Besnik Bislimi i reagon BE-së për veprimin e njëanshëm të Serbisë, spastrimin etnik me metoda administrative në Preshevë

Aktuale

Besnik Bislimi i reagon BE-së për veprimin e njëanshëm të Serbisë, spastrimin etnik me metoda administrative në Preshevë

Më: 6 shkurt 2024 Në ora: 17:36
Besnik Bislimi

Zëvendëskryeministri dhe kreu i ekipit negociator të Kosovës në dialog me Serbinë, Besnik Bislimi, ka reaguar pas vendimit të Serbisë për të shkurtuar buxhetin e Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginën e Preshevës.

Përmes një postimi në platformën X, Bislimi ka thumbuar Bashkimin Evropian, duke thënë se nuk e shohin si veprim të njëanshëm të Serbisë ‘spastrimin etnik nëpërmjet metodave administrative’.

Ai është shprehur se Kosova dënon padrejtësinë e Serbisë ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

 “Kështu duket minoriteti më i diskriminuar në Evropë. Spastrimi etnik nëpërmjet metodave administrative, tash po vazhdohet edhe me shkurtimin e buxhetit të Këshillit Kombëtar Shqiptar. Por, ndoshta BE-ja ende nuk e sheh këtë si veprim të njëanshëm të Serbisë. Prandaj, nuk ka nevojë për përshtatje dhe nuk ka shqetësim për implikimet për popullatën shqiptare. Kosova dënon padrejtësinë e Serbisë ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Ne qëndrojmë të fortë dhe të vendosur për ta luftuar për barazi dhe trajtim të drejtë”, shkroi Bislimi.

Ndryshe, kreu i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Nevzad Lutfiu, të hënën njoftoi për shkurtimin e buxhetit.

Lutfiu ka thënë se do të jetë jashtëzakonisht i vështirë funksionimi i Këshillit, teksa u shpreh se ky kërcenim nuk do ti zmbraps nga puna.

“Ministria për të Drejtat e Njeriut dhe Minoriteteve në vend që ta rrisë buxhetin për Këshillin Kombëtar Shqiptar për vitin 2024 e ka ulur atë për mbi 1 milion dinarë. Buxheti për institucionin tonë do duhej të rritej për shkak regjistrimit të popullsisë në vitin 2022, kjo jo që nuk u mor parasysh, përkundrazi e ulën buxhetin. Kjo e vështirëson jashtëzakonisht shumë funksionimin e Këshillit Kombëtar Shqiptar. Lidhur me këtë i njoftuam ndërkombëtarët. As ky kërcënim nuk do të na zmbraps nga puna, përkundrazi do të punojmë edhe më fuqishëm për të drejtat tona, pavarësisht diskriminimeve dhe vendimeve skandaloze si ky!”, shkroi ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat