Eksperti i sigurisë zbulon ku fshihet Radoiçiq: Ja rreziku që i kanoset Kosovës

Aktuale

Eksperti i sigurisë zbulon ku fshihet Radoiçiq: Ja rreziku që i kanoset Kosovës

Më: 22 shkurt 2024 Në ora: 22:06
Milan Radoiçiq

Radoiçiq është brenda territorit serb dhe po strehohet nga strukturat e inteligjencës serbe. Kjo u konfirmua nga eksperti i sigurisë në Kosovë, Bedri Elezi në Ditarin me Bruna Çifligun, pas urdhërarrestit të Interpolit për ish-nënkryetarin e Listës serbe.

Sipas tij SHBA dhe BE po punojnë ngushtë për të siguruar informacion mbi vendndodhjen e tij, i cili akuzohet si udhëheqës i sulmit të 24 shtatorit në Banjskë, gjë që e ka pranuar edhe publikisht.

“Lajmi më i mirë pas 24 shtatorit të kaluar ku kishim agresion ndaj Kosovës është një fletëlëshim ndërkombëtar për kapjen dhe vendosjen para përgjegjësisë së udhëheqësit të grupit për sulmin e Banjskës. Presim që do kemi një veprim të Europolit për kapjen e Radoiçiç edhe në Serbi

Autoritet e qeverisë së SHBA edhe BE po punojnë ngushtë për të siguruar informacion për vendndodhjen e Radoiçiq dhe besohet se është akoma në Serbi dhe duke u strehuar nga strukturat e inteligjencës. Faktori ndërkombëtar ka bërë përpjekje për vendosjen para përgjegjësisë së tij i cili ka pranuar publikisht veprën po nuk kishin sukses dhe me detyrim është bërë bashkëpunimi me Interpolin që në bazë të këtij fletëlëshimi të veprojë. Radoiçiqi është brenda territorit serb dhe do jetë problem për të siguruar informacion nga Beogradi zyrtar dhe strukturat kanë kapacitete për ta strehuar”.

Por nëse Radoiçiq arrestohet në Serbi, për Elezin kjo nuk është e mjaftueshme për Kosovën për të vendosur drejtësinë në vend, pasi do të bëhet thjesht për të kënaqur faktorin ndërkombëtar.

“Pres të ketë reflektim nga presidenti serb që vërtet dëshiron të zbatojë ligjin që ta kapë  dhe ta vendosë Radoiçiq para ligjit. Kjo nuk është mjaftueshëm për ne, nëse vendoset përballë drejtësisë serbe dhe jo ta ekstradojë sipas kërkesës që ka bërë Kosova. Ai është shtetas serb dhe Serbia ka të drejtë ta gjykojë dhe kanë hapur një procedurë ndaj tij. Mund ta vendosin në arrest apo masë tjetër për të kënaqur faktorin ndërkombëtar, por kjo nuk është mjaftueshëm për Kosovën se ne nuk presim që drejtësia të vendoset në vend për Radoçiç dhe mund të mos qëndrojë para hekurave, por vetëm për filmime për një PR të Vuçiç”.

Elezi mohoi rëndimin e pozitës së presidentit serb për shkak të lidhjeve me Radoiçiq, por tha se Vulin është etiketuar përgjegjës për Banjskën.

“Ka implikime të shtetit serb. SHBA ka përmendur shefin e shërbimit sekret, Vulin i cili është etiketuar si personi që ka marrë përgjegjësinë dhe nuk do ketë përpjekje për të përfshirë presidentin serb. Përpjekja e SHBA e BE është për ta vendosur Serbinë para përgjegjësisë për zgjedhjet dhe jo të vendoset para përgjegjësisë se ka pasur takime me Raidoçiq”.

 Ai tha se Prokuroria e Kosovës duhet të paraqesë të gjitha provat e argumentet e personave që kanë marrë pjesë në sulm në mënyrë që të veprohet si me Raidoiçiq.

I pyetur pse nuk ka ende një raport përfundimtar për Banjskën, Elezi shprehu shqetësimin e tij për këtë çështje, dhe tha se provat janë siguruar.

“Ky është shqetësim dhe institucionet e Kosovës po dështojnë të krijojnë bindjen te publiku se në bashkëpunim me faktorin ndërkombëtar kanë arritur që të sigurojnë provat. Kemi pasur më shumë deklarime. Pajisjet me të cilat është regjistruar operacioni janë gjetur në vendin ku është organizuar sulmi dhe janë të pakontestueshme dhe konfirmojnë edhe numrin e personave dhe mund të shfrytëzohen si prova materiale për t’i vendosur para gjykatës”.

Ai nuk përjashtoi mundësinë e përsëritjes së Banjskës dhe përmendi rrezikun që i kanoset Kosovës nga Serbia dhe Rusia.

“Kosova është ekspozuar para një rreziku serioz, se Serbia ka pretendime territoriale ndaj Kosovës ka vendosur 48 baza përgjatë kufirit të Kosovës dhe duke sjellë edhe forca speciale nga këto baza. Rusia po tenton që të dërgojë satelitin e saj për të eskaluar gjithë Ballkanin”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat