Seancat e mbyllura rrisin mosbesimin ndaj Gjykatës Speciale

Aktuale

Seancat e mbyllura rrisin mosbesimin ndaj Gjykatës Speciale

Më: 1 shkurt 2024 Në ora: 19:51
Ilustrim

Pas një muaj seancash në gjyqin ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, në Hagë, të cilat kryesisht kanë qenë të mbyllura për publikun, ekspertët paralajmëruan se kjo do të rrisë dyshimet për gjykatën e krimeve të luftës në Kosovë.

Dhjetë seancat e para gjyqësore të vitit 2024 në gjyqin për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe tre të bashkëpandehurve të tjerë bashkë me të në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë u mbajtën pothuajse plotësisht në seanca të mbyllura.

Zyra e Prokurorit të Specializuar ka sqaruar se për çfarë kanë dëshmuar pesë dëshmitarët që janë dëgjuar gjatë kësaj periudhe, por as publiku dhe as gazetarët nuk kanë pasur mundësi që t’i ndjekin vetë dëshmitarët.

Seancat e mbyllura thjesht kanë nxitur akuzat e kahershme të kritikëve brenda Kosovës se gjykatës i mungon transparenca, thonë ekspertët për BIRN.

Eksperti ligjor me bazë në Kosovë, Amer Alija, tha se nga fillimi i gjyqit në prill 2023 deri në fund të janarit 2024, kohë gjatë së cilës 44 dëshmitarë kanë dëshmuar në gjykatë, “rreth 60 për qind e dëshmitarëve të dëgjuar dëshmuan në seanca të mbyllura për publikun”.

Më 7 nëntor 2023, gjyqtarët lëshuan një urdhër me gojë që synonte të siguronte një publicitet më të madh për procedurat. Ai ishte një vazhdim i një urdhri të mëparshëm që udhëzonte prokurorinë dhe mbrojtjen që të përpiqeshin t’i bënin procedimet më publike “duke pasur parasysh numrin e seancave private ose të mbyllura”.

Kur kërkojnë që dëshmia e një dëshmitari të mbrojtur ose informacioni konfidencial të redaktohet nga dokumentet e disponueshme publikisht, prokuroria dhe mbrojtja “duhet të kenë parasysh nevojën për të garantuar sasinë më të madhe të publicitetit, duke garantuar gjithashtu mbrojtjen efektive të atyre të cilëve u janë dhënë masa mbrojtëse”, u tha në një konferencë të mëvonshme për shtyp nga gjykata.

Megjithatë, pas më shumë se dy muajsh, situata nuk ka ndryshuar.

Alija tha se mendonte se urdhri i gjyqtarëve “nuk ishte një urdhër i rreptë se seancat tani e tutje do të mbaheshin patjetër publike”.

Seancat e shpeshta të mbyllura dhe mungesa e monitoruesve të pavarur në sallën e gjyqit nuk lejon mbikëqyrje dhe raportim të vazhdueshëm publik të gjykatës, duke shtuar mungesën e besimit në gjyqin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në mesin e njerëzve në Kosovë që tashmë kanë dyshimet e tyre në lidhje me motivet e gjykatës, paralajmëruan ekspertët.

Dhomat e Specializuara u krijuan për të gjykuar krimet që dyshohet se u kryen nga luftëtarët e UÇK-së gjatë dhe menjëherë pas luftës së Kosovës nga viti 1998 deri në vitin 2000. Ato janë pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, por janë të vendosura në Holandë dhe me personel ndërkombëtar.

Ato u krijuan nën presionin e aleatëve perëndimorë të Kosovës, të cilët druheshin se sistemi i drejtësisë i Kosovës nuk ishte mjaftueshëm i fuqishëm për të gjykuar rastet e lidhura me UÇK-në dhe për të mbrojtur dëshmitarët nga ndërhyrja. Por Gjykatë Speciale nuk shihet me sy të mirë nga shqiptarët e Kosovës, të cilët e shohin atë si një fyerje për luftën e UÇK-së për çlirimin nga sundimi serb.

Abit Hoxha, asistent profesor i medias dhe konfliktit me origjinë nga Kosova në Universitetin e Agderit në Norvegji, tha se ka “një shkallë mosbesimi brenda publikut që vjen me mandatin e kësaj gjykate dhe mënyrën se si ajo u krijua”.

“Mungesa e transparencës e procesit çon në një narrativë mospranimi të ndonjë vendimi të gjykatës, që më pas shkakton problem për legjitimitetin e kësaj gjykate”- shtoi Hoxha.

“Problemi kryesor është se shumica në Kosovë beson se gjykata nuk ka legjitimitet, pavarësisht se është miratuar nga parlamenti”, theksoi ai.

Megjithatë, ai theksoi se pavarësisht mungesës së përgjithshme të besimit ndaj Dhomave të Specializuara, asnjë qytetar i Kosovës nuk është përpjekur t’i shmangë akuzat ndaj tyre të ngritura nga gjykata.

Pesë dëshmitarët e parë të rinj të vitit 2024 – dëshmitarët 40 deri në 44 në gjyq – dëshmuan me dyer të mbyllura për rolin e luajtur nga kreu politik i UÇK-së gjatë kohës së luftës, Thaçi, si dhe për vrasjet e supozuara nga ish-luftëtarët e UÇK-së, sipas prokurorisë. Pretendimet e tyre nuk mundën të dëgjoheshin nga publiku.

I vetmi dëshmitar që dëshmoi në seancat e hapura në janar ishte dëshmitari i 39-të, serbi Dejan Jeftiq, i cili vazhdoi dëshminë që filloi të jepte në dhjetor, duke i thënë gjykatës se ai dhe dy nga të afërmit e tij ishin rrëmbyer dhe keqtrajtuar nga anëtarët e UÇK-së.

Alija tha se për shkak se procesi gjyqësor shpesh nuk është publik, “publiku e ka të vështirë të krijojë një opinion objektiv në lidhje me vendimin përfundimtar”. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat