LIVE: Gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve, deklarata e fortë e dëshmitarit: U kërcënova dhe u rraha mizorisht nga anëtarët e UÇK-së

Aktuale

LIVE: Gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve, deklarata e fortë e dëshmitarit: U kërcënova dhe u rraha mizorisht nga anëtarët e UÇK-së

Më: 29 janar 2024 Në ora: 08:37 Përditësuar në ora: 14:59 më 29.01.2024
Pamje nga seanca

ZPS thotë se dëshmitari i 43-të do të flasë për një vrasje të paligjshme në zonën e Llapit

Pas mbarimit të dëshmisë së dëshmitarit të 42-të, në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, ka filluar dëshminë dëshmitari i 43-të i Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), cili mban kodin W04870 në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Ndonëse seanca ishte private, DhSK ka njoftuar se dëshmia e këtij dëshmitari ka të bëjë me vrasjen e paligjshme të një viktime, e cila pretendohet se është bërë pas arrestimit dhe mbajtjes nga anëtarë të UÇK-së në zonën e Llapit.

Ky dëshmitar është me masa mbrojtëse dhe është duke u marrë në pyetje nga përfaqësues të Zyrës së Prokurorit të Specializuar.

Para se të niste dëshmia e këtij dëshmitari, avokati i Veselit, Ben Emmerson kërkoi që të kalohet në seancë private për të diskutuar një çështje që ndërlidhet me dëshmitarin, i cili do të dëshmojë pas këtij të tanishmit.

Pas kësaj, e vetmja gjë që u bë në seancë publike ishte prezantimi i disa dokumenteve nga ZPS-ja, ku iu kërkua dëshmitarit që të konfirmojë se a qëndron prapa atyre përmbajtjeve.

Këto material,e u pranuan si prova me urdhër të kryetarit të trupit gjykues, Charles Smith III.

Me arsyetimin që të mbrohet identiteti i dëshmitarit, seanca kaloi sërish në sesion privat dhe si e tillë është duke vazhduar.

Gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve, dëshmitari i ZPS-së pretendon se është rrëmbyer dhe rrahur nga UÇK-ja

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë ka filluar dëshminë dëshmitari i 42-të i Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), cili mban kodin W02082 në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Sipas përmbledhjes së lexuar nga përfaqësuesja e ZPS-së, Jasmine Shahabbudin, pretendohet se dëshmitari është rrëmbyer nga pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës si dhe është rrahur mizorisht.

“Në qershor të 1999, dëshmitari 02082 u rrëmbye nga anëtarë të UÇK-së që dukej se e njihnin identitetin e personit. Atë e dërguan anëtaret e UÇK-së në një vendodhje që përdorej nga UÇK-ja në Prizren ku pa edhe anëtarë të tjerë të UÇK-së jashtë. Gjatë ndalimit ë atë vend, e morën në pyetje, e kërcënuan dhe e rrahën mizorisht anëtarë të ndryshëm të UÇK-së me orë të tëra”, tha prokurorja.

Ajo tha se pjesëtarët e UÇK-së përpara se ta lironin dëshmitarin i kanë thënë që të mos i tregonte askujt për faktin se e kanë mbajtur të ndaluar.

“Dëshmitari me numrin 02082 pa edhe të ndaluar të tjerë që kishin gjak dhe ishin rrahur. Përpara se ta lironin, ushtarët e UÇK-së i thanë dëshmitarit 02082 të mos i tregonte askujt për faktin që e kishin mbajtur të ndalum. Edhe sot e kësaj dite ka probleme shëndetësore për shkak të lëndimeve që i shkaktuan”, tha prokurorja.

Pas kësaj, prokurorja kërkoi që të kalohet në sesion privat në mënyrë që të ruhet identiteti i dëshmitarit gjatë marrjes në pyetje pasi ai është me masa mbrojtëse.

Në fillim të seancës prokurorja tha se asaj nuk i ka shkuar ektekspertiza e psikologut për këtë dëshmitarë si dhe ka njoftuar se transkriptet dhe dokumentet që do i prezantohen duhet të iu lexohen nga dikush për shkak që sipas saj ai ka probleme me shikimin.

Deklaratat e këtij dëshmitari të dhëna më herët për ZPS-në së bashku me materialet përcjellëse u pranuan dhe morën numrat e provave materiale në këtë cështje gjyqësore.

Sipas kryetarit të trupit gjykues Charles Smith III dëshmia e këtij dëshmitari do të zgjasë rreth 5 orë.

Sipas tij, ZPS-ja ka paraparë 1 orë, mbrojtja e viktimave 15 minuta ndërsa ekipet e mbrojtjes së të akuzuarve kanë paraparë rreth 4 orë për marrjen në pyetje të këtij dëshmitari.

Ashtu siç u tha në seancë, për shkak të problemeve shëndetësore, gjyqtari Christoph Barthe dhe dy të akuzuarit Thaçi dhe Krasniqi janë duke e ndjekur seancën përmes videolidhjes. 

Gjykimi në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së vazhdon edhe sot

Sot në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë do të vazhdojë procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Seanca gjyqësore pritet të fillojë në ora 09:00.

Gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së ka nisur më 3 prill kurse të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm.

Aktakuza e parë kundër katër të akuzuarve u konfirmua më 26 tetor 2020 dhe u bë publike më 5 nëntor 2020. Sipas aktakuzës, krimet e paraqitura në të u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 në disa vendndodhje në Kosovë, si edhe në Kukës dhe Cahan, në Shqipërinë Veriore.

Ndryshe, dje Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë, ua kanë vazhduar masën e paraburgimit edhe për dy muaj Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat