Deliu: Qeveria synon t’i kontrollojë mediat online me projektligjin për KPM-në, kjo i hap rrugë autoritarizmit

Aktuale

Deliu: Qeveria synon t’i kontrollojë mediat online me projektligjin për KPM-në, kjo i hap rrugë autoritarizmit

Më: 8 shkurt 2024 Në ora: 11:36
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu tha se Qeveria po kërcënon mediat online me kontroll, duke iu referuar ndryshimeve që Ekzekutivi synon t’i bëjë në projektligjin që parasheh rregullimin e mediave online.

Deliu tha në Kuvend se kjo “i hap rrugë autoritarizmit dhe cenzurës”.

“Këto ndryshime dekurajojnë gazetarët të raportojnë për çështje me interes publik nga frika e hakmarrjes shtetërore të cilën e kemi pa disa herë. Për më tepër, kontrolli shtetëror i medias minon edhe aspiratën e Kosovës për integrim në Bashkimin Europian”, tha ajo.

Deliu kërkoi që Qeveria “ta rishikojë e ta rishqyrtojë prpozimin e saj për ta kontrolluar median online”.

“I bëj po ashtu thirrje që të dëgjohen zërat e gazetarëve dhe të respektohen parimet e demokracisë. Të tërheqin këtë projektligj të rrezikshëm para se të bëhet vonë”, tha ajo.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) dhe Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës (KMSHK) para pak ditësh i kanë bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të heqë dorë menjëherë prej ndryshimeve në projektligjin që parasheh rregullimin e mediave online.

Projektligj për Komisionin e Pavarur të Mediave, është miratuar nga Qeveria më 27 dhjetor të vitit të kaluar, dhe është dërguar për miratim në Kuvendin e Kosovës.

Ky hap i ekzekutivit është konsideruar përpjekje e re e Qeverisë aktuale që t’i sulmojë mediat.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat