​Gratë diskutojnë për sfidat e tyre në udhëheqje: Shoqëria ka nevojë për barazi

Aktuale

​Gratë diskutojnë për sfidat e tyre në udhëheqje: Shoqëria ka nevojë për barazi

Më: 24 shkurt 2024 Në ora: 13:28
Foto ilustrim

Sfida më e madhe për gratë është që të përfshihen në vendimmarrje dhe hartim të politikave, duke përfshirë edhe vetë lobimin e tyre për fuqizimin e rolit të gruas.

Kështu u tha në tryezën e rrumbullakët “Zbatimi i Rezolutës 1325 në nivelin lokal”, në të cilën morën pjesë gra me pozita të ndryshme në politikë, për çka ndanë eksperiencat dhe vështirësitë e tyre në udhëheqje.

Ish-kryetarja e Komunë së Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila foli për përvojën e saj si gruaja e parë në Kosovë që u zgjodh për ta udhëhequr një komunë, për çka përmendi disa nga përpjekjet e saj për të fuqizuar rolin e gruas në shoqëri dhe vendimmarrje.

Kusari-Lila vuri në theks rëndësinë e krijimit të mekanizmave që gratë në shoqërinë civile të jenë pjesë në vendimmarrje në nivelin lokal, ngase sipas saj, angazhimi i grave në politikë mund të bëhet vetëm duke u krijuar aleanca dhe partneritete.

Ajo derisa foli për rrugëtimin e saj si kryetare e komunës, tha se fokusi i saj, përveç tjerash ka qenë komunikimi dhe diskutimi për evitimin e martesave të hershme në komunitetin jo shumicë.

Kusari-Lila: Investimet në ujin e pijes, në ndriçim, në trafikun urban janë investimet elementare për sigurinë e grave

“Gjakova është një komunë e cila përqindjen e ka mjaftë të lartë të komunitetit rom, ashkali dhe egjiptas, ndërsa largimi nga shkolla në moshë të hershme të vajzave nga këto komunitete mbetet ende shqetësues. Megjithatë, diskutimi qoftë në shkollë fillore apo edhe në familje filloi që prej asaj periudhë, të ndihmonte që bartëse e drejtorisë së arsimit të ishte një grua profesioniste. Prandaj, edhe komunikimi edhe diskutimi për evitimin e martesave në moshë të hershme ka mbetur fokusi im për katër vite sa kam qenë kryetare e komunës. Gjithashtu, programet të cilat lidheshin drejtpërdrejt me fëmijët e komuniteteve si qendrat e komuniteteve, shpeshherë ne e tejkalojmë apo e anashkalojmë faktin se nganjëherë fëmijët që vijnë nga familjet e cenueshme ekonomikisht ose në aspektin social ndoshta pjesën më të mirë të ditës e kanë në shkollë, për dallim nga fëmijët që vijnë nga komuniteti që mund të ketë gjendje më të mirë sociale, që në shtëpi i ka kushtet më të mira se në shkollë. Andaj, angazhoheshim që për fëmijët me gjendje të cenueshëm qendrat e komuniteteve gjatë asaj përudhe kanë qenë dy dhe ende mbeten sot...Investimet në ujin e pijes, në ndriçim, në trafikun urban janë investimet përmbajtjesore ose elementare për sigurinë e grave dhe fëmijëve dhe gjithashtu për çasje e grave në tregun e punës edhe për vijueshmërinë e vajzave në shkollë”, tha Kusari-Lila.

Ndërsa, zëvendëskryetarja në Komunën e Mitrovicës së Veriut, Katarina Adjançiq tregoi për punën e suksesshme që gratë po e kryejnë në drejtoritë përkatëse të kësaj komunë.

Ajo tha se nga shtatë drejtori sa ka Komuna e Mitrovicës së Veriut, katër nga to udhëhiqen nga gra me përvojë.

Adjançiq tha se për këtë vit, fokusi kryesor është në investimet kapitale, duke përfshirë rregullimin e sipërfaqeve publike në qytet dhe subvencionet.

Adjançiq: Kemi katër gra drejtoresha të cilat janë shumë të reja, të suksesshme dhe me përvojë

“Gjendja aktuale është se kemi shtatë drejtori, dhe kemi katër gra drejtoresha të cilat janë shumë të reja dhe suksesshme por edhe me përvojë. Drejtoresha për Kulturë, Rini dhe Sport, e cila kishte studiuar në Ëashigton është kthyer për të vënë në praktikë përvojën e saj në qytetin ku kishte lindur. Drejtoria e Punës, Sigurisë dhe Mbrojtjes sociale, kjo pozitë është dedikuar për një grua, sepse kush më mirë do të brengosej për shëndetin e qytetarëve sesa një grua. Përndryshe, e ka edhe një provim për të përfunduar specializimin. Pastaj e kemi edhe drejtoreshën e Financave, kjo grua kujdeset shumë për paratë dhe shumë shpejtë arrijmë marrëveshje. Dhe kemi drejtoreshën e re për Administratën e Përgjithshme e cila përkrah dhe monitoron punën e të gjitha drejtorive në përgatitjen e çdo gjë që na mungon...Ndërsa, për këtë vit theksi është për investimet kapitale, rregullimi i sipërfaqeve publike në kryeqytet dhe subvencione...Për çdo fëmijë të lindur nga një janari gjatë këtij viti, nënë e fëmijës do të marrë 300 euro. Për qiftet e reja martesore, ata do përfitojnë 500 euro formë dhurate nga komuna. Këto janë porosi dhe shembuj të mirë për komunat e tjera”, tha ajo.

Ndër të tjera, Adjançq vuri në theks nevojën urgjente për rihapjen e shtëpisë së sigurisë për viktimat e dhunës në familje, për çka tha se po punohet në këtë drejtim.

Ish-kryetarja e Komunës së Tetovës dhe njëkohësisht deputetja e parë shqiptare që arriti të zgjidhet në parlamentin e Maqedonisë, Teuta Arifi tha se sfida e saj kryesore ka qenë që t’i fuqizojë sa më shumë gratë, në mënyrë që ato të mund të jenë pjesë e politikbërjes dhe pozitave vendimmarrëse.

Arifi tha se si rezultat i një marrëveshjeje politike, ajo bashkë me disa gra të tjera deputete arritën 40 përqindëshin e parlamentit, gjë për të cilën thotë se ndihet krenare.

Ajo tha se shoqëria ka nevojë për barazi.

Arifi: Sfida ime ka qenë që kur të dal prej parlamentit mos të jem e fundit

“Në zgjedhjet e vitit 2002 kam qenë deputetja e parë shqiptare etnike që ka arritur të zgjidhet në parlamentin e Maqedonisë atëherë, nëntë vite kam kaluar si deputete. Por, sfida ime ka qenë okej e para, por është me rëndësi që kur të dal prej parlamentit mos të jem e fundit dhe në këtë sfidë, për të mos qenë e fundit nuk mund ta bëni atë luftë vet. Ne ishim në parlamentin prej 120 deputetësh , ne ishim 12 gra deputete, që e nuk kanë as shumicën e votës, dhe në bëmë një bashkëpunim të ndihmuar në atë kohë nga NDI, prandaj posaçërisht iu falënderoj për punën e juaj konsistente në këto procese demokratike tonat dhe nga OSBE për të bërë një ligj i cili do të siguronte që çdo e treta grua të jeta anëtare e listave por jo për parlament, për zgjedhjet lokale, komunale. Meqenëse qeveria nuk e pranoi amendamentin tonë për ligjin është dashur që të votojmë në parlament, dhe të gjitha grupet parlamentare shkuam lobuam dhe vërtetë e kaluam... Përfundimisht, si rezultat i një marrëveshjeje tjetër politike që quhet ‘perzhina’, për stabilitet politik në disa kohëra turbulenca atje kemi ndryshuar përsëri dhe kemi arritur në 40 përqindëshin e parlamentit...Kur shkova prej parlamentit nuk dola e para dhe e fundit, por i kisha koleget e mija që i lashë pas, atë e ndjej si një prej gjërave prej të cilave jo vetëm që ndihem krenare por mendoj se shoqëria ka nevojë për barazi”, tha Arifi.

Ndërkaq, anëtarja e Grupit të Grave Deputete në Kuvendin e Republikës së Kosovës, Eliza Hoxha tha se nëse shikojmë studimet e shumta që janë bërë në zhvillimet urbane, gratë mungojnë jo vetëm në tavolinë, por edhe në hartimin e dokumenteve zhvillimore dhe vizioneve për qytetin, për çka thotë se kur ato mungojnë edhe nevojat e tyre janë të përjashtuara.

Hoxha: Gratë mungojnë në hartimin e dokumenteve zhvillimore dhe vizioneve për qytetin

“Përderisa politikat në nivelin qendror ndonjëherë mund të mos jenë më të mirat në botë, mund të ndërrohet qeveria, ajo politikë mund të shkojë në kosh, efekti i saj mund te jetë vetëm financiar në kuptimin negativ, mund të bëhet një politikë më mirë në nivelin lokal. Çfarëdo që ndodhë me vendimmarrjen ne prekim, e shohim, e përjetojmë çdo ditë dhe na formëson neve si njerëz dhe gjeneratat e reja. Ka një thënie në zhvillimet urbane që thotë se qytet janë produkt kulturor i njerëzve që jetojnë aty dhe mënyra se si ne i formësojmë ato qytete është mënyra se si do të formësohen gjeneratat që vijnë pas nesh. Kur jemi këtu nëse shikojmë studimet e shumta që janë bërë në zhvillimet urbane, gratë mungojnë edhe aty jo vetëm në tavolinë, por në hartimin e dokumenteve zhvillimore dhe vizioneve për qytetin dhe kur ato mungojnë normalisht edhe nevojat e tyre janë të përjashtuara”, tha Hoxha.

Kjo konferencë është organizuar nga Grupi i Grave Deputete të Kuvendit të Republikës së Kosovës, përmes fascilitimit të Institutit Kombëtar Demokratik (NDI), nëpërmjet përkrahjes së Agjencisë së SHBA-së për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) në Kosovë, Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) në Kosovë, si dhe Ambasadës Kanadeze në Kroaci dhe Kosovë

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat