​Mazhoranca e përçarë për Projektligjin për shëndetin riprodhues dhe fertilizim të asistuar

Aktuale

​Mazhoranca e përçarë për Projektligjin për shëndetin riprodhues dhe fertilizim të asistuar

Më: 22 shkurt 2024 Në ora: 14:07
Foto ilustrim

Kuvendi i Kosovës, në mungesë të kuorumit ka dështuar të miratojë në shqyrtim të dytë, Projektligjin për shëndetin riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor. Për këtë projektligj pati mospajtime të mëdha edhe mes deputetëve të pushtetit, ku për të njëjtin ishin propozuar 42 amendamente, ku 20 prej tyre ishin nga deputeti Visar Korenica, i cili tha se është mbështetur nga dhjetë deputetë për të njëjtat. Ndërkaq, në amendamentet e propozuara nga ai nuk morën pjesë në votim deputetët opozitarë.

Korenica tha se Projektligji për shëndetin riprodhues dhe fertilizim të asistuar është jashtëzakonisht problematik, ku sipas tij cenohet institucioni i familjes dhe martesës. Ai shtoi se përmes tij i jepet të drejtë të planifikojnë familje edhe individëve dhe jo vetëm çiftit.

Andaj, ai tha se përmes amendamentit të tij e drejta për shëndetin riprodhues dhe fertilizim të asistuar duhet t’i takojë vetëm çiftit.

Korenica: Përmes këtij projektligji cenohet familja dhe martesa

“Ky projektligj ka prodhuar një debat të gjerë në shoqërinë tonë dhe është jashtëzakonisht problematik nëse kalohet kështu siç është propozuar në Kuvend. Këtu drejtpërdrejtë cenohet institucioni i familjes dhe martesës. Ju jepet të drejtë individëve të planifikojnë familje, duke përjashtuar rëndësinë që e ka institucioni i familjes. Tek amendamenti që ne kemi propozuar... Te neni tre paragrafi nëntë, dhjetë dhe ai 14 duhet të fshihen në tërësi, pasi po flasim te dhurimi i qelizave riprodhuese për aplikim te njerëzit, që nuk kufizohet tek çifti, por jepet hapësirë edhe individit. Në versionin e parë ka qenë e specifikuar që edhe gruaja e pamartuar të ketë të drejtë të pranojë qeliza për riprodhim, tash i jepet mundësi edhe individit, gjinisë mashkullore. Kjo i jep më shumë problem, pasi individ mundet të jenë edhe të gjinisë së njëjtë, jo vetëm gjinisë së kundërt. Pra po zgjerohet problemi prej versionit fillestar. Te neni tre paragrafi 11 kërkojmë që të bëhet ky ndryshim: E drejta riprodhuese t’i takojë çiftit, që të vendosin lirshëm dhe me përgjegjësi nëse duan të kenë fëmijë, për numrin dhe kohën që ata duan të kenë fëmijë, të kenë qasje në informata që do t’i mundësojnë atyre që vendimet të mbështeten në evidencë. Pra jo të jepet e drejta edhe individit, por të përcaktohet tek çifti”, tha ai.

Për këtë propozim votuan 18 deputetë, nëntë abstenuan, kurse 32 ishin kundër, mirëpo në votim tri herë rresht nuk mori pjesë deputeti i LVV-së, Eman Rrahmani.

Për shkak të kësaj reagoi kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ku tha se një deputet i mazhorancës qëllimshëm nuk po merr pjesë në votim, për çka nga largësia reagoi deputeti Rrahmani.

Konjufca: Deputetët janë të lirë të votojnë

“S’kam nevojë me ta përmend emrin. Kjo është për të kuptuar teknikisht pse s’po ndodh. Deputetët e kanë shpjeguar pozicionin e vet. S’kemi nevojë me i gjykuar fare, këto janë përcaktime të lira. Teknikisht pse s’po mundemi me votu është kjo”, theksoi Konjufca.

Krahas kësaj, Kuvendi miratoinë lexim të dytë, Projektligjin për metrologji dhe Projektligjin për rregullat e trafikut rrugor.

Ndërkaq, sërish nuk pati kuorum për Projektligjin për tekstet shkollore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat