Trupat italiane të KFOR-it patrullojnë në kufirin Kosovë-Serbi

Aktuale

Trupat italiane të KFOR-it patrullojnë në kufirin Kosovë-Serbi

Më: 23 shkurt 2024 Në ora: 20:20
KFOR-i

Trupat paqeruajtëse të KFOR-it po vazhdojnë me patrullimet e tyre në zonën e kufirit midis Kosovës dhe Serbisë, duke vepruar si një forcë sigurie dhe stabiliteti në rajon.

Kësaj radhe, ushtarët italianë kanë patrulluar në koordinim me Policinë e Kosovës përgjatë vijës kufitare.

Bëhet fjalë për ushtarët nga Regjimenti i parë i Bersaglieri, të Komandës Rajonale Perëndimore.

“Ushtarët italianë nga Regjimenti i parë i Bersaglieri, të caktuar në Komandën Rajonale në Perëndim të misionit KFOR-it të udhëhequr nga NATO , po kryejnë patrullime të koordinuara në këmbë dhe të motorizuara me Policinë e Kosovës, përgjatë vijës kufitare administrative”, ka njoftuar KFOR-i përmes një postimi në rrjetin social “X”.

Mbi 4 mijë trupa nga 28 vende të botës shërbejnë aktualisht në Kosovë, në kuadër të misionit paqeruajtës të Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO), KFOR. Më shumë se gjysma e forcave janë nga Italia, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Hungaria dhe Turqia. NATO-ja e ka shtuar praninë e saj në Kosovë gjatë vitit 2023, pas rritjes së tensioneve në veriun e banuar me shumicë serbe.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat