Dënimi i Pal Lekajt, avokati tregon se a mund t’i hiqet mandati

Aktuale

Dënimi i Pal Lekajt, avokati tregon se a mund t’i hiqet mandati

Më: 31 janar 2024 Në ora: 18:44
Anton Ndrecaj

Ish-ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, është dënuar me tre vjet e tetë muaj burgim, për ndarjen e 53 milionë eurove shtesë konsorciumit “Bechtel&Enka” për ndërtimin e autostradës “Arbën Xhaferi”.

Avokati, Anton Ndrecaj, tha se për aq kohë sa s’ka aktgjykim të formës së prerë, Lekaj mund ta mbajë mandatin dhe ta ushtrojë funksionin e tij si deputet.

“Përderisa s’është një aktgjykim i formës së prerë, gjithmonë është prezumimi i parafajësisë. Do të thotë, deri në përfundimin e një procesi gjyqësor, Lekaj mund ta mbajë mandatin e tij dhe ta ushtrojë funksionin e tij si deputet. Në momentin kur aktgjykimi merr formën e prerë, Lekajt automatikisht duhet t’i hiqet mandati nga Kuvendi i Kosovës”, deklaroi Ndrecaj.

I pyetur se nga praktika a vonohet shndërrimi i një aktgjykimi në vendim të formës së prerë, Ndrecaj tha se aktualisht situata është shumë e ndjeshme, teksa shtoi se në këtë çështje ka të përfshira edhe elemente të korrupsionit.

“Tani e kemi situatën që kemi të bëjmë me çështje shumë të ndjeshme. Jemi në fazën ku institucionet e drejtësisë janë në fazën e luftës kundër korrupsionit, sepse abuzimi i autoritetit zyrtar, mbi bazën e së cilës shteti i Kosovës ka humbur 53 milionë, nënkupton që këtu ka elemente edhe të korrupsionit”, potencoi Ndrecaj.

Po ashtu, Ndrecaj thotë se dënimi për Lekajn ka qenë minimal, teksa ka shtuar se do të ishte mrekulli nëse ky rast përfundon me aktvendim të shkallës së prerë, brenda këtij viti.

Sipas aktgjykimit, Lekaj u dënua me 3 vite e 8 muaj burgim efektiv. Ndaj tij, gjykata shpalli edhe dënim plotësues, ndalimi i ushtrimit të funksionit publik në administratë publike ose në shërbimin publik në kohëzgjatje prej 3 vite e 6 muaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat