Dënohen me 65 mijë euro tre të akuzuarit për rastin “Brezovica 1”

Aktuale

Dënohen me 65 mijë euro tre të akuzuarit për rastin “Brezovica 1”

Më: 1 shkurt 2024 Në ora: 20:07
Pamje nga gjykata

Të akuzuarit, Blerim Imeri, Naser Kelmendi dhe Arian Idrizaj, janë dënuar me 65 mijë euro për veprën penale “ndotja, degradimi dhe shkatërrimi i mjedisit”

Gjykatësi i kësaj çështjeje, Ilir Bytyqi, ka njoftuar se të akuzuarit, Blerim Imeri, Naser Kelmendi dhe Arian Idrizaj, më 30, 31 janar 2024, kanë arritur marrëveshje për pranimin e fajësisë me Prokurorinë Themelore në Ferizaj, raporton “Betimi për Drejtësi”

Sipas marrëveshjes së arritur me prokurorinë, i akuzuari Blerim Imeri është dënuar me dënim burgimi në kohëzgjatje prej 6 muajsh, i cili dënim me pëlqimin e të akuzuarit është zëvendësuar në dënim me gjobë në shumë prej 5 mijë eurosh, si dhe dënim me gjobë në shumë prej 10 mijë eurosh, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Njëkohësisht, i akuzuari Imeri është obliguar të bëjë kompensimin e dëmit për Drejtorinë e Parkut Kombëtar Sharri, në shumë prej 10 mijë eurosh, të gjitha në afat prej 30 ditësh nga pranimi i marrëveshjes për pranim fajësie nga ana e gjykatës.

Sipas marrëveshjes së arritur me prokurorinë, i akuzuari Naser Kelmendi është dënuar me dënim burgimi në kohëzgjatje prej 6 muajsh, i cili dënim me pëlqimin e të akuzuarit Kelmendi, u zëvendësua në dënim me gjobë në shumë prej 5 mijë eurosh, si dhe dënim me gjobë në shumë prej 10 mijë eurosh, të cilat do t’i paguajë në afat prej 30 ditësh nga pranimi i marrëveshjes për pranim fajësie nga ana e gjykatës.

Po ashtu, sipas marrëveshjes së arritur me prokurorinë, i akuzuari Arian Idrizaj është dënuar me dënim burgimi në kohëzgjatje prej 6 muajsh, i cili dënim me pëlqimin e të akuzuarit u zëvendësua në dënim me gjobë në shumë prej 5 mijë eurosh, si dhe dënim me gjobë në shumë prej 10 mijë eurosh, në afatin ligjor prej 30 ditësh.

Gjithashtu, i akuzuari Idrizaj është obliguar të bëjë kompensimin e dëmit për drejtorinë e Parkut Kombëtar Sharri, në shumë prej 10 mijë eurosh, të gjitha në afat prej 30 ditësh nga pranimi i marrëveshjes për pranim fajësie.

Paraprakisht, avokatët e tyre, Fatlum Podvorica, Bajram Morina dhe Skender Musa, janë pajtuar me veçimin e kësaj procedure, pasi të mbrojturit e tyre kanë arritur marrëveshje me Prokurorinë Themelore në Ferizaj.

Po ashtu, të njëjtit si dhe prokurori i çështjes Rasim Maloku, kanë propozuar që gjykata të aprovojë këtë marrëveshje, ngase, sipas tyre, është bërë në vullnet të plotë dhe pas konsultimeve të mjaftueshme të të akuzuarve me mbrojtësit e tyre.

Më pas, gjyqtari Bytyqi ka aprovuar këtë marrëveshje dhe njoftoi se të njëjtit dënohen sipas marrëveshjes së nënshkruar në mes tyre dhe Prokurorisë Themelore në Ferizaj.

Në këtë fazë të procedurës është dhënë fjala hyrëse, me ç’rast prokurori Rasim Maloku deklaroi se pasi të prezantohen provat si në aktakuzë, do të vërtetohet gjendja faktike si në aktakuzë.

“Në këtë rast do të prezantohen provat, do të dëgjohen dëshmitarë, ekspertë, ku pas administrimit të këtyre provave prokuroria vlerëson se do të vërtetohen dispozitivat e kësaj aktakuze”, tha prokurori Maloku

Mbrojtësi i të akuzuarit Dragomir Millosavljeviq, avokati Dalip Bega tha se pas administrimit të provave do të vërtetohet pafajësia e të mbrojturit të tij dhe se do të rezultojë me aktgjykim lirues.

Mbrojtësi i të akuzuarit Hysni Bajrami, avokati Elmaz Zenuni, fjalën hyrëse e kishte përgatitur në formë të shkruar të cilën ua dorëzoi palëve në procedurë.

Mbrojtësi i të akuzuarit Rijad Hasani, avokati Mexhid Syla deklaroi se në këtë fazë të procedurës nuk do të lëshohet në fjalë hyrëse, siç e përcakton kodi i procedurës, pasi do të arrihet marrëveshje për pranimin e fajësisë për shqyrtimin e radhës, ku gjykata do të njoftohet me kohë.

Mbrojtësi i të akuzuarit Fatmir Grainca, avokati Arsim Bilalli tha se konsideron fuqishëm që gjatë shqyrtimeve gjyqësore do të vërtetohet pafajësia e të mbrojturit të tij, i njëjti tha se do të vërtetohet se ndërtimi i objektit në fjalë është bërë konform dispozitave përkatëse.

Mbrojtësi i të akuzuarit Labinot Vitija, avokati Betim Shala, tha se do të vërtetohet se veprimet e të mbrojturit të tij nuk përmbushin asnjë nga elementet themelore të veprës penale, i njëjti tha se gjatë shqyrtimeve gjyqësore do të vërtetohet pafajësia e të mbrojturit të tij.

Tutje, në këtë shqyrtim gjyqësor është dëgjuar dëshmitari Abdurrahman Rexhepi, i cili tha se ka punuar në zonën e Brezovicës si punëkryes tek investitori Fatmir Grainca, ku fillimisht tha se kishte ndërtuar dy objekte për këtë investitor.

I pyetur nga prokurori Rasim Maloku, se përveç dy objekteve a ka ndërtuar villa të tjera, dëshmitari Rexhepi tha se më vonë e kishte ndërtuar edhe një villë.

“Po, më vonë e kam ndërtuar edhe një villë për të njëjtin investitor, kjo ka qenë villa e tretë, e cila është afër restaurantit “Apollonia” në Brezovicë, kjo villë është afër lumit dhe rrugës” tha dëshmitari Rexhepi

Prokurori Maloku e ka pyetur dëshmitarin se a i kishte prezantuar investitori leje ndërtimi për villën e tretë, dëshmitari Rexhepi tha se i kishte prezantuar lejen e ndërtimit.

Dëshmitari Rexhepi tha se gjatë punimeve të villës së tretë, kishte pasur inspektim nga inspektorët e ndërtimit të Komunës së Shtërpcës, të cilit quhen Dragomir Millosavljeviç dhe Hysni Bajrami.

“Nga ana e Inspektorëve të Ministrisë nuk ka pasë inspektim, tek më vonë pas ndërtimit të villës së tretë, ku unë kam bërë një punë shtesë brenda objektit dhe gjatë kësaj kohe kanë ardhë Inspektorët e Ministrisë, të njëjtit më kanë ndaluar punën dhe ne jemi larguar. Pas kësaj ndërprerje më nuk jam ftuar të punoj nga investitori për villën e tretë”, tha dëshmitari Rexhepi.

Mbrojtësi i të akuzuarit Fatmir Grainca, avokati Arsim Bilalli e ka pyetur dëshmitarin se pasi deklaroi se iu kishte prezantuar leja ndërtimore nga tani i akuzuari Grainca, si ndërtimtar i atij objekti a e kishte ndërtuar konform lejes ndërtimore apo kishte devijuar si dhe a i kishte kërkuar i akuzuari Grainca që të bëhej ndonjë devijim i ndërtimit në raport me lejen.

Dëshmitari ka thënë se nga i akuzuari Fatmir Grainca nuk i është kërkuar që të devijojë punimet dhe ka punuar sipas lejes ndërtimore.

Shqyrtimi i radhës për këtë rast është caktuar më 06 janar 2024, në orën 09:00.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat