​Japonia jep donacion në vlerë prej 140 mijë eurosh për Dragashin dhe Mamushën

Aktuale

​Japonia jep donacion në vlerë prej 140 mijë eurosh për Dragashin dhe Mamushën

Më: 6 shkurt 2024 Në ora: 13:51
Foto nga vendi i ngjarjes

Dy projekte në vlerë prej 140 mijë euro, të cilat përfshijnë projektin për sigurimin e deponimit të mbeturinave në Restelicë të Dragashit dhe sigurimin e një radiografie në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Mamushë, u nënshkruan sot përmes një ceremonie nga Ambasada e Japonisë dhe kryetarët e këtyre dy komunave.

Ambasadori i Japonisë në Kosovë, Keisuke Yamanaka tha se përmes këtij projekti, Komuna e Dragashit do të përkrahet për ndërtimin e Deponimit të Mbeturinave dhe vendosjen e kontenjerëve për grumbullimin e mbeturinave në fshatin Restelicë.

Ai shtoi se ky projekt do të përmirësojë shërbimin e grumbullimit të plehrave dhe do të kontribuojë për ta bërë qytetin më të pastër dhe më komod për të jetuar banorët e kësaj zone.

Yamanaka theksoi se me këtë projekt do të përfitojnë rreth 4700 banorë që jetojnë në këtë fshat.

Ndërkaq, në lidhje me donacionin për Komunën e Mamushës, Yamanaka potencoi se me nënshkrimin e këtij projekti, qytetarët e Mamushës nuk do të kenë nevojë më të udhëtojnë nëpër komuna të tjera për ta bërë radiografinë, ngase QKMF-ja do të pajiset me një aparat të tillë në kuadër të Grantit Ndihmës Japonez për Projektet e Sigurisë Bazike Njerëzore për vitin 2023.

Nga ky projekt për sigurimin e pajisjes me rreze X, pritet që të përfitojnë afro 1500 pacientë në vit.

Yamanaka: Kontratat e grantit që do të nënshkruajmë sot janë rreth 140 mijë euro

Kontratat e grantit që do të nënshkruajmë sot janë rreth 140 mijë euro. Përmes këtij projekti, Komuna e Dragashit do të përkrahet për ndërtimin e Deponimit të Mbeturinave dhe vendosjen e kontejnerëve për grumbullimin e mbeturinave në fshatin Restelicë. Ai do të përmirësojë shërbimin e grumbullimit të plehrave dhe do të kontribuojë për ta bërë qytetin më të pastër dhe më komod për të jetuar banorët. Me këtë projekt do të përfitojnë rreth 4700 banorë që jetojnë në këtë fshat. Në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Komunën e Mamushës do të sigurohet një radiografi e cila do tu mundësojë qytetarëve të kenë qasje në ekzaminime mjekësore cilësore, pa pasur nevojë të udhëtojnë në komuna tjera. Pritet që mbi 1500 njerëz të përfitojnë çdo vit nga ky projekt. Çështja e mjedisit dhe kujdesit shëndetësor janë të spikatura në mirëqenien e njerëzve. Kjo është arsyeja që Japonia ka mbështetur këto dy fusha në Kosovë për më shumë se një dekadë”, tha Yamanaka.

Kryetari i Komunës së Dragashit, Bexhet Xheladini derisa falenderoi ambasadorin e Japonisë në Kosovë për këtë donacion, tha se kjo iniciativë nuk paraqet vetëm mbështetje financiare për këtë komunë, por është edhe një eksperiencë profesionale për të aplikuar praktikat më të mira të popullit japonez.

Xheladini potencoi se kjo mbështetje nga Japonia, nuk është e para për Dragashin, për çka përmendi se para pak kohësh, kanë pranuar katër kamionë e mjete të tjera për transportin dhe mbledhjen e mbeturinave, një pikë grumbullimi për ruajtjen e përkohshme të mbeturinave në fshatin Brod si dhe rregullimin e vendit të goditur nga orteku u borës në fshatin Restelicë.

Xheladini: Shpresoj që kjo fazë e re e projektit do të forcojë edhe më tej lidhjet tona me Japoninë

"Jam i lumtur që sot jemi mbledhur këtu për të festuar dhe shprehur falënderimin ndaj Ambasadës së Japonisë për zemërgjerësinë e tyre të bujshme dhe mbështetjen në një iniciativë të rëndësishme që do të kontribuojë ndjeshëm në përmirësimin e menaxhimit të mbeturinave të komunitetit jo shumicë në Komunën e Dragashit...Me krenari kemi nënshkruar marrëveshjen për projektin e ndarë nga Ambasada e Japonisë i cili do të na mundësojë të ndërmarrim hapat drejt një menaxhimi më efikas dhe më të qëndrueshëm të mbeturinave...Kjo iniciativë nuk parqet vetëm mbështetje financiare nga ana e Ambasadës së Japonisë por edhe një eksperiencë profesionale që do të na ndihmojë të implementojmë praktikat më të mira nga Japonia në komunitetin tonë lokal...Shpresoj që kjo fazë e re e projektit do të forcojë edhe më tej lidhjet tona dhe do të na lejojë të realizojmë së bashku synimet ambicioze për përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve tanë", tha Xheladini.

Ndërkaq, kryetari i Komunës së Mamushës, Abdulhadi Krasniç tha se ky është nënshkrimi i projektit të parë mbështetës me Ambasadën e Japonisë, për çka shtoi se pret edhe përkrahje të tjera në fushën e arsimit, shëndetësisë dhe bujqësisë.

Ai shtoi se është kënaqësi që përmes këtij donacioni të kenë mundësinë të njoftohen nga afër me disiplinën dhe kulturën e njerëzve nga Japonia.

Krasniç: Presim mbështetje të mëtutjeshme nga Ambasada e Japonisë

"Kjo është ndoshta projekti i parë me Ambasadën Japoneze që jemi duke e bërë si Komunë e Mamushës...Patëm rastin të bisedojmë edhe në zyrën e ambasadorit për gjendje ekonomike në Mamushë dhe i shpjegova që është qendra bujqësore e Kosovës dhe presim projekte të tjera, mbështetjen e Ambasadës Japoneze në projekte të ndryshe, në arsim, në shëndetësi, në bujarësi për komunën e Mamushës dhe komunitetin që jeton në Mamushë. Është kënaqësi me disiplinën e popullit japonez edhe ne të njoftohemi...Ne presim bashkëpunime të mëtutjeshme me Ambasadën dhe ambasadorin e Japonisë në Kosovë, për projekte të ndryshme bashkërisht çka mund të bëjmë për komunitetin në Komunën e Mamushës", potencoi Krasniç.

Gjatë kësaj ceremonie të nënshkrimit, u tha se Ambasada e Japonisë do të mbetet e përkushtuar për të mbështetur Kosovën në përpjekjet e saj për të zhvilluar vendin dhe për të përmirësuar jetën e njerëzve. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat