Kryeministri Kurti mori pjesë në pritjen e organizuar nga ambasada e Japonisë me rastin e ditëlindjes së perandorit

Aktuale

Kryeministri Kurti mori pjesë në pritjen e organizuar nga ambasada e Japonisë me rastin e ditëlindjes së perandorit

Më: 14 shkurt 2024 Në ora: 22:38
Pamje nga vendi i ngjarjes

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë mbrëmjen e sotme në pritjen e organizuar nga ambasada e Japonisë, me rastin e ditëlindjes së perandorit. Pjesëmarrja e tij vjen edhe pas takimit të mbajtur më herët gjatë ditës me ambasadorin jorezident të Japonisë, Ryuta Mizuuchi.

Në fjalën e tij, kryeministri Kurti u shpreh: “Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe në emrin tim, t'i dërgoj urimet tona më të ngrohta Madhërisë së Tij Perandorit Naruhito me rastin e ditëlindjes së tij. Ne përcjellim urimet tona më të përzemërta për shëndet të mirë, begati dhe përpjekje fisnike të Madhërisë së Tij për popullin japonez”.

Më tej, kryeministri fuqizoi mesazhin e rëndësisë së miqësisë, partneritetit e aleancës me Japoninë dhe popullin e saj, duke përmendur edhe ndihmën e çmuar të dhënë nga qeveria japoneze për refugjatët kosovarë gjatë periudhës së vështirë të viteve 1998-1999, e cila mbetet e ngulitur në kujtimet tona dhe e çmuar në zemrat tona. Përmendi dhe Dr. Sadako Ogata, Komisioneri i Lartë i OKB-së për Refugjatët me origjinë japoneze, i cili ka luajtur një rol kryesor në ofrimin e ndihmës për refugjatët në Maqedoninë e Veriut dhe Shqipëri, dhe profesorin Hisashi Owada, ish-kryetar i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, i cili udhëhoqi Opinionin e GJND-së më 22 korrik 2010, ku u pohua se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk ka shkelur të drejtën ndërkombëtare – kontribut për të cilin ne jemi thellësisht mirënjohës.

Image
Pamje nga vendi i ngjarjes

Kryeministri shprehu dhe mirënjohjen e thellë për Qeverinë e Japonisë për partneritetin e saj të palëkundur dhe mbështetjen thelbësore në sektorë të ndryshëm të zhvillimit.

Në përfundim, ai nënvizoi se jemi të lumtur nga avancimi i vazhdueshëm i miqësisë dhe bashkëpunimit tonë, i dukshëm në thellimin e marrëdhënieve tona. “Vizitat zyrtare qeveritare të vitit të kaluar e kanë forcuar më tej lidhjen tonë. I shprehim mirënjohjen e sinqertë Qeverisë japoneze për vendimin e saj për të hequr kërkesat për viza për mbajtësit e pasaportave diplomatike dhe zyrtare, duke filluar nga 25 marsi - një moment historik i rëndësishëm në marrëdhëniet tona dypalëshe”, u shpreh kryeministri.

Image
Pamje nga vendi i ngjarjes
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat