz, ai sheh vetëm liderë dhe territor. Nëse NATO nuk do të ishte këtu, jam i sigurt se Serbia do të përpiqej të pushtonte përsëri. Policia ushtarake serbe ka 48 baza ushtarake rreth kufirit me Kosovën, prej të cilave 28 përfshijnë ushtarë. Prej aty nganjëherë hyjnë për pak kohë në vendin tonë”.

“Ajo që më bën optimist për të ardhmen është se në rajonin tonë nuk ekziston më ai lloj nacionalizmi mes njerëzve në rajonin tonë që nxit makinën e luftës së diktatorëve. Ata tashmë preferojnë të vetmen gjë që u ka mbetur, që janë bandat kriminale. Tridhjetë vjet më parë, figura si Radoiçiqi do t’u kishin shpërndarë kallashnikovët qytetarëve të thjeshtë. Ata nuk janë më të interesuar për këtë, dhe kjo zvogëlon fuqinë e këtyre lloj kriminelësh”, deklaroi kreu i ekzekutivit kosovar në këtë intervistë.

Sipas Kurtit, zgjidhja mes Kosovës dhe Serbisë është modeli i dy Gjermanive i vitit 1972.

“Ne arritëm një marrëveshje nën udhëheqjen e Bashkimit Evropian në shkurt, por problemi është zbatimi. Serbia refuzon të nënshkruajë dhe ka shkelur të paktën tetë nga njëmbëdhjetë nenet. Pa një nënshkrim ju tregoni se keni rezervat tuaja. Mendoj se duhet t’i përmbahemi modelit të vitit 1972 për Gjermaninë Perëndimore dhe Lindore: jeto dhe lër të jetojnë, me njohje de facto reciproke”.

“Ajo që nevojitet është një lider i guximshëm demokrat në Beograd, i cili distancohet nga Millosheviqi dhe Putini. Deri atëherë, kam frikë se nuk mund të ketë normalizim”, potencoi ai.

Kurti tha se Kosova nuk bën propagandë, për dallim nga Serbia. Sipas tij, “shpesh nuk mund ta dëgjosh më të vërtetën e Kosovës përmes gënjeshtrave të Serbisë”.

“Serbia, si shtet më i madh, ka burime të mëdha për propagandë, të cilat ne nuk i kemi. Shpesh nuk mund ta dëgjosh më të vërtetën e Kosovës përmes gënjeshtrave të Serbisë. Ne nuk bëjmë propagandë”.

Ai tha se në BE janë dy lloje diplomatësh në BE që janë dominues në përcaktimin e marrëdhënieve me Serbinë.

“I pari është i ndrojtur, i frikësuar se Serbia mund ta tërheqë Rusinë në një raund tjetër të luftërave ballkanike. Dhe kjo është arsyeja pse ai preferon kënaqësinë ndaj përballjes. Dhe lloji i dytë mendon, duhet të them, në mënyrë utopike. Ai beson se Serbia mund të futet në kampin perëndimor me presidentin Vuçiq. Pa demokratizim ky është një mision i pamundur”, deklaroi kryeministri.

Ai tha po ashtu se serbët e Kosovës në pjesën veriore, të cilët nuk e kanë paguar rrymën që nga pavarësia, tashmë do ta bëjnë këtë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat