Qytetarë të shumtë vizitojnë Prekazin: Sakrifica për liri e familjes Jashari, e jashtëzakonshme

Aktuale

Qytetarë të shumtë vizitojnë Prekazin: Sakrifica për liri e familjes Jashari, e jashtëzakonshme

Më: 17 shkurt 2024 Në ora: 13:00
Prekaz

Në ditën e 17 shkurtit, ku para 16 vjetësh në këtë datë Kosova shpalli pavarësinë e saj, qytetarë të shumtë vizituan Kompleksin Memorial “Adem Jashari”, me ç’rast shprehën nderime për sakrificën e të rënëve për liri.

Qytetari Ali Kpuzi nga Mitrovica, derisa bëri homazhe pranë varreve të familjes së Jashari, tha se sakrifica e tyre ka qenë çlirimi i tokës tonë, për çka shtoi se për një kohë të shkurtër Kosova ka përparuar shumë.

Kpuzi konsideroi se falë luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, vendi ynë ka arritur që të përmbushë më shumë se 80 për qind të qëllimeve që pati.

Kpuzi: Sakrifica e tyre ka qenë çlirimi i tokës tonë

“Dëshmorëve tanë, familjes së Adem Jasharit, dëshmorëve të tjerë, i uroj familjes Jashari dhe kosovarëve Ditën e Pavarësisë. Sakrifica e tyre ka qenë çlirimi i tokës tonë dhe për këtë kohë të shkurtër, mendoj se Kosova ka përparuar shumë. Falë gjakut të tyre ne e gëzojnë këtë liri të cilën duhet mbajtur me pietet të duhur sepse edhe më parë populli ynë ka përjetuar katrahura prej armiqve përreth…Gëzuar pavarësinë Kosovë e dashur…Qëllimet e Kosovës mund të them këtë moment se diku 80 për qind kanë arritur vlerën që e ka sot shteti i ri, por, falë sakrificës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, tha Kpuzi.

Po ashtu, edhe Asllan Asllani nga Prishtina tha se nuk duhet harruar historia dhe e kaluara e popullit të Kosovës.

Porosia e Asllanit është që të jemi të bashkuar duke lënë anash interesat personale, duke shpresuar në bashkimin e Kosovës dhe Shqipërisë.

Ai tha se ka ardhur me autobus nga Prishtina me rreth 100 pensionistë të tjera për të nderuar sakrificën e familjes Jashari.

Asllani: Porosia ime është të jemi të bashkuar pa interesa personale

“Përshëndes familjet e dëshmorëve dhe të rënëve për lirinë që po gëzojmë sot. Ne jemi një grup pensionistësh, 100 personave nga Prishtina. Edhe pse jemi të moshuar ne zemrën e kemi me të rinjtë. Urojmë që mos t’i harrojmë historinë dhe të kaluarën tonë dhe porosia jonë është që të jemi të bashkuar të gjithë, mos të kemi interesa personale, të kemi interesin e përgjithshëm, e fundit bashkimi i Kosovës me Shqipërinë”, tha Asllani.

Musa Buzhala tha se 17 shkurti është një ditë e madhe për të cilën Kosova ka pritur me shekuj.

Ai tha se familja Jashari është e shenjtë.

Buzhala: Familja Jashari është e shenjtë

“Është ditë e madhe, ditë që me shekuj e kemi pritur këtë ditë. Familja Jashari është e shenjtë, kemi ardhur t’i vizitojmë sot këtu…A po mendoni se Kosova i ka arritur qëllimet e veta? I ka arritur qëllimet deri diku po, por ne sa dimë ta mbajmë”, u shpreh Buzhala.

Ndërsa, qytetari Shaban Tahiri, derisa vizitoi e bëri nderime tek Kompleksi Memorial “Adem Jashari”, tha se pikërisht aty ka lindur pavarësia e Kosovës.

Ai tha se ka marrë me vete edhe nipin e mbesën për t’i treguar ngjarjet dhe historinë e lirisë së Kosovës.

Tahiri: Pikërisht këtu ka lindur edhe pavarësia e Kosovës

“I uroj gjithë popullit shqiptar Pavarësinë e Kosovës…Unë mendoj se jam vendas pikërisht këtu ka lindur edhe pavarësia e Kosovës. E kam marrë nipin dhe mbesën për t’iu treguar ngjarjet”, theksoi Tahiri.

Përveç qytetarëve, krerë të lartë shtetëror gjatë ditës bënë homazhe tek Kompleksi Memorial “Adem Jashari”. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat