​Kurti: Me SHBA-në kemi raporte shumë të mira, por nuk do të thotë të pajtohemi për çdo gjë

Aktuale

​Kurti: Me SHBA-në kemi raporte shumë të mira, por nuk do të thotë të pajtohemi për çdo gjë

Më: 19 shkurt 2024 Në ora: 16:59
Foto ilustrim

Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka deklaruar se bashkëpunimi me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është në nivel shumë të mirë, ndonëse ka shtuar se si aleatë nuk do të thotë se pajtohen çdoherë, në çdo vend dhe për gjithçka.

Kurti ka thënë se si Qeveri e kanë për obligim të mbështesin rregulloren e re të BQK-së, që lidhet me çështjen e dinarit serb.

Kurti: Raportet me Amerikën janë të mira por nuk do të thotë që pajtohemi për çdo gjë

“Unë kam thënë mendimin tim, qëndrimin tim, opinionin tim. Unë nuk e kam thënë qëndrimin e asnjë shteti tjetër por si kryeministër i Republikës së Kosovës kam folur që raportet tona, bashkëpunimi jonë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës është shumë i mirë, tash me jemi partner, aleatë, miq kjo nuk do të thotë që pajtohemi absolutisht çdo herë në çdo vend për gjithçka mirëpo në këtë aspekt kemi një rregullore të re të Bankës Qendrore të Kosovës të cilën Qeveria e Republikës së Kosovës sipas Kushtetutës dhe ligjit ka për detyrë ta mbështesë andaj edhe unë them që raportet tona janë shumë të mira dhe i qëndrojë kësaj fjale”, deklaroi Kurti.

I pyetur nëse ka pranuar ftesë për takim me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq prej përfaqësuesit Borrel, Kurti tha se do të shkojë në Bruksel nëse do të ftohet për nënshkrim të marrëveshjes me Serbinë.

Kurti: Nëse na thërrasin për nënshkrim të marrëveshjes padyshim që shkoj

“Nëse na thërrasin për nënshkrim të marrëveshjes padyshim që shkoj. Unë jam treguar konstruktiv dhe u përkushtuar edhe atëherë kur na kanë thirrur në Bruksel e raundi i bisedimeve nuk mund të thuhet se ka qenë i suksesshëm. Unë këtë e bëjë për BE-në por e bëjë edhe për shkak se duhet të kemi marrëdhënie normale me Serbinë. Sa për mua këto do të normalizoheshin qysh në vitin e kaluar por nëse nuk është bërë në shkurtin e marsin e vitit 2023 e mund të bëhet në shkurtin e marsit e vitit 2024 pse jo”, tha Kurti.

Ndërsa, ka thënë se me shefin e diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, kanë diskutuar temat të dialogut dhe rëndësinë e nënshkrimit të marrëveshjeve, duke shtuar se nuk i është thënë se do të ketë ftesë për një takim të nivelit të lartë në Bruksel.

Kurti: Me Borrell kemi diskutuar për temën e dialogut dhe rëndësinë e nënshkrimeve të marrëveshjeve

Në takimin që kam pasur në Munich në kuadër të konferencës së sigurisë atje edhe me përfaqësuesin e Lartë të BE-së për siguri dhe politik të jashtme, Josep Borrell, kemi diskutuar temat të cilat janë të dialogut dhe rëndësinë e nënshkrimit të marrëveshjeve por nuk më është thënë se do të ketë ftesë për një takim të nivelit të lartë në Bruksel. Nëse më vjen ajo ftesë natyrisht se do ta shqyrtojmë dhe unë në përgjithësi jam pozitiv por e ritheksoj që shkeljet e deritanishme mos respektimit e marrëveshjeve që i ka bërë Serbia e të cilat kulmuan me letrën e kryeministres Bernabiq ku ajo praktikisht u tërheq nga marrëveshja praktikisht ato anulohen me nënshkrim. Në momentin që Serbia do ta nënshkruante marrëveshjen të gjitha ato shkelje të mëhershme anulohen dhe krijohet siguria për rrugën përpara. Pra edhe në kuptimin e së kaluarës së hidhur edhe në kuptimin e së ardhmes së ndritshme nënshkrimi na shfaqet si domosdoshmëri dhe unë uroj qe kjo të bëhet kjo pranverë pasi nuk u bë në atë të kaluarën”, ka theksuar Kurti.

Kurti ka ritheksuar se nuk mund të ketë normalizim të njëanësh, për çfarë tha se normalizimi duhet të bëhet me Serbinë. Derisa ka shtuar se pret nga Republika e Shqipërisë gjithnjë më shumë e më mirë se sa nga çdo kush.

Kurti: Normalizimi duhet të bëhet me Serbinë, nuk mund të ketë normalizim të njëanshëm

Normalizimi i marrëdhënieve nuk është mes Kosovës dhe BE-së. Ne me atë e kemi marrëveshjen e stabilizim asocimit, i kemi reformat dhe tani edhe planin e rritjes. Normalizimi duhet të bëhet me Serbinë. Prandaj përderisa edhe partnerët tanë evropian dhe amerikanë thonë se normalizimi duhet të jetë me Serbinë unë nuk besoj që mund të ketë normalizim të njëanshëm dhe insistoj që normalizimi të jetë normal. Pra nuk mund të kemi një normalizim i cili është në kundërshtim me të drejtën e Republikës së Kosovës për të ekzistuar për tu mbrojtur për të qenë e lirë, por duhet të jetë edhe sipas standardeve dhe normave evropiane meqenëse Brukseli është vendi ku bëjmë marrëveshje dhe bashkëbisedojmë por njëkohësisht edhe Brukseli përcakton kornizën le të themi kornizën politike dhe vlerore të kontinentit që ne i përkasim. Natyrisht që Republika e Shqipërisë nuk e ka njohur pavarësinë shpalljen e së cilës e kremtuam pardje si 16 vjetor ajo na e ka njohur edhe para më shumë se tri dekadave Republikën e Kosovës dhe ne presim prej Republikës së Shqipërisë gjithnjë më shumë e më mirë se sa nga çdo kush tjetër dhe këtë vit kemi plane se si bashkëpunimin tonë ta shtojmë në çdo aspekt”, shtoi Kurti.

Duke folur për marrëdhëniet me Serbinë, Kurti ka theksuar se Serbia nuk blen armatim për t’u mbrojtur, pasi sipas tij, Serbia nuk ka nga kush të mbrohet, porse për shkak të Kushtetutës së saj agresuve dhe projekteve të saj serbomadhe.

Kurti: Serbia nuk po blen armatim për t’u mbrojtur, pasi nuk ka nga kush të mbrohet

“Është e qartë se Serbia blen armatim dhe këtë armatim nuk e blen për tu mbrojtur. Serbia nuk ka se nga kush të mbrohet. Ajo e blen për shkak të Kushtetutës së saj agresive dhe projekteve të saj serbo madhe. Në veçanti blen armatim nga Federata Ruse dhe nga Kina për bindjen time ajo dëshiron që ti dëshmohet sidomos Kremlinit që është në vazhdimësi me politikën e Putinit pikërisht se është agresive ndaj Kosovës. Ne kemi dëgjuar shpesh teza se Beogradi ka marrëdhënie e mira me Moskën se i nevojitet Moska në raport me Kosovën. Unë do të thosha që kjo është e vërtetë mirëpo edhe e kundërta është e vërtetë. Beogradi është shumë agresiv ndaj Kosovës pikërisht që të dëshmohet karshi Putinit. Sepse Putini nuk i beson askujt dhe si një diktator disputik ka nevojë që ata që i konsideron miq t’i dëshmohen atij dhe këtë e bën presidenti i Serbisë Vuciq i cili duke blerë armatime duke dhënë deklarata agresive ndaj Kosovës dëshmohet me besnikërinë e tij presidentit të Rusisë Putin”, tha Kurti.

Këto komente, Kurti i bëri pas vënies së gurthemelit të fabrikës së prodhimit të dyerve dhe dritareve në Verbicë e Kmetocit në Gjilanit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat