Viti i ri vazhdon me avazin e vjetër në Kuvendin e Kosovës, pozita e opozita s’merren vesh për ligje të rëndësishme

Aktuale

Viti i ri vazhdon me avazin e vjetër në Kuvendin e Kosovës, pozita e opozita s’merren vesh për ligje të rëndësishme

Më: 11 shkurt 2024 Në ora: 22:40
Kuvendi i Kosoves

Edhe në sesionin e ri të Kuvendit të Kosovës, është përsëritur kushtëzimi i muajve të kaluar nga ana e ekzekutivit. Ata nuk po përgjigjen në pyetjet parlamentare përderisa opozita nuk po i voton marrëveshjet ndërkombëtare.

Përveç si praktikë të keqe, monitoruesit e konsiderojnë këtë edhe shkelje të kushtetutës, teksa kritika shkojnë edhe për kryeparlamentarin që po qëndron i heshtur përballë këtij problemi.

Disa praktika jo fort të mira në Kuvendin e Kosovës, nga viti i kaluar janë bartur edhe në këtë vit.

As në seancën e kësaj jave, ministrat e kabinetit të Kurtit, nuk po u janë përgjigjur pyetjeve parlamentare të deputetëve, pasi të njëjtat i kanë kushtëzuar me votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare nga opozita.

Këtë praktikë e kishte filluar i pari vetë kryeministri, e tash po ia respektojnë edhe vartësit e tij.

Por këtë çështje po e sheh tepër problematike Arbër Thaçi nga Instituti Demokratik i Kosovës, që kërkon nga krye parlamentari të ketë një rol më aktiv lidhur në këtë çështje.

“Dhënia e përgjigjeve parlamentare është një obligim i domosdoshëm, nga secili anëtar i ekzekutivit dhe le të themi nuk ekziston një mundësi që përgjigja e pyetjeve parlamentare të kthehet në një mjet politik të përdorshëm në këtë raportin e çuditshëm pushtet-opozitë”, ka thënë Arbër Thaçi nga IKD.

Se Glauk Konjufca po qëndron indiferent karshi kësaj shkeljeje e thotë edhe Naim Jakaj i Institutit të Kosovës për Drejtësi, përderisa vetë kushtëzimi thotë se është shkelje e kushtetutës.

“Ne si IKD konsiderojmë që është e dëmshme dhe nuk është në pajtim me Kushtetutën e Kosovës, pra kur qeveria kushtëzon, bën shkelje të kushtetutës dhe parimeve të saj, ku flitet për mbikëqyrjen parlamentare, për llogaridhënien ndaj kuvendit, rrjedhimisht ndaj qytetarëve të saj“, ka deklaruar Naim Jakaj nga IKD.

Veç këtë të enjte ishin grumbulluar 70 pyetje parlamentare të cilat nuk morën përgjigje, në ndërkohë që as 8 marrëveshjet ndërkombëtare nuk ia dolën as të hidhen në votim, në mungesë kuorumi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat