Sot hyn në fuqi rregullorja e BQK-së mbi pagesat me para të gatshme

Aktuale

Sot hyn në fuqi rregullorja e BQK-së mbi pagesat me para të gatshme

Më: 1 shkurt 2024 Në ora: 07:32
Foto ilustrim

Rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), e cila vendos që vetëm valuta euro të përdoret për pagesa me para të gatshme, do të hyjë në fuqi sot, ashtu siç parashihej.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka konfirmuar të mërkurën këtë duke thënë se do të sigurohet tranzicioni i lehtësuar. Ai nuk tregoi se sa do të zgjasë periudha e tranzicionit.

“Implementimi i rregullores nuk nënkupton ndalim të transfereve nga Serbia dhe nuk nënkupton dënime eventuale financiare për mbajtjen e valutës së një shteti tjetër”.

Megjithatë, ai tha se nga nesër nuk do te lejohet importimi i parave nëse, ai që bon importim, nuk është i licencuar nga BQK-ja.

Bislimi, po ashtu, tha se do të zhvillohet një fushatë për infomimin e qytetarëve dhe se shpreson për biseda mes bankave qendrore të Kosovës dhe të Serbisë për gjetjen e një mekanizmi për transfer transparent të mjeteve.

Sipas tij, Qeveria e Kosovës është e vendosur që “zbatimi i ligjshmërisë në secilën pjesë të territorit të Kosovës të jetë i pakushtëzuar dhe i pakompromis”.

“Në të njëjtën kohë, Qeveria e Republikës së Kosovës është e përkushtuar që në periudhat eventuale transitore të sigurojmë që qytetarët të adaptohen sa më shpejt, sa më lehtë dhe pa u dëmtuar”.

Rregullorja që lejon pagesat me para të gatshme në Kosovë të bëhen vetëm me euro ka nxitur shqetësimin e Beogradit dhe përfaqësuesve politik të serbëve në Kosovë, të cilët vlerësojnë se ky vendim rrezikon mbijetesën e komunitetit serb.

Sipas grupit QUINT, që përfshin SHBA-në, Britaninë e Madhe, Gjermaninë, Francën dhe Italinë, kjo çështje duhet të diskutohet më tej në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, i cili ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

BE-ja, në anën tjetër, kërkoi marrëveshje në dialog për vendimin e BQK-së.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha se për ta zbatuar këtë vendim në tërësi, Kosovës i duhet mbështetja e aleatëve.

“Sepse siç e dini, për secilën çështje që ka të bëjë me veriun e Kosovës, me shtrirjen e sovranitetit dhe me sigurinë e shtetit sa herë i kemi aleatët në krah tejkalohen këto sfida dhe realizohet mbrojtja e Kushtetutës tonë në tërësi”, tha ajo.

Presidentja Osmani tha se pret një pajtim mbi mënyrën e zbatimit të rregullores.

“Janë duke u diskutuar një sërë opsionesh të cilat në njërën anë do ta respektonin nenin 11 të Kushtetutës, por në anën tjetër do të lë një kohë për informimin e qytetarëve dhe bartjen e tyre le të themi në llogari të reja, në mënyrë që të mund të zbatohet pa asnjë problem dhe me përkrahjen e plotë të shteteve aleate”, tha ajo.

Zëvendëskryeministri Bislimi tha se duhet të hapen kanalet e komunikimit ndërmjet Bankës Qendrore të Kosovës dhe asaj të Serbisë për të lehtësuar këtë proces.

“Në aranzhimin e këtyre modaliteteve ka shembuj nga e kaluara ku për shembull qeveria e Republikës së Kosovës ka dërguar mbështetje për komunën e Preshevës e pastaj Banka Qendrore e Serbisë me automatizëm ka konvertuar eurot në dinarë dhe i ka transferuar në llogarinë e komunës së Preshevës. Njësoj siç ka panumërt shembuj kur Republika e Serbisë dërgon pagesa në euro në vendet fqinje. Sa më shpejt të arrihet ky dakordim aq më i madh është kontributi i këtyre dy bankave qendrore në largimin e brengave eventuale”, tha ai.

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismaili, tha më herët gjatë ditës se institucioni që ai drejton është i gatshëm për bashkëpunim.

“Ne jemi të gatshëm si Bankë Qendrore që të ndihmojmë nëse kërkohet në aspektin teknik edhe në aranzhime të tjera të nevojshme me Bankën Qendrore të Serbisë. Pra ne si Banka Qendrore mund të shohim mundësitë se si të lehtësojmë këtë proces, sepse në fund të ditës këta janë qytetarë të Kosovës që nuk do të duhej jeta e tyre të ndikohej prej rregullimit të sistemit financiar të vendit, do të duhej vetëm të përmirësohej jeta e tyre”, tha ai.

Ai theksoi se përdorimi i monedhave të tjera përveç euros është i kundërligjshëm, duke nënvizuar se rregullorja nuk është kundër asnjë komuniteti, por në funksion të mbrojtjes së sistemi bankar nga kartëmonedhat e falsifikuara, veprimtaritë që financojnë terrorizmin dhe pastrimi i parave.

Serbia, e cila nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, vazhdon ta përdorë dinarin për t’i paguar pensionet, ndihmat sociale dhe rrogat për institucionet paralele që ka në Kosovë.

Në Kosovë, në të gjitha vendbanimet me shumicë serbe, popullsia përdor dinarin serb për të kryer pagesa dhe ata që punojnë në institucionet serbe në Kosovë, i marrin edhe pagat me dinarë.

Me dinarë paguhen edhe pensionet, sipas sistemit serb, si dhe shtesat për fëmijë dhe ndihmat sociale. Në objektet tregtare, në zonat ku banojnë serbët në Kosovë, përveç euros, përdoret edhe dinari.

Bislimi tha se afro 27 mijë pensionistë serbë marrin pensione edhe nga Kosova, në xhirollogari të tyre bankare në valutën euro, dhe se ata mund t’i pranojnë pensionet nga Serbia në llogaritë e njëjta në valutën euro.

Ai shtoi se mijëra serbë të tjerë paguhen nga autoritetet kosovare me valutën euro në llogaritë e tyre bankare në Kosovë, dhe se ata që nuk kanë llogari bankare, mund t’i hapin ato për t’i pranuar të hollat në valutën euro në bankat komerciale në veri.

Bislimi tha se bashkësia ndërkombëtare nuk e vë në dyshim ligjshmërinë e rregullores, duke iu referuar takimeve të fundit të ambasadorëve të QUINT-it me kryeministrin Albin Kurti këtë javë, si dhe vizitës së të dërguarit të posaçëm të BE-së, Mirosllav Lajçak, në Prishtinë të martën.

Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara dhe anëtarët e tjerë të QUINT-it – Gjermania, Italia, Franca dhe Britania – kanë thënë se vendimi i BQK-së “ngre shqetësime në lidhje me ndikimin në veçanti në komunitetet me shumicë serbe”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat