Projektligji për KPM-në, përplasje mes Tahirit e Bislimit në Komision

Aktuale

Projektligji për KPM-në, përplasje mes Tahirit e Bislimit në Komision

Më: 7 shkurt 2024 Në ora: 12:10
Besnik Beslimi

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Beslimi, ka lavdëruar Projektligjin e shumë-kritikuar nga shoqëria civile, organizatat vendore e ndërkombëtare të gazetarëve për Komisionin e Pavarur për Media.

Në Komisionin për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal, Bislimi  ka thënë se projektligji i ri për Komisionin e Pavarur të Mediave (KPM) do të rrisë transparencën e pronësisë së mediave.

Bislimi ka thënë se ky projektligj është në përputhje me direktivat evropiane.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Isak Shabani, ka rekomanduar që ky projektligj të dërgohet për vlerësim në Komisionin e Venecias.

“Kam disa vërejtje për të cilat nuk do të flas në grupe punuese. Mediat nuk janë të lira me këtë projektligj. Do të ketë mundësi që t’i cungohen disa liri dhe kësaj i vjen era diktaturë”, ka thënë ai.

Por në kundërpërgjigje, Bislimi ka ironizuar duke thënë se “ose nuk qëndron ajo që nuk kemi transpozuar direktivën evropiane ose direktivat evropiane janë kundër lirisë së mediave”.

“Askush nuk e cungon të drejtën për të dhënë komente, por askush nuk jep siguri që komentet të jenë të sakta… një ekonomi që synon t’i përafrohet Komisionit Evropian synon formalitet e jo informalitet”, ka deklaruar zëvendëskryeministri, duke iu referuar obligimit për regjistrim në KPM të mediave online që publikojnë video siç parashihet në projektligj.

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka thënë se ky projektligj po shihet si tendencë e Qeverisë për t’i kontrolluar mediat. 

“E them me kompetencë që projektligj i përgatitur nga zyra e kryeministrit ka pasë mostransparencë të madhe sa i përket konsultimeve publike”, ka thënë Tahiri. 

Më pas, ka vazhduar përplasja verbale mes Tahirit e Bislimit. 

Për këtë projektligj, javën e kaluar, KPM-ja dhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) mbajtën konferencë të jashtëzakonshme, duke akuzuar Qeverinë se po tenton t’i fusë nën kontroll mediat. Për projektligjin, Qeveria u kritikua edhe nga organizata ndërkombëtare të mediave.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat