“Shpërthen” Naim Miftari pas dënimit ‘tronditës’ të Pal Lekajt: Është sekser i këtyre dy politikanëve

Aktuale

“Shpërthen” Naim Miftari pas dënimit ‘tronditës’ të Pal Lekajt: Është sekser i këtyre dy politikanëve

Nga: N. Sh. Më: 31 janar 2024 Në ora: 16:29
Naim Miftari dhe Pal Lekaj

Ish-eprori i lartë i UÇK-së dhe ish-agjenti i SHIK-ut, Naim Miftari ka reaguar ashpër pas dënimit që sot mori ish-ministri Pal Lekaj për rastin tashëm të famshëm të 53 milionë eurove.

Miftari thotë se drejtësia në Kosovë është e korruptuar, prandaj e dënoi me kaq pak vite burgim.

Tutje, Miftari shton se Lekaj është sekser i Ramush dhe Daut Haradinajt.

“Tri vjet e shtatë muaj burg për vjedhjen e 53 milionë eurove.

Drejtësia e korruptuar e Kosovës me ligj dënon vetëm hajnat e pulav!

Ndërsa për një pul dhe nje knus, ose për një qerre me dru të vjedhura në mal, që e vjedhin fukaratë në Kosovë dënohen 5 vite burg, kurse për 53 milionë euro ky sekseri, hajni i Ramush e Daut Haradinajt dënohet tri vjet e shtatë muaj burg, turp, në Kosovë loja qoke me drejtësi vazhdon...!”, shkruan Miftari në Facebook.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarve Pal Lekaj, Eset Berisha, Nebih Shatri dhe Besim Tahiri, në lidhje me rastin e pagesës prej 53 milionë eurove që Qeveria e Kosovës i kishte paguar “Bechtel-Enkës”, për zgjatjen e afatit të përfundimit të punimeve në autostradën “Arbën Xhaferi”, duke i dënuar së bashku me dhjetë vjet e shtatë muaj burgim.

Ish ministri i Infrastrukturës, njëherësh deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, u dënua me tre vjet e tetë muaj burgim efektiv, ish këshilltari i lartë politik i tij, Eset Berisha, u dënua po ashtu me tre vjet e tre muaj burgim, ndërkaq, Nebih Shatri në cilësinë e ish sekretarit të përgjithshëm në këtë ministri u dënua me 1 vit e tetë muaj, kurse Besim Tahiri, si drejtor i prokurimit publik në MI u dënua me 1 vit e tetë muaj burgim.

Të njëjtëve po ashtu iu shqiptua dënim plotësues për ndalim të ushtrimit të funksionit publik në Administratën Publike dhe shërbime publike.

Dënimi ndaj të akuzuarve do të ekzekutohet pasi që aktgjykimi të bëhet i formës së prerë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat