PDK kundër peticionit, Qalaj: Kryetarët do të duhej të shkarkoheshin përmes dorëheqjes

Aktuale

PDK kundër peticionit, Qalaj: Kryetarët do të duhej të shkarkoheshin përmes dorëheqjes

Më: 28 janar 2024 Në ora: 09:33
Rashit Qalaj

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe kryetarët e dy komunave veriore nga radhët e kësaj partie, kanë dalur kundër procesit të nënshkrimit të peticioneve, proces ky që mundëson shkarkimin e tyre.

Kështu ka deklaruar deputeti i PDK-së, Rashit Qalaj, i cili tha se kërkesat e tyre kanë qenë që kryetarët shqiptarë të katër komunave me shumicë serbe, të japin dorëheqje në mënyrë të organizuar dhe në koordinim me qeverinë e jo të shkarkohen nga një komunitet, që sipas tij, nuk ka marr pjesë fare në zgjedhje.

Ai ka thënë se kjo iniciativë e mbledhjes së nënshkrimeve është gabim dhe nuk duhet që të konsiderohet si opsion.

“Fillimisht dua ta jep një koment në lidhje me çështjen e mbledhjes së nënshkrimeve, ju e dini që Partia Demokratike dhe kryetarët që janë atje të Partisë Demokratike janë kundër këtij peticioni. Ata kanë bërë thirrje në vazhdimësi që kryetarët të cilët janë të zgjedhur tash në komunat veriore të japin dorëheqje në mënyrë të organizuar në mënyrë të koordinuar me qeverinë e jo të shkarkohen nga një komunitet të cilën nuk ka marrë pjesë fare në zgjedhje.

Pra mendoj që është gabim çështja e mbledhjes së nënshkrimeve dhe si të tillë duhet të konsideruar”, tha ai.

Ish-drejtori i Policisë së Kosovës, ka thënë se gjatë procesit zgjedhor, i cili do të mbahet pas procedurave të shkarkimit, mund të ketë tensione, kjo pasi sipas tij, ngritja e tensioneve në veri është tendencë e vazhdueshme e Serbisë.

“Sa i përket çështjes së tensionimit të situatës nuk e di edhe mund të ketë tensione lokale, kryesisht varet nga tendenca e Serbisë e cila është tendencë e vazhdueshme për ngritjen e tensioneve në veri”, tha ai.

Qalaj ka theksuar se situata në veri duket e qetë në sipërfaqe por që në realitet është shumë e tensionuar dhe se mund të ketë incidente të ngjashme si vitin e kaluar edhe në të ardhmen.

“Gjendja e sigurimit është një situatë në sipërfaqe duket e qetë mirëpo është shumë e tensionuar për shkak të veprimeve të shtetit të Serbisë, presidentit Vuciq në raport me Kosovën, sidomos në raport me katër komunat veriore. Pra unë mendoj që situata atje është shumë e tensionuar dhe mund të ketë incidente të ngjashme edhe në të ardhmen”, tha ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat