Mustafa (PDK): Nxitimi për ndalimin e dinarit rrezikon raportet me aleatët

Aktuale

Mustafa (PDK): Nxitimi për ndalimin e dinarit rrezikon raportet me aleatët

Më: 8 shkurt 2024 Në ora: 08:29
Arben Mustafa

Koordinatori për Financa në kuadër të Kabinetit për Qeverisje të Mirë të PDK-së, Arben Mustafa, ka thënë se nxitimi për ndalimin e dinarit po rrezikon raportet me aleatët e Kosovës.

Në Edicionin Special në Klan Kosova, ai e ka kritikuar Qeverinë Kurti për marrjen e primatit të këësaj teme, e cila sipas tij është çështje krejtësisht që i takon Bankës Qendrore të Kosovës.

“Ku qëndron ngutia kaq e madhe që kjo rregullore të hyjë në fuqi ose tani ose kurrë dhe të krijojë gjithë këtë përplasje me partnerët ndërkombëtarë. Problemi tjetër është involvimi i qeverisë. Çka ka të kërkojë qeveria në këtë temë, ne nuk kemi problem me rregulloren, nëse e lexon rregulloren e BQK-së nuk ka asgjë të keqe, është e formuluar në mënyrë profesionale”, ka thënë Mustafa.

“Problemi ynë është involvimi i qeverisë, marrja e flamurit nga qeveria për këtë temë që nuk i takon dhe në këtë mënyrë e ka shndërruar në temë politike dhe acarim me partnerët ndërkombëtarë”, ka shtuar ai.

Tutje, ai ka thënë se PDK-ja nuk është kundër zbatimit të kësaj rregulloreje, por sipas tij, kjo çështje nuk duhet të merret me nxitim dhe t’i dëmtojë raportet me partnerët ndërkombëtarë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat