Sa po presin qytetarët për t’u pajisur me pasaportë të Kosovës? Flasin nga MPB-ja

Aktuale

Sa po presin qytetarët për t’u pajisur me pasaportë të Kosovës? Flasin nga MPB-ja

Më: 15 shkurt 2024 Në ora: 09:55
Foto ilustrim

Qytetarë të shumë janë ankuar që pas aplikimit për pasaportë për t’u pajisur me të po shkon më shumë se një muaj.

Nga Ministria e Punëve të Brendshme po thonë që kjo nuk qëndron, dhe se qytetari për t’u pajisur me këtë dokument nuk pret një muaj.

“Siç edhe jeni në dijeni ( ku tregojnë lart edhe statistikat) ka rritje të numrit të aplikimeve për pasaporta mirëpo pritja e qytetarëve për tu pajisur me pasaportë nuk e kalon një muaj”, ka shtuar zëdhënësja e MPB-së.

Qytetarët po ashtu janë ankuar se edhe mesazhi që iu dërgohet për t’i njoftuar që pasaporta është gati nuk po iu dërgohet më.

Por, ky pretendim i qytetarëve po hidhet poshtë nga MPB-ja.

“Nuk qëndron kjo. Në momentin kur qytetarit i bëhet gati pasaporta, ajo pastaj dërgohet në Qendrën e Regjistrimit Civil aty ku qytetari ka aplikuar, dhe në të njëjtën kohë i dërgohet edhe mesazhi për njoftim që pasaporta është gati dhe mund të tërhiqet pranë Qendrës ku ka aplikuar qytetari”, është shprehur Fetoshi.

Ditë më parë nga Ministria e Punëve të Brendshme kanë njoftuar se që nga hyrja në fuqi e liberalizimit të vizave e deri më tani çdo gjë është duke shkuar në suaza normale dhe nuk janë raportuar raste të mosrespektimit të rregullave.

Kushtet për liberalizim të vizave përfshijnë reforma për ta përforcuar sundimin e ligjit, luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, menaxhimin e migrimit dhe përmirësimin e kapaciteteve administrative në kontroll të kufijve.

Në rast të rritjes së migrimit ilegal nga ndonjë vend, BE-ja ka të drejtë ta suspendojë përkohësisht regjimin e udhëtimit pa viza.

Ky mekanizëm, që u iniciua në vitin 2013, aktivizohet nëse ka rritje për mbi 50 për qind të hyrjeve ilegale nga një vend dhe qëndrimit ilegal, nëse ka rritje për mbi 50 për qind të aplikimeve për azil, nëse ka rënie të bashkëpunimit për kthim të detyrueshëm dhe nëse vlerësohet se ka rrezik të shtuar për sigurinë e shteteve anëtare të BE-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat