Deputeti gjerman, Knut Abraham, thotë se Kosova ka të drejtë për valutën euro

Aktuale

Deputeti gjerman, Knut Abraham, thotë se Kosova ka të drejtë për valutën euro

Më: 13 shkurt 2024 Në ora: 20:49
Knut Abraham

Deputeti i Bundestagut gjerman, Knut Abraham, thotë se Kosova ka vepruar drejtë me vendimin e marrë që pagesat të kryhen vetëm me valutën euro brenda territorit të vendit. Ai tutje ka kritikuar presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për retorikën e tij nxitëse ndaj Kosovës.

Nga Berlini po e përcjell me vëmendje vendimin e Bankës Qendrore të Kosovës, që përcakton që euroja të jetë valuta e vetme që mund të përdoret për pagesa me para të gatshme në gjithë Kosovën.

Deputeti konservator gjerman nga radhët e CDU-se, Knut Abraham, thotë se ky është një vendim i drejtë nga institucionet e Kosovës, e që mbështetet në kushtetutën e vendit.

Por ai i ka disa rekomandime për këtë çështje.

“Pika kryesore është që vendimi i BQK-së thjesht është në pajtim me Kushtetutën e Kosovës së Pavarur. Kjo është pika e parë dhe më e rëndësishme për të pasur parasysh. Kjo do të thotë që nuk është vetëm legale, por edhe ligjore për shtetin e Kosovës, të përcaktojë cilat valuta përdoren në territorin e saj dhe kjo është çfarë po ndodh tash. Por, mendoj që ka shumë gjëra në lidhje me shqiptimin, dhe rekomandimi im do të ishte mos të përdoret fjalia ‘ndalesa e dinarit’, por zëvendësimi me valutën që parashihet për shtetin tuaj”, thotë ai.

Deputeti i Bundestagut gjerman, Abraham, thotë se qytetarët në veri nuk janë të informuar mirë për këtë vendim, prandaj ka pasur edhe reagime nga ta.

Sipas tij, institucionet e Kosovës e kanë për detyrë që t’i adresojnë mirë këto çështje.

“Kapni për dore qytetarët, kryesisht në veri, dhe u tregoni hapat që duhet të ndërmerren, e edhe më qartë u tregoni çfarë nuk nënkuptohet me këto. Për shembull ka thashetheme që thonë se ata s’do të mund të marrin para nga Serbia dhe krejt kjo duhet të adresohet në një mënyrë shumë të kuptueshme. Jam i bindur që popullsia në veri do të adaptohet me këtë. Pika e rëndësishme është periudha e tranzicionit. Kjo ka nevojë për komunikim më të mirë. Përsëri, ky vendim nuk nënkupton ndalimin e dinarit, gjithmonë mund të këmbejnë dinarët me euro, që është valuta e Kosovës.

Pra, nuk ndalohet të posedosh dinarë, por në përdorim zyrtar do të jetë vetëm euro. Me të kuptuar njerëzit që askush nuk po ju merr paratë në këtë proces jam i sigurt që s’do të ketë tensione”, thotë ai.

Tutje, Knut Abraham, i ka quajtur gënjeshtra pretendimet e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, i cili e akuzon kryeministrin Kurti se ka për qëllim dëbimin e serbëve nga Kosova.

Problemi me deklaratën është që presidenti i Serbisë e bën deklaratën për çfarëdo zhvillimi dhe ngjarje në rajonin dhe vendin tuaj. Unë nuk mendoj që është një arsye për t’u brengosur aq shumë. Është një rrenë, të gjithë e dinë që është rrenë dhe shumë njerëz në veri të Kosovës e dinë që kjo është një rrenë, dhe kjo s’do të kalojë, por e vërteta dhe njerëzit do të mësohen me këtë, thotë ai.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian kanë kërkuar që çështja e dinarit serb, të trajtohet në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e bllokut evropian.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat