Këshilla e ekspertit amerikan për Kurtin: Godite topin përpara Albin

Aktuale

Këshilla e ekspertit amerikan për Kurtin: Godite topin përpara Albin

Më: 9 shkurt 2024 Në ora: 10:17
Edward Joseph

Eksperti amerikan për Ballkanin Perëndimor, Edward Joseph, ka komentuar seancën e mbrëmshme në Këshillin e Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, ku ka kritikuar kryeministrin e Republikës së Kosovës, Albin Kurti, për të cilin tha se ka shkaktuar dëme ndaj interesave kombëtare.

Përmes një shkrimi në platformën X, Joseph ka ndarë edhe këshilla për kryeministrin Kurti, duke thënë se “mënyra e vetme për t’u rikuperuar nga një autogol, është të shënosh në rrjetën tjetër”.

“Kjo seancë e KS të OKB-së duhet të shënojë një pikë kthese në politikën e Prishtinës. Albin Kurti dhe bashkëpunëtorët e tij të ngushtë partiakë duhet të kuptojnë dëmin e vetëshkaktuar ndaj interesave kombëtare të Kosovës nga populizmi i pandërprerë. Tani është koha për të ndryshuar kursin”, shkruan Joseph.

Ai thotë se së pari për euro/dinarin, Kurti duhet të prodhojë një plan, jo një ndalim.

“Së dyti, mënyra e vetme për t’u rikuperuar nga një autogol është të shënosh në rrjetën tjetër”, shkruan Joseph, duke thënë se duhet të zbatohet vendimi i Deçanit dhe të punohet seriozisht me Ambasadën Amerikane për zbatimin e Ohrit.

“Shkurtimisht, tregojini të gjithëve ndryshimin midis mënyrës se si një demokraci i trajton qytetarët e saj pakicë – dhe një autokracie të dëshpëruar për t’u kapur pas pushtetit. Godite topin përpara, Albin, jo prapa”, shkroi ai.

Ndryshe, në seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë shkëmbyen akuza të rënda, përfshirë rreth zbatimit të vendimit për kufizimin e importit të dinarit serb në Kosovë, ndërkohë që ambasadorët e vendeve perëndimore kërkuan nga palët të përmbahen nga veprimet e njëanshme që mund të çojnë drejt përshkallëzimit të situatës.

Image
Komentet e  Edward Joseph
Image
Komentet e Edward Joseph

 

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat