Shtyhet seanca fillestare ndaj anëtarëve të VV-së për gazin në Kuvend

Aktuale

Shtyhet seanca fillestare ndaj anëtarëve të VV-së për gazin në Kuvend

Më: 6 shkurt 2024 Në ora: 10:21
Kuvendi i Kosovës

Është shtyrë seanca e shqyrtimit fillestar në rastin ndaj katër zyrtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës më 21 mars 2018. Seanca është shtyrë për 28 shkurt.

Xhelal Sveçla, Drita Millaku, Salih Zyba dhe Fitore Pacolli-Dalipi, gjatë periudhës si deputetë të VV-së akuzohen se me hedhjen e gazit lotsjellës kanë kryer veprën penale të “përdorimit të armës ose mjetit të rrezikshëm” dhe “pengimit të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare”. Aktakuza ishte ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë më 29 korrik 2019.

Në arsyetimin e shtyrjes, gjyqtari Sabit Sadikaj ka thënë se po pret përgjigje nga Drita Millaku për shkak të gjendjes shëndetësore. Nëse nuk përmirësohet, gjykata pritet ta veçojë procedurën ndaj saj dhe të tjerëve.

Sveçla, Zyba dhe Pacolli para gjykatës kanë thënë se nuk konsiderojnë se kanë nevojë për avokatë. Gjyqtari i ka njoftuar se mbrojtja është e obligueshme dhe se do të caktojë avokatë sipas detyrës zyrtare për ta.

Deputetët e VV-së nëpërmjet gazit lotsjellës protestonin në Kuvend në përpjekje për të ndaluar votimin e marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi.

Sveçla aktualisht është ministër i Punëve të Brendshme. Tre të tjerët janë deputetë të VV-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat